Deschamp i trishtuar: Humbje që dhemb

Franca ishte përgatitur për të festuar titullin e 3-të europian, por në fund titullin në “Stade de France” e ngriti Portugalia. Didier Deschamp, që 18 vjet më parë kishte mbajtur mbi duar Kupën e Botës në këtë impiant, nuk arriti të fitojë këtë herë Europianin si trajner përpara publikut të tij. Trishtimi i numrit 1 të stolit francez ishte i dukshëm në momentin që ai u shfaq përpara gazetarëve në sallën e konferencave:
“Jemi shumë të zhgënjyer. Është e vështirë të humbasësh një finale në një mënyrë të tillë megjithatë ne duhet ta pranojmë rezultatin. Urime Portugalisë! Ne patëm mundësitë tona, madje goditëm dhe shtyllën në minutën e fundit të kohës së rregullt, por nuk ishim konkretë sa duhet përpara portës. Gjithsesi nuk mund t’i kritikoj lojtarët, pasi ata dhanë gjithçka në fushë. Sigurisht është një një trishtim i madh, por na duhet ta kapërdimë, të gjithë së bashku”, u shpreh Deschamp.
Deschamp mohoi gjithashtu dhe faktin se skuadra e tij ndjeu presionin e finales së luajtur në shtëpi. “Nuk mendoj se kishim më shumë presion seç duhet, pasi publiku na përkrahu nga fillimi në fund. Portugalia është një skuadër, që di si të frenojë kundërshtarët, luan shumë mirë në mbrojtje dhe zbret shpejt përpara. Pa Ronaldon, ata u mbyllën dhe më shumë. Ne u përpoqëm të krijonim mundësi, ndoshta lejuam ndonjë hapësirë të tepërt pas, por në total mendoj se luajtëm mirë. Për fat të keq nuk ishte mbrëmja jonë”, përfundoi trajneri i Francës.
Zhgënjimi i francezëve për humbjen e finales së Evropianit që e filluan si pretendentët kryesorë shfaqet kudo, edhe në mediat vendase. “Pikëllim”. Ky është titulli i të përditshmes më të madhe sportive “L’Equipe”, që në foton e saj kryesore ka yllin francez Pogba me kokën e mbuluar me fanellë, i cili, ashtu si gjatë gjithë Evropianit, edhe në ndeshjen finale thuajse ishte inekzistent. “Ka qenë një goditje në zemër”, shkruan kjo gazetë për fitoren e portugezëve dhe më pas është marrë me të gjithë lojtarët, duke i vlerësuar të gjithë me nota negative. Ndërkohë, në të përditshmen “Le Parisien” është në faqen e parë Portugalia me kupën në duar dhe me titullin e madh: “Nuk ishte dita jonë”.
Në të njëjtën linjë gjenden titujt kudo në gazetat franceze. “Le Figaro” mban titullin kryesor “Ëndrra u shpartallua”. Në Europë, mediat sportive janë më pak të ndikuara emocionalisht. “La Gazzetta dello Sport”, më e madhja italiane, mban titullin “Portobello”, duke iu referuar fitores së Portugalisë me Cristiano Ronaldon në faqen e parë dhe trofeun.
Me Ronaldon në faqen e parë është hapur edhe e përditshmja gjermane “Bild”, me titullin “PokalNaldo”, duke iu referuar kupës dhe në të njëjtën linjë është edhe më e madhja spanjolle “Marca”, që titullin kryesor ia kushton yllit portugez të Realit të Madridit: “Në emër të Kristian-it”.

Artikulli paraprakKrenar për Portugalinë
Artikulli tjetërShifra të veçanta të një Europiani