Manchester United fitoi derbin e parë të sezonit me Manchester City dhe pse në një miqësore, me blerjen e Romelo Lukaku që ishte protagonist kryesor teksa shënoi dhe 1 nga dy golat e Djajve të Kuq. Për skuadrën e Murinjos ky ishte suksesi i 3-të në po kaq ndeshje të luajtura në International Champions Cup. Gjithçka u zgjidh që në pjesën e parë nga ana e United me Lukakun që në minutën e 37-të i dha epërsinë të tijve pas një aksioni personal ku dribloi dhe portierin Ederson duke dërguar topin në rrjetë.
2 minuta më pas Djajtë e Kuq dyfishuan shifrat me Markus Rashord që mposhti për herë të dytë portierin brazilian të City-t. Nëse në pjesën e parë Djajtë e Kuq ishin dominues në lojë, në fraksionin e dytë City krijoi shumë më tepër raste, por pa arritur dot të shkurtojë diferencën. Kjo ishte ndeshja e parë për ekipin e Guardiolës në këtë turne, ndërsa Djajtë e Kuq deri tani kanë treguar se janë ekipi më në formë për më tepër dhe blerjet e reja, që duket se kanë qenë të goditura nga ana e trajnerit Murinjo.