Deshamps: Jemi gati!

16 vjet më parë në Rotterdam, Didier Deschamps udhëhoqi Francën si kapiten drejt fitimit të kampionatit europian që ishte i dyti në histori për gjelat. Në 10 korrik të 2016-ës, tashmë si trajner Deschamps do të kërkojë të përsërisë atë sukses të 16 viteve më parë që këtë herë ndoshta do të kishte akoma edhe më shumë vlerë, pasi kompeticioni zhvillohet në Francë, dhe finalja luhet në stadiumin legjendar “St Denis”. Përballë bluve do të jetë Portugalia e Fernando Santos. Franca i ka fituar të 6-ta ndeshjet e fundit direkte mes tyre përfshirë edhe atë të Euro 2000, me gjelat që triumfuan në kohën shtesë ndaj luzitanëve. Por edhe pse statistikat favorizojnë dukshëm vendin organizator të evenimentit, Deschamps i trembet jo pak Portugalisë dhe pret një ndeshje shumë të ndërlikuar.
“Është gjithmonë e vështirë të fitosh tituj ose më saktë të fitosh trofe. Të arrish te suksesi me skuadrën kombëtare është një mision shumë më tepër i ndërlikuar se të fitosh me klubet, sepse me ekipet përfaqësusese trofetë për t’u fituar janë vetëm 2 dhe për ta realizuar diçka të tillë duhet të luash ndaj skuadrave më të mëdha të Botës. Ne jemi gati për finalen ndaj Portugalisë dhe duam të fitojmë. Futbollistët e mi ndihen të privilegjuar që mbrëmjen e të dielës do të zbresin përpara publikut të tyre në Paris me synimin për të fituar trofeun e kampionit të Europës”, u shpreh Deschamps.
Antoine Griezmann dhe Cristiano Ronaldo, janë këtë dy futbollistët ku do të ndalen sytë e shumë tifozëve këtë të dielë në “Stade de France”. Deschamps në vijim të konferencës për shtyp foli edhe për këta dy lojtarë, të cilët janë dy prej kandidatëve kryesorë për të fituar Topin e Artë.
“Unë pres shumë nga Griezmann, ai është një lojtar fantastik kështu që edhe në sfidën ndaj Portugalisë do të luajë në pozicionin e tij të preferuar në sulm. Ai është i aftë të bëjë çdo rol, por fakti që po luan aty ku dëshiron e bën më efikas përpara portës. Ronaldo? Ne kemi një plan për ta bllokuar atë. Ai është një nga futbollistët më të mirë në Botë dhe duhet të tregohemi të vëmendshëm me Cristianon, pasi mund të na hapë shumë probleme”, tha trajneri i Francës.
Së bashku me trajnerin Deschamps në konferencën për shtyp përpara finales ishin të pranishëm edhe kapiteni i Francës, Hugo Lloris dhe mbrojtësi Bacary Sagna. Portieri i gjelave u shfaq shumë i lutmur që do të luajë në një finale europiani me kombëtaren e tij përpara publikut francez. “Do të bëjmë gjithçka për të fituar”, deklaroi Lloris. Ndërkohë, Bacary Sagna theksoi se ai dhe shokët e tij në prapavijë duhet të tregohen shumë të kujdesshëm me Cristiano Ronaldon, pasi ai është futbollisti kryesor i Portugalisë.

Artikulli paraprakBerisha rikthehet në stërvitje tek Lacio
Artikulli tjetërGriezman heroi kombëtar, jo vetëm për golat