Derbi i Romës!

Dilema më e madhe e tifozëve në derbin roman të futbollit italian ka qenë çdo herë se, cila prej ngjyrave do të triumfonte në stadiumin “Olimpico”. Por këtë herë duket se kjo dilemë është zëvendësuar me atë se, cilës do t’i takojë fitorja: sigurisë publike apo programimit televiziv. Kur duhet edhe një muaj nga ndeshja e parë e gjysmëfinales së Kupës së Italisë, përplasja e skuadrave të të njëjtit qytet nis të gjenerojë konflikte.
Për shkak të historisë aspak pozitive dhe sjelljes së dhunshme të dy tifozerive në vitin 2013, Prefekti i Romës imponoi zhvillimin e ndeshjeve pasdite dhe jo në orë të vona. Në po atë vit, pati trazira të rënda, që sollën edhe 14 të plagosur, e kjo i bindi më shumë autoritetet për të mos lënë një derbi të tillë në darkë, edhe pse nga kjo sakrifikoheshin miliona për të drejtat televizive.
Gjashtë nga 8 sfidat pasardhëse derbi në Romë u zhvilluan në orën 15:00, me vetëm dy përjashtime, edhe pse jo në orë të vona, finalen e Kupës së Italisë dhe kthimin para dy sezonesh. Më 1 mars të këtij viti, dikush duhet të përkulet, pasi mundësitë janë të pakta.
Ose derbi do të luhet në një të mërkurë me pak tifozë, në orar dreke, gjë që nuk josh askënd, ose do të provohet t’i jepet besim dy tifozerive me garën e mbrëmjes, që mund të sjellë ndoshta edhe tragjedi. Sido që të shkojë, polemikat në pritje të rezultatit janë të garantuara.
Françesko Toti rikthehet të luajë titullar dhe menjëherë tregon se vazhdon të jetë i vlefshëm për Romën. Spaleti i besoi majën e sulmit, kapitenit legjendar, në përballjen ndaj surprizës së Kupës së Italisë, Çezenës dhe ai e shpërbleu, duke shënuar golin e kualifikimit në fitoren 2-1.
Toti shndërroi në gol, një penallti të fituar në minutën e 95’ të takimit, duke e bërë edhe më emocionues këtë kualifikim të Romës, e cila vuajti vërtetë shumë ndaj Çezenës modeste. Tashmë Roma do të vazhdojë rrugëtimin e Kupës me përballjen derbi, në gjysmëfinale me Lacion, e cila eliminoi Interin, duke fituar 1-2. Ndeshjet midis Romës dhe Lacios do të zhvillohen më datat 1 mars dhe 5 prill.

Exit mobile version