Sot në orën 13:30, Zhoze Murinjo dhe Pep Guardiola do të gjejnë sërish përballë njëri-tjetrin në derbin e Mançesterit. Rivaliteti mes dy prej trajnerëve më të mirë në botë është në pikën kulmore, me të dy ekipet që bashkëudhëheqin Premier Ligën me pikë të plota pas tri javëve të para së bashku me Çelsin. Më pak se 24 orë nga ballafaqimi që do të zhvillohet në “Old Traford”, Murinjo nuk ka lënë t’i shpëtojë rasti për të shigjetuar Sitin. “Ata kanë harxhuar një thes me para për të rikthyer me fluturime direkte apo me avionët e pronarit lojtarët që kanë luajtur me kombëtaret e tyre anekënd botës. Kurse futbollistët tanë, kush nga Venezuela e kush nga Argjentina, erdhën sot në mëngjes në kohë për t’u stërvitur”, u shpreh portugezi në konferencën e zakonshme për media.
“Special One” është i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka përballja mes rivalëve të qytetit: “Derbi është përherë një ndeshje e veçantë, e di ç’domethënie ka për njerëzit. Por unë dua të jem gjithnjë i ekuilibruar emocionalisht, sepse për mua është thjesht një ndeshje ndaj një kundërshtari të shkëlqyer. Ne synojmë të fitojmë kampionatin, ndaj nuk ka ndeshje më shumë apo më pak të rëndësishme”.
Guardiola nesër duhet të bëjë pa të pezulluarin Serxho Aguero, por për Murinjon ky nuk është ndonjë lajm fort i mirë. “Mungesa e Agueros na i ndërlikon gjërat, theksoi 53-vjeçari nga Setubali. Nëse ai është i disponueshëm, e dimë që luan përherë. I dimë dinamikat e tyre dhe askush nuk ka dyshime. Por kur nuk luan, ata kanë plot mundësi dhe mund të lëvizin në shumë mënyra. Guardiola mund të zgjedhë Iheanaçon ose Sterlingun, apo të luajë me Silvën si 9-sh i rremë mes linjave. Pra kanë shumë zgjidhje”.
Në krahun tjetër, Guardiola përpiqet ta zbusë rivalitetin, duke u shprehur me fjalë të bukura për Murinjon: “Kam shumë respekt për Zhozenë. Përpiqem të mësoj gjithnjë nga kolegët dhe prej tij kam mësuar shumë. Rivaliteti mes nesh është më shumë në sytë e medias. Murinjon e kam pasur trajner, kur ishte ndihmës i Bobi Robsonit te Barcelona. Ndeshja e fundit mes Realit dhe Barçës nuk ishte e lehtë, por u ritakuam para dy-tri javësh në mbledhjen e trajnerëve të Premier Ligës dhe folëm, ndaj është çdo gjë në rregull”.
Nesër 45-vjeçari do të ketë përballë edhe Zllatan Ibrahimoviçin, me të cilin gjithashtu ka pasur fërkim gjatë dhe pas aventurës së sulmuesit suedez te Barcelona. “Kam respekt të madh për atë çka ka arritur në karrierën e tij. Është e jashtëzakonshme ajo çka ai ka bërë kudo ku ka shkuar. Ibra është një ndër më të mëdhenjtë e futbollit. Disa lojtarë mund të kenë nevojë për kohë që të ambientohen me një kampionat të ri, por jo futbollistët e mëdhenj”, tha trajneri i Sitit.
“Daily Mail” ka analizuar formacionet që do të zbresin në fushën e lojës dy trajnerët Murinjo dhe Guardiola dhe rezulton që skuadrat kanë shpenzuar të dyja në total 718 milionë euro. Duelin e parë e fiton Junajtid, që për të formuar këtë formacion është detyruar të shpenzojë afro 382 milionë euro gjatë këtyre viteve.
Futbollistët e blerë nëpër vite tani mund të kenë vlerë më të lartë, por portali i njohur anglez ka marrë në shqyrtim vetëm vlerën që është paguar në merkato. Derbi i Mançesterit është shndërruar në këtë mënyrë në sfidën më të shtrenjtë të historisë së futbollit. Ajo që e bën më të bukur dhe interesante ndeshjen nuk është vetëm rivaliteti mes dy trajnerëve, mes dy skuadrave dhe merkato e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë këtyre viteve, por edhe fakti që në 3 javë e shohin veten në krye të tabelës me nga nëntë pikë.