Si në çdo përballje të madhe, veçanërisht kur flitet për një ndeshje derbi, protagonistët kryesorë janë sulmuesit. Nëse tek Interi “fërkojnë duart” për periudhën pozitive që po kalon kapiteni i ekipit, Mauro Ikardi, në shtëpinë kuqezi po bëjnë llogaritë me “agjërimin” e Bakës, i cili është shqetësimi më i madh për trajnerin Vinçenco Montela.
Siç ndodhi edhe në sezonin e kaluar, pas 12 javësh kampionat, kolumbiani është golashënuesi më i mirë i kuqezinjve në kampionat me 7 gola. Mirëpo, për t’u nënvizuar është fakti se në sezonin e fundit, Baka qëndroi pa shënuar për katër ndeshje radhazi, ndërsa deri më tani lojtari i Milanit ka pesë takime që nuk e gjen rrugën e golit.
Goli i fundit që e ka realizuar me aksion ka qenë në sfidën kundër Lacios, më 20 shtator. Të flasim për krizë është disi e ekzagjeruar, por për një “killer” si Baka, që qëndron pesë ndeshje pa shënuar gol, shqetësimi nuk është i vogël. Ndërkohë, ish-bomberi i Sevijës, pas Milanit, rrezikon që të humbasë statusin e të paprekshmit edhe në përfaqësuesen kolumbiane.
29-vjeçari nuk shënon prej 5 sfidash edhe me Kolumbinë, ku trajneri Pekerman e mbajti në stol për 90 minuta në ndeshjen e fundit përballë Kilit, e cila përfundoi me shifrat 0-0. Sot përfaqësuesja kolumbiane do të luajë sfidën delikate përballë Argjentinës dhe Baka, për një fanellë titullari, duhet të fitojë konkurrencën me kolegun, Radamel Falkao, i cili po kalon një periudhë të mirë, si dhe ndaj Luis Murielit.
Sakaq, një tjetër balotazh e pret lojtarin kur të zbarkojë në Milano, teksa në këtë rast duhet të bindë Montelën për t’i besuar atij dhe jo Xhanluka Lapadulës një fanellë titullari. Ish-sulmuesi i Peskarës, pas golit me finte kundër Palermos, që i vlejti tri pikët Milanit dhe grumbullimit në përfaqësuese nga Xhampiero Ventura, ka fituar terren karshi Bakës.
Trajneri Vinçenco Montela ka thurur elozhe publikisht për vendosmërinë që tregon Lapadula sa herë që zbret në fushë, teksa e vlerëson shpirtin luftarak të 26-vjeçarit italian. Avantazhi i Bakës është që ka eksperiencën e duhur për të luajtur ndeshje të mëdha dhe sfida delikate siç është derbi.
Për këtë fakt e kemi më të thjeshtë të hipotetizojmë se do të jetë 29-vjeçari ai që do të niset titullar kundër Interit, për të vijuar duelin në distancë në klasifikimin e golashënuesve me Mauro Ikardin. Argjentinasi numëron 10 gola në Serinë A dhe është në krye të renditjes së bashku me bomberin e Romës, Edin Xheko. Kapiteni vjen në përballjen kundër Milanit pas dy golave të realizuar në ndeshjen e fundit ndaj Krotones.