Fundjava eklipsohet nga supersfida e Seria A, Juventus-Inter, me zikaltrit në krye të renditjes dhe bardhezinjtë në ndjekje. Massimiliano Allegri, në një konferencë shtypi, tha se, fitorja në Napoli ishte një hap përpara, por nesër është një ndeshje e rëndësishme, është Juve-Inter. “Ne do të ballafaqohemi me të parët e kampionatit. Kemi siguruar kalimin e raundit në Ligën e Kampionëve dhe tani duhet të përmirësojmë gjendjen fizike të disa lojtarëve, e cila nuk është optimale. E gjithë skuadra duhet të arrijë në një gjendje të mirë. Unë jam i sigurt jo aq shumë për nesër, por për pjesën tjetër të sezonit. Nëse është një sfidë titulli? Nëse kjo thuhet për shkak se luajnë dy ekipe, që do ta sfidojnë deri në fund ‘scudetton’, po. Por, nuk vendoset titulli në këtë përplasje. Dybala, po apo jo? Duhet ta vlerësoj situatën, dikush ka luajtur shumë dhe nesër do të pushojë, por do të jetë në dispozicion. Sigurisht, kemi nevojë për energji të freskëta. Dyshimi i vetëm është se Buffon vështirë se do të jetë në lojë. Ne do ta vlerësojmë atë sot, por është e vështirë”, u shpreh Alegri.
Unë duhet të vendos nëse do të luaj me 2, 3, ose 4 lojtarë përpara. Kam pak konfuzion në kokën time. Ndoshta ky diell do t’i sqarojë pak dilemat e mia. Unë mendoj se Chiellini do të kthehet, ne kemi humbur për momentin Buffon, Lichtsteiner, Mandzukiç. Dikush nuk është në gjendje optimale, thjesht sepse ka humbur disa trajnime. Ashtu si Pjaniç, i cili ka për të gjetur gjendjen optimale, ashtu si Dybala. Nisur nga situata e krijuar në klasifikim, këtë edicion do të jenë përplasjet e drejtpërdrejta, ato që do të bëjnë dallimin. Ndeshja e së nesërmes duhet të jetë një stimul i madh, ne luajmë kundër të parit në renditje. Interi i ka numrat e çmendur, si mbrojtjen më të mirë etj. Ka një frymë të rëndësishme. Spalletti është duke bërë një punë të mrekullueshme. Dhe pastaj është derbi italian, do të jetë një sfidë e bukur për t’u luajtur.
Ne do të duhet të jemi më të mirët dhe me fat për ta sjellë në shtëpi rezultatin pozitiv. Sigurisht që do të na duhet një performancë e mirë. Sezoni përbëhet nga momente për secilin lojtar. Dybala ishte i rëndësishëm në fillim, ka cilësi të jashtëzakonshme, është një nga lojtarët më teknikë që kemi. Nuk më shqetëson kjo periudhë më pak e bukur e tij, vetëm llogaritet të punojë dhe të gjejë gjendjen optimale. Përmirësimi i Interit ka qenë i varur nga mungesa e angazhimeve europiane? Epo, mendoj se është e rëndësishme të punosh gjatë javës, por një ekip i madh përdoret për të luajtur çdo tri ditë”, tha Allegri.
Gjatë kësaj përplasjeje të ethshme për kreun e Seria A, Allegri duket se ka për qëllim të “ringjallë” 5 yjet, që në kampionat nuk e njohin humbjen nga 19 nëntori i kaluar në Genoa, por kur Dybala u largua nga pankina. Moduli, që në realitet tashmë është përdorur të martën në Athinë, përfshin në 11-she edhe Mario Mandzukiç në vend të Douglas Costa. Në portë, pothuajse me siguri, rikthehet Buffon, i cili në Athinë u zëvendësua nga Szczesny.
Në mbrojtje, së bashku me Benatia, do të kthehet Chiellini. Në mesfushë, së bashku me Khedira, do të kthehet Pjaniç. Dyshimi ka mbetur mes Asamoah dhe Alex Sandro, me të parin të preferuarin e Allegrit. Praktikisht, të sigurtë për një fanellë titullari në fazën ofensive janë Cuadrado, Dybala dhe Higuain. Gjithmonë kjo, nëse në fund, Allegri nuk vendos të fusë një mesfushor shtesë dhe të shkojë në një modul 4-3-2-1. Në atë rast, kandidati për të bërë vend për Matuidin do të ishte vetëm Cuadrado, me Dybala dhe Mandzukiç pas Higuain.