Fundjava ka rezervuar atë që përkufizohet si ‘Derbi i Italisë’, ndeshjen mes Juventusit dhe Interit. Përballë janë dy prej skuadrave që janë në garë për titullin kampion të Serisë A, ndërkohë që një sfidë më vete është edhe ajo e dy sulmuesve argjentinas, Mauro Icardi dhe Gonzalo Higuain.
Kapiteni i Interit po ecën me ritme rekord dhe një mesatare golash fantastike; 16 gola në 15 ndeshje është një shifër më e lartë se ajo e regjistruar nga Higuain në vitin e tij të fundit te Napoli, kur vendosi edhe rekordin me 36 gola të shënuar. Kështu që për Icardin është logjike të mendohet se synim nuk është vetëm titulli me Interin, por edhe thyerja e rekordit të bashkëkombasit të tij, që këtë vit me Juventusin po ecën me ritme më të ngadalta.
Por sfida e ‘Allianz Stadium’ në Torino mes Icardit dhe Higuain është edhe ajo e Botërorit 2018. Të dy këta sulmues kërkojnë të jenë në Rusi dhe Icardi për momentin ka një avantazh kundrejt Higuain, duke e fituar besimin e Sampaolit. Megjithatë trajneri i nënkampionëve të botës ende nuk e ka marrë një vendim përfundimtar, pasi 6 muaj është një kohë e gjatë si për trajnerin ashtu edhe për futbollistët.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri, thotë se Miralem Pjanic dhe Gianluigi Buffon janë në dyshim për sfidën me Olympiakos, por “Gonzalo Higuain do të luajë”. “Higuain do të luajë nesër, sepse është mirë fizikisht dhe mendërisht”, tha Alegri.
“Mario Mandzukiç është gati për nesër, kam dy probleme që më duhet t’i zgjidh. Njëra është Buffoni dhe tjetri Pjanici, nëse ata luajnë, mirë, nëse jo, dy të tjerë do të luajnë”, shtoi ai. “Pjanic ka lodhje muskulore, ndërsa Buffon ka probleme me pulpën e këmbës kështu që nesër do të shohim se si do të jenë, pasi nuk duam të rrezikojmë të luajmë me ta e më pas t’i kemi jashtë për një kohë”, theksoi mes tjerash Alegri.
Ndërkohë, agjenti i mbrojtësit të Atalantës, Leonardo Spinazzolës, ka thënë se e ardhmja e klientit të tij është e shkruar dhe se ai do të kthehet te Juventusi. Mbrojtësi italian u huazua në Atalanta për dy sezone, por Juventusi tentoi ta kthente në skuadër verën e kaluar.
Megjithatë, drejtuesit e Atalantës nuk pranuan pas largimit të Andrea Contit dhe Franck Kessies në drejtim të Milanit, prandaj lojtari do të largohet vetëm verën e ardhshme. “E ardhmja e tij tashmë dihet, është e shkruar”, ka thënë Davide Lippi për “Sky”.