Zbardhet dëshmia e prokurorit Arjan Ndoja, dhënë pas atentatit që u krye ndaj tij në afërsi të mbikalimit të Shkozetit në Durrës pasditen e djeshme.
Ai ka treguar se me Landi Muharremin është takuar rastësisht në një restorant në zonën e plazhit në Durrës, dhe më pas është nisur me mjetin e tij në drejtim të Tiranës.
“Kam qenë duke drekuar në një restorant në zonën e plazhit. Isha i vetëm në lokal, erdhi Muharremi me të cilin kam njohje dhe një person tjetër dhe u ulën po aty. Më pas u nisëm drejt Tiranës” me automjetin tim”, është shprehur mes të tjerave Ndoja.
Makina e prokurorit ka qenë me xhama të zinj nga pas, ç’ka ka vështirësuar punën për autorët, në rast se shënjestra ka qenë vetë Ndoja. Prokurori ka mohuar që ai të ketë qenë shënjestra e sulmit, duke sqaruar se ata mund ta vrisnin edhe në derën e shtëpisë, pasi ai është një person që lëviz lirisht në Durrës.
“Mua mund të më vrisnin në derën e shtëpisë, në prokurori, nuk kishte se pse të qëllohesha në autostradë”, është shprehur Ndoja, duke mohuar që ai të ketë qenë shënjestra e këtij atentati, ndërsa pretendon se nuk i ka parë lëvizjet e autorëve.
“Unë isha ulur në vendin e parë, ndërsa Maloku në drejtim të makinës. Muharremi pas. Nuk pikasëm ndonjë gjë të dyshimtë deri në momentin që jam qëlluar. Gjithçka ndodhi shumë shpejt”, është shprehur Ndoja.
Landi Muharremi derimë tani nuk ka dhënë asnjë dëshmi, për shak se një prej plumbave e ka kapur në pjesën e nofullës, dhe e ka të pamundur të flasë, deri në një moment që mjekët ta shohin të përshtatshme.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 gëzhoja, pjesa më e madhe e plumbave është qitur në anën nga ka qenë i ulur prokurori Ndoja, çka shton dyshimet që ai të ketë qenë dhe shënjestra.
Çfarë u gjet branda makinës së atentatorëve
Të tjera detaje dalin në dritë nga mjeti që u gjet i braktisur mbrëmë në afërsi të Ishmit, që mendohet se u përket autorëve të atentatit ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoj. Sipas burimeve mesohte se brenda mjetit të braktisur në rrugën dytësore që lidh Shkozetin me Fushë-Krujën u gjetën dy maska me mbetje biologjike, (mendohet se kanë pështymë), të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës, për të parë nëse gjendjen prova që do të çojnë drejt identifikimit të autorëve.
Po ashtu, brenda mjetit që rezulton i vjedhur, po ashtu edhe targa (janë vjedhur në vende të ndryshme) u gjetën 2 kallashnikovë dhe një shishe me benzinë.
Ekspertët e çështjes mendojnë se, autorët pasi kanë kryer krimin, kanë dashur që të djegin mjetin. Por ende nuk dihet fakti se pse nuk e kanë djegur mjetin, i cili është gjetur nga banorët e zonës, teksa ishte me bllokazh ndezur. Mjeti ishte braktisur në një zonë të veçuar në errësirë.
Aktualisht makina është zhvendosur nga vendi i ngjarjes, ndërsa do të kalojë në ‘skanerin’ e ekspertëve të kriminalistikës, për të bërë të mundur gjetjen e provave që do të çonin në identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në lidhje me ngjarjen ka pasur vetëm persona të shoqëruar dhe asnjë të arrestuar si i dyshuar për atentatin ku mbetën të plagosur 3 persona, mes tyre prokurori Arjan Ndoj.
Kush fshihet pas atentatit ndaj prokurorit
Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja vijon të jetë i pazbardhur, ndërsa po vazhdohet në disa pista me hetimet, mes tyre dhe ajo e tentativës së vrasjes për shkak të detyrës.
Dy nga personat që janë shoqëruar dje nga ana e policisë janë dhe Plarent Dervishi dhe Juljan Meçe, të cilët janë lënë të lirë pasi u është marrë dëshmia. Të dy këta persona janë pjesë e bandës së Lulzim Berishës, por për shkak se kanë pasur alibi ku ka ndodhur ngjarja ata janë lënë të lirë.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se Dervishi dhe Meçe kanë qenë në një lokal me kamera sigurie në momentin kur u realizua atentati ndaj makinës me të cilën udhëtonte prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, i njohur si “i forti i Sukthit”.
Shoqërimi dhe marrja e tyre në pyetje u krye, sipas një pjesëtari nga grupi i hetimit, për shkak të një atentati të ndodhur ndaj tyre në muajin qershor të këtij viti, dhe për faktin nëse ata dyshonin apo jo që këtë atentat mund ta kishte porositur Muharremi, i njohur edhe me pseudonimin “Rumi”.
Por të gjitha këto mbeten në kuadrin e pistave dhe hetimeve, ndërsa mendohet se atentatorët në ngjarjen e djeshme kanë vepruar me amatorizëm dhe në ngutje, duke lënë pas gjurmë që po vlerësohen nga policia shkencore.
Pyetja që duan të zgjidhin si fillim prokurorët lidhet me dilemën nëse atentati në automjetin ku gjendej edhe prokurori Ndoja ishte i organizuar ndaj tij apo objektiv ishte pasagjeri që ndodhej në sediljen e dytë, Muharremi.
Hetimet
Hetimet për atentatin e djeshëm te mbikalimi i Shkozetit, ku mbetën të plagosur prokurori Arjan Ndoja, shoferi Andi Maloku dhe Landi Muharremi, janë shtrirë në disa pista.
Pista kryesore lidhet me një atentat për shkak të detyrës kundrejt prokurorit Arjan Ndoja. Edhe pse vetë prokurori e përjashton të ketë qenë ai objektivi. E dyta lidhet me hipotezën se objektiv mund të ketë qenë Landi Muharremi, dhe po hetohet mbi konfliktet që mund të ketë.
Paraprakisht dyshohet që atentatorët të kenë gabuar shënjestrën, pasi kanë menduar që në drejtim të automjetit është Arjan Ndoji dhe jo Andi Maloku mbi të cilin janë derdhur mbi 20 plumba.
Policia në vendngjarje thotë se janë gjetur dy lloje gëzhojash, ç’ka ngre dyshime për dy qitës.