Dëshmia e oficerit të grupit të shoqërimit në hetuesit: Në vitin 1981, Ismail Kadareja, po merrej me një skenar për filmat që do bëheshin për Mehmet Shehun, kurse Dritëro Agolli…

Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

 MEHMET SHEHU ISMAIL KADARE

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE JONUZ RUSHIT LUTO, OFICER I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË ISH – KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA

                                                             P R O Ç E S – V E R B A L

                                                          (I PYETJES SË DËSHMITARIT)

Sot më datën 15.5.1983, në qytetin Tiranë.

Ne, Sokol Koleka dhe Bashkim Caka, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, morëm në pyetje si dëshmitar, Jonuz Rrushit Luto, i datëlindjes 1935, me arsim të mesëm, (shofer-oficer), me banim në Repartin 313 Tiranë, i dënuar, i përjashtuar nga Partia. I dënuar për vjedhje dhe kontrabandë………………!

Hetuesi më paralajmëroi lidhur me përgjegjësinë penale të bazë të nenit 202 të Kodit Penal, për dëshmi të rreme.

                                   Dëshmitari                                                                                                             

                                   Jonuz Luto

Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë:

Më kujtohet se në muajin tetor 1981, Fiqretja ka biseduar në telefon nga Shkolla e Partisë me Zija Këlliçin, për t’i çuar një letër dhe diçka që kishte harruar të marri me vete Skënder Shehu kur iku në Suedi, Fiqretja i dërgoi këtë letër, apo plaçkë Skënderit. Unë nuk e di se çfarë ka qenë kjo letër apo plaçkë dhe nuk e kam parë, por këtë gjë e di se ma ka thënë vetë Fiqretja që u muar vetë me këtë problem…………………!

Po pas Kongresit të 8-të të Partisë së Punës së Shqipërisë, Fiqretja i çoi një letër Skënder Shehut në Suedi, me një korrierin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, që çonte atje materialet e Kongresit të 8-të të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ç’ishte kjo letër dhe me kë korrier e çoi Fiqret Shehur, unë nuk e di…………………………………!

Në lidhje me Fiqret Shehun, kam për të thënë se ajo ishte si shtrigë e poshtër dhe për gjënë më të vogël ajo i thoshte Mehmet Shehut, dhe së bashku s’linin gjë pa të thënë. Ajo së bashku me Mehmet Shehun, ishin nxitësit kryesorë, për degjenerimin e fëmijëve të tyre, gjë që ndikoi edhe te ne punonjësit e shërbimit, sa bëmë faje të ndryshme, të dënueshme nga ligjet e shtetit…………………………………………….!

Më kujtohet se kohët e fundit, para se të vrasi veten Mehmet Shehu, ai së bashku me Fiqretin ishin bërë si pula të lagura, nuk të bërtisnin më, nuk silleshin si më parë, kërkonin që të mos bënim shumë shpenzime, dritat në oborrin e shtëpisë së tyre, me urdhër të tyre, shumicën ne i shuanim, etj.

Ndërsa muajt e fundit të vitit 1981, çelësat e derës anësore të shtëpisë së Mehmet Shehut, një qëndronte tek dera e shtëpisë nga brenda, një tek oficeri i rojës dhe pastaj i shërbimit, dhe pastaj kohët e fundit një çelës e mori vetë Vladimir Shehu, i cili vinte vonë natën në shtëpi………………………..!

Unë me Ali Çenon hyja shpesh në shtëpinë e Mehmet Shehut, nga kuzhina dhe punëtorët e shërbimit, nganjëherë shkonin dhe tek Shtëpia e Partisë Nr. 1, për të lozur bilardo me kamerierët e saj, kur nuk kishte aty udhëheqësa, etj…………………!

Po shoqëri të ngushtë Ali Çeno kishte me Orjon Trebickën, Vasil Likën, Mete Bonin, Përparim Turhanin, që dilnin bashkë, hanin e pinin, etj. Përveç kësaj, Aliu ka pasur shoqëri të ngushtë edhe me Ylli Dakën, Lirim Pëllumbin, Feruz Matën, Lul Mirakën, Gani Kodrën, Servet Backën, Ali Kubatin, Xhavit Ismailagën, etj. Siç thoshte Aliu, ai shkonte shpesh edhe tek vjehrri i tij në Durrës………………………………………………..!

Di gjithashtu se Ali Çeno, kishte muhabet me Kadri Hazbiun e Feçor Shehun dhe kohët  fundit, pas vetëvrasjes së Mehmet shehut, atë e ndihmoi shumë edhe Bato Karafili, për të mos u përjashtuar nga Partia.

Më kujtohet se, në vitin 1981, Ali Çeno e kishte rregulluar të blinte një motoçikletë, nga ato të doganës, duke na thënë ne oficerëve të grupit të shoqërimit, se e donte për qëllime shërbimi, se në atë kohë edhe Skënder Shehu kishte sjellë një të tillë nga jashtë. Për këtë gjë di që Aliu foli me një nga zëvendëskryeministrat dhe e rregulloi dhe e bleu motoçikletën.

Unë e di s enë rastet kur Ali Çeno ka dalë jashtë shtetit, ka sjellë për veten e tij plaçka të ndryshme, pa i kaluar në doganë, por me pako të ndryshme së bashku me plaçkat e familjes së Mehmet Shehut. Ato i merrnin në “Zuk”-un e Drejtorisë së Pritjes, me shofer Jonuz Piri, ose makina të tjera, ku i merrte Rruzhdi Tato, Shyqëri Uba, e Fejzo Bijo. Pakot mbanin numrin dhe inicialet, ‘A. Çeno, F. Bijo’. Listën me numrat për pakot që ishin të tyret, e mbanin sekret Shyqëri Uba dhe Ali Çeno, e pasi e merrte makinën, i shpërndanin në shtëpitë e tyre.

Di që plaçka në këtë mënyre, ka marrë Fejzo Bijo, Ali Çeno, Milto Kostaqi, Dilaver Hysenbelli, Kajtaz Dhuli, etj., si kur kanë ardhur me aeroplan, ashtu dhe me makinë nga Kapshtica, etj. Kështu më kujtohet se edhe Shyqëri Uba, erdhi në maj 1981 nga Parisi, solli 17 pako për familjen, që pastaj u shpërndanë edhe tek personeli i shërbimit, plaçkat e tyre………………….!

Gjithashtu di se edhe furnitorët e Drejtorisë së Pritjes, Rruzhdi Tato e Mustafa Bixhi, i kanë dhënë më parë jashtë rregullave, plaçka të ndryshme Ali Çenos si; bibliotekë, sende e veshmbathje, etj. Nga këto plaçka ata më kanë dhënë edhe mua, Lume Kekës, Thanas Kostës, Milto Kostaqit, disa shoferëve etj..!

Dua të them, se Mehmet e Fiqret Shehu dhe familjarët e tyre,  harxhonin mjaft fotografi, për veten dhe shokët e tyre që bliheshin me paret e shtetit. Gjithashtu ata bënin edhe mjaft filma, ku më kujtohet se skenarët e dy filmave dokumentarë, mbi Mehmet Shehun, një i titulluar; “Fshati im”, dhe një mbi “gjuetinë” i kishte bërë Dritëro Agolli, lexuar tekstin Virgjil Kule, e montuar në Laboratorin e Universitetit të Tiranës.

Gjithashtu di që edhe Ismail Kadareja, po bënte një si skenar për filmat që po bëheshin për Mehmet Shehun: e kisha dëgjuar që merrej me këtë edhe Bashkim Shehu, por s’e çfarë është bërë konkretisht, s’e di. Kohët e fundit me filmat merrej kryesisht oficeri, Dashamir Rapaj………………………………..!

Gjithashtu me Ali Çenon, në kundërshtim me rregullat e vendosura, kam bërë mjaft fotografi me ngjyra e që kushtojnë, duke e marrë letrën fotografike në emër të Mehmet Shehut. Për këtë gjë, ne e kishim rregulluar me laborantet e Laboratorit fotografik, Katjusha Kumi e Adelina Mezini………………..!

Në lidhje me këto harxhime më kujtohet se në shtëpinë e Mehmet dhe Fiqret Shehut, harxhoheshin shumë lekë për ngrënie dhe pirje, me raste drekash dhe darkash, për miqtë e tyre dhe fëmijëve të tyre, për të afërm dhe për veten e tyre dhe Fiqretja e kishte rregulluar edhe me Qamil Peshqeshin, që e kishte dhe fisin e vet dhe me Fejzo Bijon, që një pjesë të këtyre harxheve, t’i paguante Drejtoria e Pritjes, gjoja për dreka zyrtare që ata kishin dhënë për miq partie, ministra dhe zëvendësministra, profesorin e Skënder Shehut në Suedi, etj. Natyrisht, kur bëheshin këto shpenzime, edhe ne të personelit të shërbimit, hanim.

Më kujtohet se në gusht 1980, fatura e ushqimit mujor ishte 7.000 lekë harxhe dhe Fiqretja duke bërtitur, tha se nuk i paguaj dhe pasi thirri Qamil Peshqeshin, e rregulloj këtë problem, se sa pagoi më pas, s’e di.

Di që për pakot e vazhdueshme që Mehmet dhe Fiqret Shehu i dërgonin Skënder Shehut në Suedi, dhe për fëmijët e tjerë kur shkonin jashtë shtetit, si me mish derri, ushqime, etj., Drejtoria e Pritjes paguante për 1 kg. peshë, 10 deri në 16 dollarë………………………….!

Pikërisht harxhime të tilla bënin me shumicë dhe fëmijët e Mehmet Shehut jashtë shtetit, duke i paguar ato Drejtoria e Pritjes. Për veten time unë u dënova nga ligjet e shtetit dhe do të bëjë kthesë nga rruga e gabuar që kisha zënë.

Në lidhje me disa probleme, dua të them se; Në prill-maj 1980, mbasi erdhën nga jashtë shtetit Fejzo Bijo, Koço Çome, Gjergj Çarçani e Astrit Kuçani, që kishin vajtur për të bërë porositë për sendet që duheshin për ndërtimin e shtëpisë së Mehmet Shehut, sollën nga një abazhur për veten e tyre dhe një abazhur të madh tavani 5 degësh, ma dhanë mua si dhuratë.

Ato i kanë futur në Shqipëri, në emër të Drejtorisë së Pritjes, si gjëra që i takojnë asaj. Se si i kanë blerë ato, unë nuk di gjë…………………………………….!

Gjithashtu nga teprimet e materialeve që u ndërtua shtëpia e Mehmet Shehut në Durrës më 1978, unë kam marrë disa shina për perde për shtëpinë teme. Edhe në vitin 1980, mbasi Fejzo Bijo solli disa kampione materialesh nga jashtë shtetit për shtëpinë e Mehmet Shehut në Tiranë, unë kam marrë disa manjete për mbyllje raftesh, dollapësh e komodinash.

Gjithashtu kam marrë nga Fiqret Shehu edhe disa korniza metalike për fotografi (po kështu edhe meshilatorin, kasetat). Pikërisht me këto gjëra, Fiqret Shehu, etj., na kanë dashur të na komprometojnë, na çuan deri sa të kryejmë faj ndaj ligjeve të shtetit, prandaj dua që ato t’i kthehen shtetit……………!

Proces-verbalin e lexova, thëniet e mija janë shkruar drejt, e janë të vërteta, e firmos…………………….! Memorie.al

Dëshmitari                                                                                       Hetuesat

Jonuz Luto                                                                    Bashkim Caka   Sokol Koleka 

Exit mobile version