Dëshmia e ish-Ipeshkvit të Shkodrës: Në Spaç, ishte një i burgosur në shërbim të tyre! Për shumë vite, duke shëtitur në vende të Europës ku gjendeshin shqiptarë, kishte rekrutuar…

Publikohet një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

Unë isha i sigurt se atyne, në këtë denoncim, nuk i siellshe asnjë rrjedhim kurrë. Ishin dy persona që me të vërtetë më kishin ba provokime e që unë, tue i njohtë, nuk u kisha përgjegjë. Ata kishin folë me mue, kurse unë jo me këta. Porsa nisa të flas, vetëm për këta të dy, hetuesi nuk donte të dinte asgja për këta. “Të tjerë, të tjerë”, lypte hetuesi. Unë kisha folë edhe me të tjerë, por falenderoj Zotin, se asnjë fjalë nuk më shkau nga goja. “Në radhën tjetër, pasi të mendohesh në dhomë e, trajtojmë përsëri këtë problem”, më foli. Porsa shkova në dhomë i mendojsha se aty kishte aparat incizimi e, tue fole me vete, lehtë, me pak za, thashë: “Unë çuditem se, nuk kam çka të tham”.

Në radhën tjetër, që qe dita e nesërme, më deklaruan se e mbyllin me sot hetuesinë. Kishin formulue akuzat. Të gjitha kot. Të gjitha hiç. Të gjitha përralla. Më thanë janë katër. Ishin neni i mos denoncimit e, ai i agjitacionit e i propagandës me shkrim. “Të tjerat, – thanë, – i heqim” e, ishin neni i organizimit që ishte krye, tue u caktue “Këshilli i ri dioqezan” dhe i emnimit tim, Vikar i Përgjithshëm dhe neni për shërbime fetare, por që këto nuk i përfshinte kushtetuta, që ende nuk kishte dalë. Si mbas këtyne, dënohem për veprimtari armiqësore. Akuzat ishin të vërteta, por në akuza ishin të dhunueme të drejtat e liritë. Ishte triumfi i dhunës.

Gjyqi, 26 prill 1977

Në një mëngjes, hetuesi më lajmoi në birucë ku ishe, se do delsha në gjyq, në këtë ditë. “Gjyqi do të bahet brenda, në Degë – më tha, me dyer të mbylluna. Asht gjyq special. Kështu asht vendosë për arsye të marrëdhënieve që ka pasë Kisha me shtet”. Ishte 26 prill 1977. Po shtijshin në gjyq edhe grigjën. Grigja ku asht? Bariun ku e kanë? Në vend që Monsinjori te gjendej te Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, ora 10 e paraditës, me rasën e festës të saj, së bashku me klerin, për të celebrue Meshën Shejte, në prani të mija vetëve, të divoçemve nga qyteti e katundet, që mbushnin Shenjtoren, sheshin e shpatin e kalasë, asht në sallën e gjyqit, bamë asht e lëkurë, si një kufomë në kambë. Ashtu më kishin ba edhe mue. Qe kanga fetare popullore: “Ndër ezgjete e kobe tona!/ Të bijtë e Zojës derman kërkojnë”.

Shekujt e prishjes sonë, kishin mbledhë ndër ezgjete e kohë një histori të shplakosun, që lëshonte zeherin e një fanatizmi të tërbuem, kundër çdo gjaje shejte dhe sidomos të besimit katolik.

Jemi në gjyq katër vetë: Imzot Ernest Çoba, Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Lec Sahatçia, Ordinar i Abacisë së Mirditës, Dom Kolec Toni, meshtar, pjesëtar i Këshillit dioqezan edhe unë, me detyrën e Vikarit të Përgjithshëm. Të gjithë ishim të veshun me rrobe uniforme, një dok ngjyrë mishi, të mbyllun, si një ironi e thellë orientale komuniste, na i veshën në këtë ditë të kjahmetëshme, tue na çue në një sallë të madhe të gjyqit, të lidhun hekurash e të shoqnuem me dy policë. Për ne të katërt, ishin gjithsej tetë policë, edhe dy ma tepër.

Na u tha të flitshim lirshëm. “Mund të shprehni mendimet tueja, mbasi ju jeni njerëz të qetë dhe nuk delni jashtë rregullit”.

Na ishim për ata krejt e kundërta e tyne, që përfaqësojmë vetëm një botë që duhet rrënue, një botë të thellë e obskurantiste, anmiq të vazhdueshëm të pastërtisë së historisë, frymëzuesit e shtypjes, intrigave, anmiqtë e kulturës e të shkencës. Në sallë hyni trupi gjykues me kryetarin, dy anëtarë dhe prokurori xuni vendin e vet. Na do të çohemi në kambë, për nderim. Filloi gjyqi ora 9ºº. Tri ditë, ora 9 ºº të paraditës, deri ora 13 ºº. Filloi sulmi i tyne. Dy ditët e para, kaluen me marrjen në pyetje të Monsinjorit, së pari me akuzën e marrëdhënieve të fshehta të tij, me Selinë Shejte, përmes Ambasadës Italiane e, relacionet e tij me Dom Dedën e, Dom Ivon. Mandej të Imzot Lec Sahatçisë, të akuzuem se kishte marrë pjesë direkt, në vrasjen e Bardhok Bibës, në gusht të vjetit 1949 e, formatë të agjitacionit e propagandës e, Dom Koleci e unë, për mos denoncimin e marrëdhënieve të Monsinjorit me Selinë Shejte dhe agjitacion e propagandë. E unë edhe me shkrim.

Akuzat nuk kishin asnjë vlerë, asnjë faj, por faji ynë qëndron te të qenunit tonë. Dojshin të arrijshin te zhdukja e plotë e meshtarisë e e besimit. Na përfaqësojshim për ata, të gjitha të zezat. Kështu mendojshin këta. Gjyqi kishte fillue punën, ishte në mbrendi. Na folëm të gjitha fjalët tona drejt, pa pasion dhe në një mënyrë konkrete. Gjyqi i Monsinjorit, zgjati dy paradite. Ishin tue e repë me ngadalë. Për krejt veprimtarinë që kishte ushtrue, në lidhje me Selinë Shejte e, Dom Dedë Malën, e spjegoi se e kishte të lidhun me ndërgjegjen. Me gjthë sulmet që i banë Imzot Lec Sahatçisë, kryetari i gjykatës e prokurori, ai pohonte se kishte qenë në dijeni për vrasjen e tij, por aspak se kishte përgatitë gja në këtë vrasje e, se ishte në gjendje të komplikueme në ato rrethana.

“Edhe sot, – thonte – për mue, në lidhje me këto, asht mister”. Zemrimi i prokurorit qe i tërbuem. “Pohoje të drejtën, se të shkon koka. Je nën forcën e partisë”. Dom Kolec Toni, deklaronte me guxim, se; “nuk ekziston ekonomia private, por gjithçka asht shtetnore e, për këtë arsye na gjindemi këtu”. Me mue u morën ma tepër se, pse nuk kisha denoncue as shkrimet, që ishin me përmbajtje religjioze dhe kundër materializmit, diktaturës dhe luftës së klasave. Pyetjes së kryetarit të gjyqit se; “pse nuk kisha denoncue”, u thashë se jam kundër denoncimit. E vazhdojsha tue u thanë se; “po të më provokojë kush, i tham ma mirë të mos flasë me mue, se me pranue me ardhë me denoncue. Mandej, si më kërkoni të denoncoj, mbasi edhe këto çeshtje, ishin tonat. Kam shkrue kundër jush edhe pse kam një formim katolik dhe së dyti, se me veprat që keni ba ju në Shqipni e, sidomos, me mbylljen e kishave, isha shumë i zemruem”.

Me disa biseda të prokurorit, shprehej në një mënyrë sintetike e ngadhënjyese vepra e dhunës, që nuk të len me lëvizë e, që na dojshin të ishim ndër hekura, se prania jonë për ata, ishte një kishë e çilun, një predk ende mbi tokë. Regjimi dhe trupi gjykues, kishte një kokë të vetme. Enveri do vetëm unitet e punë ideologjie e, tue i ba të gjithë përgjegjësit e detyrave të zhdukjes, të veprojnë me bindje, se kështu vendi ka gjetë udhën. Kjo luftë klase, asht e tipit unitet-dhunë. Prokurori çonte zanin shumë herë, detyra kryesore e tij dhe e prokurorëve, nga Koçi Xoxe, Aranit Çela e qinda nëpër rrethe e qytete, për të qenë gati për sulme. Me qëndrim si të një ujku, që fryhet për të shkye prene e vet, i binte barra për të triumfue mbi anmiq të klasës, i gëzuem se punon me aq siguri, për vijën e partisë, besnik saj, deri në fund. Kryetari i gjykatës, ndera e drejtësisë, që peshon gjithçka me trunin e klasës, mban një ekuilibër, si triumfues i pangishëm.

Asht vegla kryesore e aparatit, që qet e përcjell krena njerëzish e, pjesën e madhe i dërgon në vendet e vuajtjes e të vdekjes, pa një skrupull, tue dashtë me pa gjithçka të mbarueme, për t’i dhanë fund breznive, pa asnjë brez të vjetër, pa asnjë të vërtetë të kalueme. Ky gjyq pat edhe dëshmitarë, njëmbëdhjetë e, u randue prej pasaktësive të tyne. Zoti i pastë falë, se kishte edhe shpifje. E treta ditë pati edhe mbas ditën, për t’u dhanë vendimi. E për këtë u hapën dyert, ku morën pjesë shumë nëpunës të Degës së Shkodrës. Monsinjor Çoba, qe dënue 25 vjet, Imzot Lec Sahatçia, 20 vjet, Dom Kolec Toni, 13 vjet, e unë 15 vjet. Gjyqi mbaroi tue rrahë shuplakë shumë, për “drejtësinë e partisë, kundër armiqve të tërbuar kundër pushtetit popullor”. Historia e Degave, mbretnia e vdekjes dhe e gjakut, e etjes vetëm për krime, që kishte fillue zyrtarisht në javët e para të vjetit dyzet e katër, tash i jepte një farë fundi hierarkisë kishtare. Nuk kishte ditë ma të keqe, për popullin e historinë.

Mbas do kohe do të arrestonin edhe klerikë të tjerë, si: Padër Anton Lulin, Dom Pjetër Grudën, Padër Leon Kabashin, Dom Nikollë Gjinin e, Padër Gjergj Vatën.

Monsinjori lëshoi një za të lehtë, tue kërkue një absolucion. Ashtu bamë të gjithë, ndaj njeni-tjetrit. E na me pranga në duer, u zhdukem të gjithë e, Monsinjorin, për të mos e pa ma. Ai do të kalonte vuejtje tjera shpirtnore, morale e fizike. Do të merrshim lajmin për atë, se vdiq në spitalin e Tiranës, mbas një punkture që i kishin ba, gjoja, për t’i pre dhimbjet e, për t’i pushue zemrën. Plani i tyne qe vu në zbatim, me 12 janar 1980, ditën e Shën Ernestit, të cilit Monsinjori i lutte emnin. Mbas gjyqit, na ramë në një qetësi, në një heshtje, për të marrë shpejt një rrugë të re të gjatë, të jetës. Mund të thomi se kishte mbarue gjithçka dhe populli në hallet e të vraponte për të fitue keqas një kafshatë bukë dhe i tretun e i habitun, në hapsinën e vuejtjeve të randa. Një polic i ri, i vrantë e i qetë, me një mirësi natyrore, Hamzai, pyeti, kur dola për pastrim, se sa isha dënue. “Mue më dhanë 15-shin”, kje përgjigja ime. Ai u vra dhe e mori si një tallje. Por nuk foli.

Burgu i Spaçit, 13 maj 1977

Ishte dita 16 maj, ditë e hanë, kur më nisën për Tiranë. Dola nga birucat e hetuesisë, nga, ajo dhomë mizore, ku kalova gati një njëmbëdhjetë muej, me aq dhimbje, vuajtje, tortura, izolim. Delsha nga Dega e, hypsha në një autobus, ku ishin 10 vetë. U takova edhe me Dom Kolecin. Largohem për një kohë të gjatë nga qyteti im, tue lanë në shtëpi nanën e motnueme dhe motrën e shumë sakrificave, vëllanë, që do të kishte vuajtjet e sëmundjes dhe të burgut. Të gjitha plagë të reja. Dy ditë para se të arrijsha në kaushën e Tiranës, ku mblidheshin të gjithë të dënuemit e Degëve të ndryshme, për t’u shpërnda nëpër reparte të ndryshme, Gjergjin e kishin nisë në Repartin e Ballshit. Burg quejshin vetëm një, atë të Burrelit. Mbas dhjetë ditësh, që kaluem në Kaushë të Tiranës, përsëri me autobus, së bashku me Dom Kolec Tonin, gjithsej shtatëmbëdhjetë vetë, u nisem në Repartin 303 të Spaçit, për të kalue një jetë gjalle e për gazep.

Kjo makinë e mbyllun, terr brenda, dukej një diçka që nuk ngjet me asgjë. Çdo realitet, asht origjinal. Çdo makinë mund të çonte nga Tirana në Spaç, por të gjitha edhe me diferenca. Kjo makinë ka specifikën e vet. Ka të përbashkëtën, se ecë si të gjithë. Por të veçantën, se nuk ecë si tjerat. Kjo ka shpejtësi edhe ndër kthesa, ka tundje, ka mizori, ka inat. Janë shtatëmbëdhjetë vetë të lidhun duersh me hekura. Atij që i delte të shihte gja mes disa birave gjatë ecjes së saj, edhe mue, në këtë ditë me diell, na dukej sa e pamëshirshme asht toka, me ato pamje fikse të shpejta. Nuk dallohesh mali e fusha, në këtë rrethanë. Të jepej përshtypja e një kaosi, si një absurditet në ekzistencë. Vetëm dritë shihet, përzje me terr të madh, me ngjyrë afër territ dhe humnera kohe, robnie. Na qenie verte të daluna nga varri, na u dukte vetja, tue pa njeni-tjetrin, se ishim hjedhë në një infinit kotësie.

Ishte kjo ditë e premte, kur arritëm afër orës dy mbas mesdite, u hap porta e madhe e repartit, tue u mbylle menjëherë. Ndjeva e përfshiva izolimin e gjatë. Hyna pa e ditë, kur dal! A dal?! Kjo kje një punë e çastit e, tue mbetë e ardhmja edhe në errsinë, fshehtësi, u hap udha dhe u forcue bindja, për ato forca që ka njeriu për të rezistue. Këtu më duhet për të kalue vjetët. Në dorë të Zotit. Rojet e kampit që shërbejshin aty, janë vetëm roje; besnikët e pushtetit, gjykatave, të diktatorit. Janë veglat e punës të asaj makine, diktaturës së adhurueme që jeton me këto forca e, që bajshin punën speciale të shtypjes nga afër, e paraqitshin anën fort të keqe të saj, në atë vend të rrethuem me male të pablerim, e me tela me gjemba, pranë një përroni shumë herë të thatë, mbi të cilin silleshin në pak qiell orrlat, mbi krenat tonë të gjallë e të vdekun. Ishte vërtetë edhe një burg natyral.

Këto roje kishin qëndrim si një një. Ishin të qetë, kishin pak fjalë, pse edhe këta të urdhnuem të mos bajshin biseda me të burgosun, me këto “anmiq”, “fara e keqe në Shqipninë socialiste”. Ishte një polici e rafinueme mirditore. Kur kishin punë me dhanë ndëshkime, veç ndëshkimit që kishte burgu mbas revoltës, ngjajtë më 1973, policët u bajshin grupe apo skuadra për rrahje, deri që lodheshin mbi trupin qyqarit të burgosun, shumë herë hero i pashembullt. E kjo dhunë shtazarake ndodhte, pse nuk ka krye realizimin e normës në minierë, që me pa me sy të hinte tmerri, ose të gjente polici, tue u përçapë pse ke shtie ndonjë send të vogël në gojë. Dy roje ushtarake me rroben e ngjyrës së blertë, na banë ngadalë një apel, tue shikue qetë secilin nesh në fytyrë, porsa përgjigjeshim. Na çuen me një të burgosun në shërbim të tyne, në një magazine, për me marrë rroben devizë ngjyrë tullë e, një dyshek me kashtë e katër batanije të vjetra, e vështirë me i prekë me dorë, sa neveri të jepshin.

Ndër to kam fjetë dymbëdhjetë vjet, unë e shumica e të burgonve, se të privilegjuemit në shërbim të tyne, i kishin edhe të reja.

Rrobë-divizë, merrshin çdo vjetë, po tash rrobe me vija dyshekësh. Të gjithë të qethun, na zbritën tue ba disa kambë shkallë guri në kamp, që kishte trajtën e një koni. Në dy oborre, na pritshin me qindra të burgosunish. U përqafuem me të njohtun dhe me tre meshtarë që i gjetëm aty, Dom Ndoc Sahatçin, Dom Ernest Troshanin e, Dom Martin Trushin. Kishte dhe shkodranë e ndër ata, Zef Ashta, me akademi dhe ba burg afër tridhjetë vjet, me të cilin do të rrijshim çdo ditë, njeri i qetë dhe simpatik e që, vdiq në një ditë maji mbas disa vjetësh. Aty gjetëm Tonin Andrachio-n, të nipin e Monsinjor Ernest Çobës, një djalë shembull në burg, i rrallë për vetitë e mira të karakterit, të inteligjencës e të virtyteve të krishtena. Një grup mirditoresh, njeni ma i mirë se tjetri, njerëz të dashun e besnikë.

E kur do të vinte Nikollë Prenga prej burgut të Burrelit, njeri i shquem në kampe, ky grup mirditorësh, do të forcohej. Edhe prej maleve të Veriut, kishte burra të mirë e, sa fshatarë prej anave tona, me një qëndrim si duhet: njerëz të besimit në fe e, me virtyte. Tue njohtë ngadalë kampin, do gjejshim djelmosha nga Vlona e krahinat e Jugut të Shqipnisë, të zgjedhun, të vendosun, trima dhe guximtarë. Pashë shumë fytyra të reja në këtë kamp të rrezikshëm të revoltës, ngja para katër vjetësh të ardhjes sime. Kishte edhe një vjet, për të mbarue dënimi zyrtar i kampit të ndëshkuem. Po ai ndëshkim e ai terror që gjeta, vazhdoi edhe ma i fortë.

Me rastin e revoltës, thuhej se kishte marrë pjesë për ta shtypë, vetë Kryeministri, kjenë pushkatue katër vetë dhe arrestue, torturue tmerrësisht, ma se tetëdhjetë vetë e, dënue. Do të merrshin pjesë në punë të gjithë të dënuemit pa përjashtim, në minierë, kjofshin ata edhe të sëmurë me gjithë farë lloj sëmundjesh, edhe ata që ishin edhe me temperaturë të naltë. Porsa u veshëm dhe u sistemuem shpejt nëpër dhoma, ku banojshin pesëdhjetë e dy vetë, në çdo dhomë, në tre kate e, ku unë u vendosa në katin e ultë të katit të tretë të ndërtesës, na lajmëruen ta kryejshim disa formalitete, regjistrime e porosi, që na i jepte komandanti i kampit.

“Zyra Teknike”, në Spaç

Kampi drejtohej nga komanda, por në kamp ishte dhe një zyre që përbahej nga tre të burgosun, të aprovuem nga Ministria e Punëve të Brendshme e, që këta lidhshin e zgjidhshin gjithçka në komandë e, ishin të ngjitun me këtë porsi mishi kocin, e që komandë, Zyre Teknike dhe të burgosun, formojshin një treshe reale. Kjo zyrë e dytë, thirret; Zyre Teknike. Zyre tru. Kjo drejton punën e minierës, nëntokën edhe tokën e rrethueme me miniera, vend me rreziqe shembjeje, ku ndodhshin aksidente e vdekje, numri i të cilëve kishte arrijtë mbi njëqind persona. Komandanti në këso rastesh, porositte me dhimbje hipokrite, që në punë të kenë kujdes: “kur të hyni në nëntokë” e në anën tjetër kërkonte me rigorozitet plotësimin e normës patjetër, se asht ligj. “Duhet të punoni, të lani fajet tueja, jo fajet, por krimet që ia keni ba pushtetit popullor”.

Në minierë mund të ishin heroj, që ndyheshin me baltë e pastroheshin me vendosmëni. Zyra Teknike aty shikjonte disiplinën e kampit. Asht qendra e rrjetit, të të gjithë lëvizjeve zyrtare e të fshehta. Tue qenë qendra e informacionit dhe e ndërlidhjes, që organizon spiunazhin dhe i vën në lëvizje në këtë regjim të pështjellimit, këta janë persona fort të besueshëm të komandës. Janë të burgosun dhe komandantë në një shtypje që bahet me shumë forma. Tamam si në Orient. Shqipni që organizon spiunazhin në burg, jashtë, edhe jashtë Shqipnie, edhe në Vatikan.

Zyhdi Çitaku

E një i burgosun që ishte në shërbim të tyre, Zyhdi Çitaku, për shumë vjet, tue shëtitë në shumë vende të Europës, ku gjindeshin shqiptarë, kishte rekruetue persona në shërbim të regjimit. E tue qenë se ky kishte ba disa gabime jashtë, në lidhje me planin e tyne, kur kishte ardhë në Shqipni, shpejt e kishin arrestue dhe e kishin dënue randë. Në burg sillej mirë. Dita e shtunde dhe e diella, më dolën disi të qeshuna, në diell të bukur maji. Kështu më kaluen edhe disa javë, por i lodhun shumë e marrje të forta mendsh, sidomos kur ngjiteshe nëpër shkallë, tue u mbështetë parmakësh, kur shkojsha në dhomë. Por kur fillon të mësohesh e të ban burgu për veti, atëherë nisë jeta e tij dhe dalëngadalë njohja me vuetje të tjera e fatkeqësi. Quhej; kampi i anmiqve. Kishte shumë njerëz edhe me kulturë, por jo si ata që ishin në shumë vjetët e para, ku gjindej ajka e kulturës së kombit dhe e intelektualëve të mirfilltë, me shkolla të universiteteve të Europës e të Amerikës, ku kampet dhe repartet, nuk kishin sheje spiunazhi, veç rrallë ndonjë që zbulohej menjëherë.

Njerëzit ishin me kulture të marrun ma tepër, gjatë periudhës së socializmit, edhe disa të marrun në vendet socialiste të Europës, inxhinierë, ushtarakë, të sistemit, shumë njerëz që nuk mund të quheshin figura politike, por ma tepër nga ata që kishin shkelë, si mbas pushtetit, ligjet e kushtetutës. Kushtetutës së quajtun ma ma demokratikja në botë, që pa ekzagjerim kishte shtie nëpër burgje, një të treten e popullsisë shqiptare.

Duhej të bisedohej me shumë kujdes me njeni-tjetrin, rreth problemeve që i përkitshin jetës politike. Shumë kërkojshin të gjejshin shokun, të rrahshin probleme të ndryshme, që lidhet me jetën e nevojën e jetës sate. Do të bisedohej, por ma shumë për ngjarjet që ishin në botë dhe brenda kufijve tanë, informacione prej gazetave që hyjshin në kamp dhe lajmeve të radios, që të shurdhonte prej orës 6 të mëngjesit e, gjatë ditës. Do të bisedohej me kujdes, pse aty punonte rrjeti spiunazhit, fort i rrezikshëm, që të sillte shpejt arrestimin tand të ri. Të kanë dënue herën e parë dhjetë vjet, për agjitacion e propagandë, të bahen me dënimin e ri, edhe dhjetë të tjera, e me radhë tridhjetë, katërdhjetë vjet. E si mbas rasës, edhe me vdekë mbrendë. Sa vetë kanë vdekë brenda nëpër burgje?!

Spaç: 1700 të burgosur, politika kineze!

Të burgosunit vërejnë gjithçka. Autoburgu sillte çdo dhjetë ditë të burgosun të tjerë, edhe kuadro ish partie e të pushtetit, që Enveri i lidhte për së gjalli, e që brenda vjetit u shumuen. Kampi kishte një forcë, rreth njëmijë e shtatëqind vetash. Shumica fort e madhe, ishin të ri. I sillte politika kineze, agjitacioni e propaganda, tentativat për ikje, kuadrot revizioniste, që partia po i nxirrte jashtë me shtjelma, tue i çue në plumb e nëpër burgje. Të gjithë këto njerëz, kushtetuta rrënimqare i quante; “trathtarë të atdheut”. Na kishim emnin e keq, u quejshim “trathtarë”. Ky titull nuk na randonte, por na bante të qesheshim me ironinë tonë, se ku kishte arrijtë ky koncept trathtar, në Shqipninë e luftës së klasave?! Këta që vijshin me autoburg, siellshin lajme se janë mbushë Degat e Brendshme, me të arrestuem. Presin të dalin në gjyq. Kampi nuk ishte i fjetun. Kishte njerëz energjikë dhe të fuqishëm, plot guxim dhe një farë mburrjeje. Dita, javët, muejt, kalojshin shpejt. Vjeti nuk mbaronte kurr. Jeta kishte mundime të mëdha, të kohës e të vendit ku gjindeshin. Memorie.al

Exit mobile version