Nezar Seiti, një prej 8 personave të akuzuar si pjesëtar i grupit kriminal “Habilaj” ka shpjeguar përpara oficerëve gjyqësorë se me familjen Habilaj ka lidhje krushqie. “Me shtetasit Artan, Moisi dhe Florian Habilaj, kam lidhje krushqie, pasi bashkëshortja ime i ka kushërinj. Moisiu më vizitoi kur kreva një ndërhyrje në Itali. Vëllezërit i kam takuar kur jam kthyer në Shqipëri. Me Moisiun dhe Florianin takohem rrallë, ndërsa me Artanin më shpesh”, u shpreh Nezar Seiti.
40-vjeçari Seiti, i arrestuar mbrëmjen e 19 tetorit, ka rrëfyer para prokurorëve se prej vitesh jetonte dhe punonte në Itali, por vinte shpesh në Shqipëri, për të vizituar prindërit në fshatin Gjorm. Për këtë shkak u gjend në Vlorë, ku dhe u arrestua për llogari të Prokurorisë së Katanias, me akuzën e trafikut të drogës në bashkëpunim. Fill pas arrestimit, Nezar Seitit, i është ofruar statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, por ai mësohet se ka refuzuar.
I arrestuari tjetër në Shqipëri, infermieri Armand Koçerri, edhe ky, i dyshuar për përfshirje në klanin kriminal, nuk ka dhënë shpjegime, ndërsa motra dhe nëna e tij kanë mohuar të kishin dijeni për lëndën narkotike që u gjet dhe u sekuestrua në shtëpinë e tyre. Sa iu përket komunikimeve telefonike, rezulton se pjesëtarët e familjes Habilaj, ishin shumë të kujdesshëm, pasi në dosjen e Prokurorisë bie në sy fakti se për biseda, ata përdornin numra të regjistruar në emra të personave të tjerë.
Oficerët e policisë po verifikojnë lidhjet e Habilajve me personat në emrat e të cilëve rezultojnë të jenë regjistruar numrat e telefonit. Sakaq, në Ministrinë e Drejtësisë vazhdon përkthimi i dosjes voluminoze të mbërritur nga Italia dhe vetëm në përfundim të saj, prokurorët e çështjes do të vendosin se kur do ta marrin në pyetje ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ndaj këtij të fundit po zhvillohen hetime pas dyshimeve për përfshirje në grupin Habilaj, që sipas autoriteteve italiane ka trafikuar sasi tonelata hashashi nga Shqipëria në Itali.