Deshamp: “Pogba nuk ka për ta fituar kurrë “Topin e Artë”

Pol Pogba e ka deklaruar vazhdimisht se ëndrra e tij është që një ditë ta fitojë “Topin e Artë”. Megjithatë, për trajnerin e tij te kombëtarja e Francës, Didier Deshamp, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë.
“Pol është mesfushor, ndërsa ‘Topi i Artë’ u jepet sulmuesve ose numrave 10, me përjashtime të rralla. Këta janë lojtarë që shënojnë një mal me gola, kurse Pogba e bën ndonjë, por jo dy-tre për ndeshje. Nuk është kjo detyra e tij”, u shpreh tekniku Deshamp për “RMC”.
Në fakt, ky mendim është i njëjtë me atë të shprehur disa muaj më parë nga trajneri tjetër i mesfushorit, Zhoze Murinjo: “Kur flitet për lojtarët më të mirë në botë, mendja shkon menjëherë tek ata që shënojnë shumë. Në 2006-ën, Kanavaro triumfoi vetëm se ishte kapiten i Italisë kampione bote dhe se nuk kishte fenomenë si sot. Maldini nuk e ka fituar, as Zaneti”.
“Pogba, theksonte Murinjo, nuk mund të shënojë kurrë aq sa Ronaldo e Mesi. Nuk mund të arrijë dot as çerekun. Po flasim për një ndër mesfushorët më të mirë në botë, por në një sezon të vetëm, vështirë të arrijë kuotën e 20 golave”.

Exit mobile version