Dëshmia e bujshme e ish-oficerit të grupit shoqërimit: Më 17 dhjetor 1981, pasi Mehmet Shehu shkoi në mbledhjen e Byrosë, unë me teknikun kontrolluam telefonat e vilës së tij me urdhër të…

Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

 

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE JONUZ RUSHIT LUTO, OFICER I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË ISH – KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA

                                                       P R O Ç E S – V E R B A L

                                                  (I PYETJES SË DËSHMITARIT)

Sot më datën 15.5.1983, në qytetin Tiranë.

Ne, Sokol Koleka dhe Bashkim Caka, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, morëm në pyetje si dëshmitar, Jonuz Rrushit Luto, i datëlindjes 1935, me arsim të mesëm, (shofer-oficer), me banim në Repartin 313 Tiranë, i dënuar, i përjashtuar nga Partia. I dënuar për vjedhje dhe kontrabandë………………!

Hetuesi më paralajmëroi lidhur me përgjegjësinë penale të bazë të nenit 202 të Kodit Penal, për dëshmi të rreme.

                                   Dëshmitari                                                                                                             

                                   Jonuz Luto

Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë:

Në vitin 1972, kam filluar punë si oficer i shoqërimit të Mehmet Shehut. Në këtë grup ka filluar punë në vitin 1973, edhe Ali Çeno. Para se Ali Çeno të vinte në grupin e shoqërimit të Mehmet Shehut dhe Llambi Peçini që ishte në këtë kohë drejtor i Drejtorisë së Dytë, na ka bërë komunikimin për ardhjen e Ali Çenos.

Llambi Peçini na tha se; “udhëheqja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka menduar që të vijë në grupin e shoqërimit Ali Çeno, i cili ka qenë përgjegjës i parashtrimit në Batalionin e Sigurimit, është kandidat partie, është shumë i përgatitur nga ana fiziko-ushtarake. Ai do të jetë oficer i parë dhe përgjegjës grupi. I është marrë mendimi Mehmet Shehut dhe ai është dakord”…………………………………………..!

Në këtë mbledhje unë jam ngritur dhe kam diskutuar duke shfaqur mendimin që nuk isha dakord që Ali Çeno të vendosej përgjegjës grupi, mbasi ishte kandidat partie. Unë propozova që Ali Çeno të qëndronte në grupin e shoqërimit, por je me funksion, por thjesht si oficer. Por këtë nuk e muarrën parasysh dhe Ali Çeno deri ditën e vetëvrasjes së tradhtarit Mehmet Shehu, ka qenë përgjegjës i grupit të shoqërimit……………………….!

Ali Çeno me tradhtarin Petrit Dume, ka pasur lidhje familjare, nga gruaja e tij, jeta. Që kur ka ardhur në grupin e shoqërimit dhe deri në kohën e goditjes nga partia të Petrit Dumes, Ali Çeno në biseda të ndryshme dhe në mënyrë të vazhdueshme, na përmendte Petrit Dumen. Rast e pa rast na mburrej, duke na thënë se;” mbrëmë isha te Dumja, këtë apo atë e bisedova me Dumen”, etj.

Gjithashtu Aliu na përmendte shpesh edhe Hito Çakon, duke na thënë se; Hito Çako shkonte shpesh te shtëpia e tezes së tij që e ka në pallatin tim dhe rrimë e bëjmë muhabet, duke pirë ndonjë gotë raki së bashku. Mbas goditjes që i bëri Partia Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, Aliu hiqej sikur nuk i kishte njohur ata fare………………………………..!

Tradhtari Mehmet Shehu, e ka afruar shumë Ali Çenon dhe për çdo problem, ai komunikonte me Ali Çenon. Së bashku bisedonin për çdo gjë, për zmadhimin e grupit të oficerëve, makinave, trajtimit të fëmijëve të tij, shkuarjes jashtë shtetit, marrjes dhe çuarjes së pakove, etj. Edhe ne, për çdo gjë që kishim, duhet t’ja thonim Ali Çenos…………………………..!

Ali Çeno ka dalë disa herë jashtë shtetit, gjatë kohës që ka qenë përgjegjës i grupit të shoqërimit. Më kujtohet se para nisjes për në Francë më 1980, Mehmet Shehu ka thirrur në zyrë Ali Çenon dhe kanë biseduar së bashku për një kohë të gjatë, mbi një orë, se çfarë kanë biseduar dhe çfarë porosish i ka dhënë Mehmet Shehu, Ali Çenos, unë nuk e di. Edhe vetë Ali Çeno më ka thënë se; “më thirri Mehmet shehu dhe më dha porosi”, por Ali Çeno nuk më ka thënë mua se çfarë porosish i ka dhënë atij Mehmet Shehu………………………………………….!

Kurse para se të shkonte në Suedi më 1981, Ali Çenon e ka thirrur Mehmet Shehu dhe bisedonin së bashku në lulishte, duke bërë xhiro brenda shtëpisë së tij. Pothuaj nga të gjithë ne oficerët e grupit të shoqërimit, disa ditë më parë, u muarr vesh se Ali Çeno do të shkonte në Suedi me Skënder Shehun dhe Gani Kodrën. Ali Çeno do të shkonte në Suedi, me pretekstin për të qetësuar Skënder Shehun, pas prishjes së fejesës me Silva Turdiun dhe do të qëndronte atje, deri në prag të vitit të ri.

Por siç kam marrë vesh nga oficerët e grupit të shoqërimit (nuk më kujtohet se nga kush), Mehmet Shehu ka biseduar dy tre herë me Ali Çenon, dhe i ka thënë që të kthehej. Më duket se Ali Çeno ka biseduar në telefon nga muaji tetor i vitit 1981, edhe me oficerët e grupit të shoqërimit, të cilëve u ka thënë se së shpejti do të kthehej në Shqipëri…………………………!

Unë nuk e di se për çfarë qëllimi e ka dërguar Mehmet Shehu Ali Çenon në Suedi, po kështu nuk e di se çfarë porosish i ka dhënë atij. Siç e shpjegova dhe më sipër, është thënë se Ali Çeno do të shkonte në Suedi, për të shoqëruar Skënder Shehun, sepse është mërzitur nga prishja e fejesës……………………..!

Kur është kthyer nga Suedia, unë kam biseduar me Ali Çenon dhe më tha se kishte kaluar mirë në Suedi, Skënder Shehu nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim dhe kishte vazhduar normalisht shkollën. Unë së bashku me Peço Kalluçin, sekretar i Mehmet Shehut dhe Farije Koçiaj, kemi bërë transportimin e dokumenteve të kasafortës së Mehmet Shehut, nga shtëpia e vjetër, te shtëpia Nr. 6. Vetë Mehmet Shehu ka bërë nxjerrjen e dokumenteve nga kasaforta dhe këto në prani të tij, i ka futur brenda Peço Kalluçi nëpër kuti. Dokumentet e futura në kuti, i kemi transportuar për tek shtëpia Nr. 6, të cilat vetë Mehmet Shehu i ka futur në kasafortë.

Sqaroj se, Mehmet Shehu mbante vazhdimisht me vete një si kasafortë të vogël ngjyrë gri, prej llamarine të emaluar, me përmasa 50 x 35 me 15 cm., të cilën e merrte kur shkonte me shërbim jashtë Tiranës dhe se lëshonte nga dora. Ditën që është bërë transportimi i dokumenteve të kasafortës Mehmet Shehut, e ka marrë vetë këtë si kasafortë për dokumente nga shtëpia e vjetër për tek shtëpia Nr. 6, ku pasi ka kyçur aty materialet që ka nxjerrë nga ajo kasafortë, ka shkuar dhe njëherë tjetër dhe ka bërë këtë veprim, duke i marrë përsëri dokumentet, që ka i sjellë në kasafortën që kishte në shtëpinë Nr.6.

Kasaforta tek shtëpia Nr 6, që ishte si dollap, kishte dy pjesë të ndara, në njërën futi dokumentet Mehmet Shehu dhe çelësin e mori vetë, kurse çelësin e pjesës tjetër ja dha Peço Kalluçit, për të sistemuar dokumentet e tjera……………………..!

Edhe kur është bërë transportimi i dokumenteve, nga shtëpia Nr. 6, për tek shtëpia e re, Mehmet Shehu vetë ka bërë nxjerrjen e dokumenteve nga kasaforta dhe bashkë me Peçin, i ka sistemuar ato nëpër kuti, që janë transportuar nga Peço Kalluçi, Ali Çeno, unë dhe dy oficerë të grupit të shoqërimit………………..!

Di që Ali Çenon, Mehmet Shehu e thërriste shpesh që të digjte shkresa të rëndësishme, që atij s’i duheshin……………..!

Në datën 17 dhjetor 1981, kam shkuar në punë në orën 6.45’. Mbasi Mehmet Shehu ka shkuar në mbledhjen e Byrosë Politike, unë së bashku me teknikun e telefonave, kemi bërë kontroll të telefonave që kishte Mehmet Shehu në shtëpi. Kishte një vit, që me porosi të Feçor Shehut, ditë për ditë bëhej kontrolli i telefonave të shtëpisë së Mehmet Shehut dhe për këtë mbahej dhe proces-verbal. Mehmet Shehu ka shkuar në mbledhje edhe mbas dite dhe është kthyer rreth orës 20.00.

Mbasi Mehmet Shehu ka hyrë në shtëpi, Ali Çeno që e shoqëronte atë, ka ardhur tek dhoma e shërbimit të oficerëve, ku me sa më kujtohet, ka qenë Dashamir Rabaj, Vasil Lika, Orjon Trebicka, Bektash Hanxhari dhe shoferi Astrit Hitaj. Këtu Ali Çeno ka thënë që; kush është sot me shërbim, i thamë se është Dashamir Rabaj dhe Astrit Hitaj. Ali Çeno tha se; sonte do të rri dhe unë me shërbim, kurse ju të tjerët, ikni dhe hajdeni nesër, si zakonisht në punë. Unë, tha Aliu, do të shkoj të ha bukë dhe do të vij përsëri. Nëse Aliu ka shkuar për të ngrënë bukë në shtëpi, me cilin ka shkuar dhe me cilin është kthyer, unë nuk e di, por të nesërmen më datë 18 dhjetor 1981, kam marrë vesh se Ali Çeno ka fjetur aty……………………………….!

Më datën 18 dhjetor 1981, kam shkuar në punë në orën 6.45’ dhe pothuaj të gjithë pjesëtarët e grupit të shoqërimit, kemi qenë në dhomën e grupit të shoqërimit të oficerëve dhe po prisnim që Mehmet Shehu të dilte për të shkuar në punë. Rreth orës 7.45’, ka folur me steriofoni Vladimir Shehu, duke thënë që të vij urgjent Ali Çeno në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut dhe pak më vonë ka kërkuar mjekët. Pas mjekëve, kam shkuar dhe unë në shtëpinë e Mehmet Shehut. Fillimisht më është bërë me shenjë nga Ali Çeno, që Mehmet Shehu ka vrarë veten dhe mbasi jam futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, e kam parë atë të shtrirë të vdekur.

Ishte me fytyrë nga tavani, me batanije të hedhur deri në mesin e gjoksit, me duar të nxjerra jashtë mbi batanije. Para meje kanë shkuar edhe mjekët, kurse unë kam qëndruar tek dera e dhomës së gjumit të Mehmet Shehut dhe nuk jam afruar. Nga ana e Ali Çenos, në studion e Mehmet Shehut, është marrë në telefon Feçor Shehu dhe Sulo Gradeci, kur është futur Ali Çeno në këtë dhomë, ka shkuar dhe Vladimiri dhe unë. Dera e dhomës së kasafortës ka qenë e mbyllur, por nuk e di nëse ka qenë e kyçur, apo jo? Nuk kam parë asnjë njeri që të jetë futur në këtë dhomë. Pas këtyre veprimeve, Ali Çeno ka mbyllur me çelës dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, dhe kemi dalë në korridorin e aktit të dytë.

Nuk ka kaluar shumë kohë dhe në shtëpinë e Mehmet Shehut ka ardhur Kadri Hazbiu, i cili i shoqëruar nga Ali Çeno, u fut në dhomën e gjumit ku kishte ndodhur vetëvrasja e Mehmet Shehut. Ka qëndruar pak në këtë dhomë, sa ka parë dhe ka shkuar tek dhoma e Fiqretes, kua ka marrë letrën që kishte lënë Mehmet Shehu, para vetëvrasjes. Mbas kësaj, Kadri Hazbiu është larguar…………!

Kur ka ardhur grupi hetimor-operativ që ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, unë nuk jam futur në dhomat e Mehmet Shehut. Kam qëndruar në dhomat e katit të dytë, së bashku me dy funksionarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjatë kohës që kam qëndruar në këtë korridor, kam parë që aty ka ardhur Elham Gjika, që ka dalë nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ka qëndruar pak dhe përsëri është futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, ku vazhdonte këqyrja……………………………………!

Mbasi ka mbaruar këqyrja, janë kërkuar çelësat e dhomës së gjumit dhe dhomës së studios së Mehmet Shehut. Sqaroj se dyert e këtyre dhomave, kanë pasur nga tre çelësa, një kopje e të cilave qëndronte në derë, kurse dy kopjet e tjera, janë mbledhur nga punëtorja Fahrije Koçiraj, në prag të Kongresit të 8-të të Partisë së Punës së Shqipërisë, me urdhër të Mehmet Shehut, dhe janë futur në bibliotekën e tij. Kështu, kur u kërkuan çelësat  nga shokët e grupit hetimor-operativ, për të dyllosur dyert, është thirrur Farija, që ka gjetur çelësat në bibliotekën e Mehmet Shehut dhe mbas kësaj është bërë dyllosja e dyerve.

Kur ka përfunduar ky veprim, është bërë pyetja e dëshmitarëve në katin e parë. Në katin e dytë, nuk u pyet njeri si dëshmitar. Di që 10-15 ditshin e fundit të muajit dhjetor 1981, në shtëpinë e armikut Mehmet Shehu, kanë ardhur mbas dite ose në të ngrysur armiqtë, Nesti Nase, LLambi Ziçishti, Feçor Shehu, një instruktor i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, që emrin nuk ja di, një shifrant i Ministrisë së Punëve të Jashtme, përveç Fejzo Bijos, Qamil Peshqeshit dhe Mustafa Bixhit, që hynin si në shtëpinë e tyre…………..!

Në muajin nëntor 1981, ka ardhur në shtëpinë e Mehmet Shehut, edhe Kadri Hazbiu me 3-4 ushtarakë, si Mendu Backa, Nazar Berberi, Maliq Sadushi, Kiço Mustaqi, etj. Nazar Berberi, ka ardhur edhe njëherë vetëm nga fundi i muajit nëntor 1981. Gjithmonë personat e mësipërm, i fuste brenda në shtëpi Ali Çeno, kurse unë kam qëndruar te dhoma e shërbimit të oficerëve!

Më datën 17.12.1981, më kujtohet se kur Mehmet Shehu u kthye nga mbledhja e Byrosë Politike, e u fut në shtëpi, Ali Çeno po qëndronte tek dera e hyrjes së oborrit të shtëpisë dhe kur e pyeta, pse s’ikte në shtëpi, më tha se po pres një person, se do të sjellë një material, por se kë person dhe çfarë ishte ky material, Aliu nuk më tha………………………………!

Ditën që familja e Mehmet Shehut do të largohej nga shtëpia prej shokëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, na u tha që ata të marrin të gjitha plaçkat personale që kanë pa asnjë kufizim. Ne të gjithë personeli i shërbimit kemi ndenjur aty dhe i kemi ndihmuar që ata të merrnin plaçkat e tyre dhe të mos merrnin ato që ishin në inventar shtëpie, por se ç’gjëra morën ata, që kishin ndonjë rëndësi për çështjen, ato s’u kontrolluan. Di që Fiqretja mori gjërat që kishte në dollapët e kasafortat e saj, si; parfumeri, sahate, stilografë, rrobe, ora, bizhuteri e ndonjë letër, e me atë gjatë kësaj kohe rrinte Farije Koçiraj.

Ndërsa Bashkim Shehu, përveç mjaft plaçkave, si rrobe, televizor të vogël, radio dhe magnetofon, etj., mori edhe disa kuti me libra të ndryshëm. Më kujtohet se gjatë kësaj kohe, Fiqretja tha që: “kur të hapet kasaforta, brenda kam dëftesat e fëmijëve dhe më duhen”. Ju tha kjo gjë në telefon Feçor Shehut dhe ai tha; “mirë, mirë”…………………………………………..!

Më kujtohet gjithashtu se në gusht 1981, kur po transferonim plaçkat e Mehmet Shehut nga shtëpia Nr. 6, tej shtëpia e re, dhe ne kishim transferuar një raft të Fiqret Shehut ku ajo mbante brenda një kyç, Fiqretrja mori në telefon nga Mali i Dajtit dhe kur mori vesh këtë gjë, filloi të bërtasë dhe menjëherë erdhi që andej me makinë, nuk më kujtohet se kush oficer ishte dhe pasi u fut brenda në dhomën e saj ku kishim çuar raftin e mësipërm, u kyç brenda. Pas pak kohe ajo doli që andej e qetë dhe me zë të ulët më tha se kishte frikë se mos ishin thyer bizhuteritë, por çdo gjë ishte në rregull dhe pasi hipi në makinë, u kthye përsëri në Malin e Dajtit ku ishte së bashku me Mehmet Shehun, me pushime…………………………….! Memorie.al

Exit mobile version