Kastriot Dermaku dy golësh në miqësoren mes Empolit dhe Lampos. Mbrojtësi kuqezi i është bashkuar fazës përgatitore që po zhvillon skuadra e Empolit. Kartoni i 25-vjeçarit është në pronësi të të kaltërve, por për momentin ai aktivizohet tek Lucchese, skuadër e cila militon në Lega Pro, ku në 23 paraqitje ka arritur të realizojë një gol. Në takimin miqësor të zhvilluar mes Empolit dhe Lampos, e fituar me rezultatin e thellë 17-0 nga ana e vendasve, ku protagonist ishte dhe Dermaku me një dygolësh.
Pas përfundimit të sfidës, në një intervistë të dhënë ai u shpreh se është i kënaqur që i është bashkuar Empolit në këtë fazë pëgatitore, duke shtuar se tashmë janë drejtuesit e skuadrës ata që vendosin për të ardhmen e tij, nëse do të rikthehet në gjirin e skuadrës për sezonin e ri futbollistik apo do të qëndrojë sërish i huazuar tek Lucchese. “Është gjithmonë bukur të shënosh gol. Arrita t’i shfrytëzoja shumë mirë dy mundësi që m’u krijuan. Shpresoj që në këtë sezon të jem pjesë e Empolit, por ky është një vendim që i takon trajnerit dhe drejtuesve të skuadrës. Roli si qendërmbrojtës besoj është pozicioni që më përshtatet më mirë dhe personalisht ndihem komod në këtë rol”, u shpreh ai.