Sfida mes Francës dhe Argjentinës do të jetë përballja më tërheqëse dhe e komplikuar në fazën e të tetave të finales së Kupës së Botës “Rusi 2018”. Por, pavarësisht vështirësive të hasura nga bardhekaltërit në fazën e grupeve, trajneri i ekipit transalpine nuk i zë besë, mbi të gjithë, Leo Messi-t. “AI bën diferencën dhe ka një impakt të madh, mjafton të mendosh se sa shumë gola ka shënuar dhe për faktin, se në një moment mund të vendosë fatin e një ndeshje”, deklaroi trajneri i Francës, Didier Deschamps.
“Messi është unik, nuk mund të krahasohet me të tjerë. Messi është Messi. Shikoni numrat dhe statistikat e tij. Shpresojmë të arrijmë ta neutralizojmë, por e dimë se aim und të bëjë diferencën edhe në hapësira të ngushta. Ekipi i Argjentinës nuk është ndërtuar përreth Messit. Por, ai gjithsesi ka një impakt të madh. Argjentina ka edhe eksperiencë e stil amerikano-jugor, dua të them se janë luftëtarë. Do të përpiqemi t’i vështirësojmë jetën Messi-t”, deklaroi Deschamps.
Sampaoli premton ndryshime për Francën
Pas kualifikimit mes drithërimave në fazën tjetër të Botërorit “Rusi 2018” optimizmi është rritur ndjeshëm te kombëtarja e Argjentinës, që nesër do të luajë ndaj Francës. Një përballje mes dy ekipesh të forta e pretendente për fitimin e Kupës së Botës, por kjo nuk e tremb skuadrën amerikano-latine, që sheh se gjërat kanë ndryshuar. Në prag të ndeshjes ndaj “gjelave” ka folur sot për mediat trajneri Jorge Sampaoli, që ka thënë se është optimist për të ardhmen, pasi ka në dorë një ekip më të fortë dhe që beson se mund t’ia dalë mbanë.
“Kualifikimi ishte i vështirë, por edhe na ka mbushur me më shumë besim. Nuk ishte e lehtë të kalonim atë moment të vështirë, por ia dolëm mbanë edhe pse mes shumë polemikash. Ajo që i kërkoj skuadrës është se duhet të ketë më shumë besim tek aftësitë e saj. Jemi një ekip që është karikuar shumë nga ana psikologjike, por pas kualifikimit jemi më të çliruar dhe kjo do të na ndihmojë për t’ia dalë mbanë edhe ndaj Francës. Në fushë do të shini një skuadër ndryshe, që ka shumë besim dhe të motivuar për të fituar”, u shpreh Trajneri Sampaoli.