Dëshmia e rrallë e filantropit korçar: Enver Hoxhën e kisha shok në Liceun e Korçës! Më dukej djalë i dobët, e ndihmoja me para borxh! Jo vetëm që s’mi ktheu kurrë, por më burgosi dy here dhe…

“Çfarë është shënuar në monedhë”? – pyeti Jezu Krishti. “Koka e Cezarit”,- i thanë. “Atëherë, jepini Cezarit, çfarë i takon Cezarit dhe jepini Zotit, çfarë i përket Zotit”, u tha Jezui. E pra, siç ka thënë Jezu Krishti, këtu e dymijë vjet më parë. Le t’u japim secilit atë që u takon, pa mëdyshje, pa pasione, pa komplekse. Atyre personave që kanë luajtur dhe luajnë role të rëndësishme, për fatet e kombit shqiptar, përgjatë shekujve dhe dekadave, për mirë ose për keq. Ne që e kemi jetuar dhe parë kthjelltas me sytë tanë, e dimë mirë, dhe t’u themi atyre që vijnë pas, ashtu siç ishte në të vërtetë.

enver hoxha1

Një moment me sinqeritet mendojmë se, kanë rrjedhur gjithë ky ujë nën urë dhe nuk do të rikthejmë më kryet nga e shkuara. Do të ecim përpara, pa u ndalur. S’janë pak, por 24 vjet, qysh atëherë, kur u mendua se ndodhi përmbysja. Dëshira për një vështrim përpara, për një jetë të re demokratike. Me mendësi të reja progresiste.

Mes nesh, e kësaj periudhe është rritur burrëruan në të tjera kushte dhe mendësi një tjetër brez, qe nuk e njeh të vërtetën ashtu siç është. Me indiferentizëm e merr, ashtu si ja thonë. Shpesh thuhet se nuk duan të dëgjojnë asgjë, për sa ka ndodhur përpara 24 vjetëve. Ndërsa për brezin tonë e, ca më tej, pëshpëritet mes vedi; me thënë të drejtën jemi lodhur. Sepse qysh në fëmijëri, na detyruan të mësonim, parulla standarde, steriotipe; për partinë, për Enverin, për diktaturën dhe internacionalizmin proletar. Për dhunën e pamëshirshme, ndaj klasës së përmbysur.

Nacionalizmin, deri në asgjësimin e plotë të saj. I lexonim këto kudo të afishuara nëpër mure. I përsëritnim këto çdo në mëngjes, çdo në drekë dhe çdo mbrëmje. Shpesh herë na ngrinin në mes të natës dhe na urdhëronin të përsëritnim, t’i thoshim me zë të lartë. Na trembej gjumi. Na regëtinte zemra, na këputej syri. Ne sy mbyllur, si somnambulë, përsëritnim atë, nuk donin kurrë ta mendonin dhe jo më ta thoshim.

Na i shurdhuan veshët për dyzetepesë vjet, të dëgjojmë si i binin fyellit në një vrimë. Fatmirësisht edhe pse pak me vonesë, u kuptua prej të gjithëve, se “fyelli” i vjetër, nuk paska vetëm një vrimë, por shumë vrima, ku mund të vendosësh gishtërinjtë dhe të lëshosh të tjerë tinguj.

Por ka nga ata që nuk lodhen dhe nuk mërziten. Ata, të djeshmit e pushtetshëm, që tashmë janë të nginjur me para, duke e lënë popullin fukara dhe i kthehen dhe i rikthehen me djallëzi, duke gjetur të tjera shtigje të verbëta, si rastësisht, gjoja të paditura, si fjala vjen: “Nacionalizmit”. Ti ngrenë më pas në skenën shqiptare. Ti bëjnë të vërteta të padiskutueshme, dhe dalë ngadalë rivendoset ëndrra e tyre, me xhepat e mbushura me para. Instituti marksist-leninist, është përmbysur, por ekziston akoma në ata që e patën krijuar dhe në ata që u mësuan…!

Sot në Shqipëri, me ndryshimin e kahut politik, ardhjes në pushtet të një partie tjetër, u zgjuan nostalgjitë e patologjitë e strukura. Ato gjithnjë ngrihen e ulen, dallgëzohen, vazhdojnë të përplasen në memorie dhe sot e kësaj dite. Ndoshta dhe më tepër, paçka e kemi 24 vjet demokraci…! Tani kanë filluar të zgjohen e të dëgjohen të tjera zëra të paqena, rreth “nacionalizmit” të Enver Hoxhës.

Sakaq, u hap tjetër vrimë në “fyell”, paçka se “fyelli” është të vjetër, i krimbur prej kohës. Por ata kanë filluar t’i bien kësaj vrime. Çfarë paradoksi?! Ndoshta nuk është paradoks, por kalë Troje. Kur vetë ai po të qe gjallë, të dëgjonte një gjë të tillë, do të zemërohej dhe do të gjëmonte: “Kush guxon të më quajë mua nacionalit”?! Ndoshta nuk dihet, sepse ai gjithnjë e dridhte.

Sigurisht që nuk i kishte shkuar kurrë në mendje, se mund ta bënin të tillë. Ishte ai, që me bindje dhe ndërgjegje të plotë, shfarosi me zjarr dhe me hekur, klasën fisnike dhe nacionalizmin shqiptar, punoi e bashkëpunoi kundër popullit kosovar. Ishte ai që mbolli tek ne, internacionalizmin proletar dhe diktaturën e proletariatit, eksperiment alla-enverist. Nacionalizmi për të, ka qene si fantazma e përgjakur e Bankos, që e ka përndjekur dhe munduar mbretin vrasës Makbeth.

Filozofi empirik Tomas Reid, është shprehur: “Supozoni një oficer që është fshikulluar kur ishte një djalë në shkollë, për vjedhje në një kopsht, të ketë marrë një standard prej armikut, në fushatën e tij të parë, dhe që është bërë një gjeneral në moshë të përparuar, mendoj, gjithashtu, e cila duhet të pranohet që të jetë e mundur, që, kur ai mori standardin, ai ishte i vetëdijshëm, që ka qenë i fshikulluar në shkollë, dhe që kur ai u bë një gjeneral, ai ishte i vetëdijshëm për marrjen standardeve, por kishte humbur absolutisht vetëdijen e rrahurës së tij”.

Reid vazhdon të argumentojë, se në kriterin e identitetit personal që fliste Jon Locke, gjenerali është i njëjti person, si oficeri, dhe oficeri është i njëjti person, si ai djali, por meqenëse nuk ka asnjë lidhje psikologjike ndërmjet djalit dhe gjeneralit, del që gjenerali dhe djali, nuk janë i njëjti person.

Fuqia e argumentit, nuk është vetëm që ne mendojmë intuitivisht; që djali dhe gjenerali, janë i njëjti person. Një mbrojtës i Locke-ut mund thotë, se në një kuptim shumë të vërtetë, gjenerali është person shumë ndryshe nga fëmija. Në të vërtetë, argumenti i oficerit trim, qëndron duke treguar se pozicioni i Locke-ut, rezulton në një kundërshtim, që shkakton, si Reid e vë atë, se; “gjenerali është, dhe në të njëjtën kohë nuk është, i njëjti person me atë që fshikullohej në shkollë”.

Ky rezultat ndodh për shkak të një parimi logjik i njohur si transitivitet i identitetit. Shkurt, transitiviteti i identitetit është principi që është A = B dhe B = C , atëherë A = C. Argumenti “oficerit” i Reid-it tregon se kriteri i Locke-ut i identitetit personal është në kundërshtim me këtë rregull. Si rezultat e kësaj kontradikte, ajo hedh poshtë kriterit e Locke-ut, si një kusht i nevojshëm ose i mjaftueshëm të identitetit.

Mu kujtua një kushëri i babait, Aleko Turtulli. Atëherë isha i vogël. Ai kishte qenë bashkë student në liceun e Korçës, të cilën ia dhuroi qytetit familja jonë. Aleko ishte gjithashtu bashkë student në Monpelje me Enver Hoxhën. Njëkohësisht ne si familje, i kemi përkrahur studentët e huaj prej trevave të ndryshme të Shqipërisë dhe me rezultate të mira në mësime. Me ndihmë materiale, po ashtu dhe me drekë tradicionale në familje.

Por më shumë prej të tjerëve, familja jonë përkrahu djaloshin delikat Enver Hoxhën, meqenëse Alekos iu duk një djalë i dobët, i brishtë, i sinqertë. I cili qëndronte i mënjanuar, i ndrojtur, disi i trembur në cep të murit, të liceut. Aleko e mori pranë, e inkurajoi dhe u miqësua me të. Në momente të vështira e mbështeti moralisht dhe materialisht. Më të shumtën e herës, për nevoja të ndryshme, i jepte të holla borxh, por që kurrë nuk iu kthyen.

Me vendosjen e diktaturës në Shqipëri, Aleko u dënua dy herë me burg. Dhe kur doli prej burgimeve të gjatë, në burgjet famëkeq, burri shtatlartë, shëndetshëm, i pashëm ishte krejtësisht i shpërfytyruar, një kufomë e gjallë. Ai vinte gjithnjë për vizitë në shtëpinë tonë dhe ishte jashtëzakonisht korrekt. Çdo të shtunë, fiks, në orën tre pas dite. I kërrusur, mbështetur pas një ombrelle të zezë, të cilën nuk e hiqte nga dora dimër dhe verë. Ngjiste shkallët me vështirësi, duke marrë frymë me zor dhe trokiste lehtë në derë, me gishtin tregues te përthyer.

Hyrja e tij në dhomë, ishte krejt ndryshe nga të gjithë ardhësit në shtëpinë tonë, dhe njerëzit që kam njohur në jetën time. Ai zgjaste kryet, më pas gjysmën e trupit, pastaj hynte gjithi në dhomë. Trupi i Aleko Turtullit, nuk ishte si gjithë të tjerët, por qe i sakatuar. Ai qe i përthyer më dysh, shkaktuar prej qelive të lagështa dhe prej torturave të pandërprera. Babai dhe Aleko, tërhiqeshin në cep të dhomës larg dritareve, sepse gjithnjë poshtë dritareve, do kish ndonjë që përgjonte. Ata rrufitnin kafen e nxehtë dhe flisnin zë ulët me njëri tjetrin.

Çfarë thuhej tek ‘Zëri i Amerikës’ dhe pastaj fjala shkonte atje ku dhembte shpirti: “Si e ndihmoje o Leko, – i thoshte babai, – – kur e shihje se çfarë njeriu ishte.  Shiko çfarë na bëri, na shkuli me kuç e maçkë dhe tani na ndjek hap pas hapi dhe po na shfarosen të gjithëve. Aq me keq kur ai e di shumë mirë si dreqi, se çfarë ka bërë familja jonë për Korçën dhe Shqipërinë”. Aleko rënkonte, rrufiste kafen e zezë dhe mërmëriste: “Po ai është aktor bre Petro, aktor dhe shkuar aktorit. Ta dredh, ta bën të pabërën të bërë, të lë dopoi gjashtën në dorë.

Natën të vret, ditën të qan dhe pas shpine të kërren…! Shiko mua, shokun e tij të rinisë e të studimeve, si më katandisi. Të kujtohet kur erdhi për vizitë tek ne në Korçë. Unë kisha disa muaj që kisha dalë prej burgut dhe punoja bojaxhi. Atë e shoqëronte Myftar Grabocka, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Korçës, si dhe shumë pushtetarë të tjerë. Me sa më kujtohet, unë po suvatoja murin e në godine të re. Myftari ndaloi këmbët dhe tregoi me gisht andej nga punoja unë, hipur mbi shkallë. – ‘Një prej klasës së deklasuar, e kemi vënë të lyejë muret,’ i tha.

– ‘Shumë mirë ia keni bërë, kështu e meriton klasa e përmbysur,’ i tha Enver Hoxha. – ‘Po kush është ai?’ e pyeti. ‘Aleko Turtulli, ju e njihni mirë atë,’ – iu përgjigj Myftari. Korçarët e njihnin miqësinë që kishte pasur ai me mua. – ‘Ashtu, ah po, dhe lyen muret, ia bëri Enver Hoxha, dhe hodhi një vështrim të turbullt mbi ndjekësit e shumtë përreth tij, pastaj shtoi: ‘Hiqeni prej aty dhe vëreni në një vend më të mirë’.

Pas disa ditësh çuditërisht, më caktuan të punoja ekonomist në ndërmarrje. Fluturoja, filloi të më vinte shëndeti dhe me vete thosha qe shyqyr zotit paska dhe shpresë, paçka se vazhdonim të jetonim te ‘Kulla e hirit’. Por puna ime si ekonomist, nuk e pati jetën e gjatë, zgjati vetëm disa muaj. Në mesnatë bie zilja në zyrën e Myftarit. Ishte ai. Mes të tjerave e pyeti dhe për mua. – ‘E kemi vënë të punoje ekonomist në një ndërmarrje’, sipas porosisë suaj shoku…’! ‘Porosia ime’?! ia bëri me habi ai.

‘Si urdhëron’! ‘Ç’më thua more! Mos ma tarnanisni, gjejini një shkak dhe rraseni brenda, kjo është porosia ime’. Ti e di mirë, për të na dënuar ne, gjendet shumë lehtë shkaku. Të nesërmen u gjenda në pranga. Dënimi dhe burgimi i dytë, ishte më i egër se i pari. Më katandisi në këtë gjendje. Ç’pret prej tij që urdhëroi të vritet dhe i kunati, Bahri Omari, një nacionalit i kulluar”. E mbaj mend fort mirë, se si dridhej kur fliste e rënkonte dhe si zverdhonin rrudhat e munduara të Aleko Turtullit.

Vit pas viti i shkreti Aleko Turtulli u kërrus, u mblodh, deri sa u tret. Por si mundimi dhe torturimi i njeriut tonë, ndodhi me qindra dhe mijëra nacionalistë të prej shtresës fisnike shqiptare. Mund të përmend, shpirt-kulluarin, mendimtarin, fisnikun, nacionalistin e flaktë, Xhevdet Kapshtica. Ai rridhte nga një familje e shquar shqiptare, që jetën e tyre e lidhën me interesat e kombit. Xhevdeti u përndoq egërsisht, u burgos familjarisht, si rrallë të tjerë.

Madhështorin, komitin sypatrembur, patriotin papërkulur Koli Rodhe, kryengritës i shquar, i cili përshkroi më këmbë natë e ditë male dhe ngrehina, kaloi mes përmes hafije turke, mbajti të fshehur në gjoks flamurin e shenjtë kuq e zi, për ta ngritur në ditën e madhe të pavarësisë, në Vlorë. Koli Rodhja u përndoq si asnjë tjetër, me ‘mëkatin’ e vetëm, që ishte shqiptar i dhe nacionalist i kulluar. Për këtë ‘mëkat’, se ishte nacionalit u arrestua, u dënua dhe u burgos në burgun famëkeq të Spaçit.

Por ai besonte me sinqeritet, se një ditë do të vërtetohej pafajësia e tij, ndaj mbante kostumin e zbardhëllyer poshtë jastëkut dhe fshehtas e shtrinte të mos zhubrosej. Me shpresë që kur të dilte prej burgut, të takonte gruan, fëmijët dhe miqtë, të paraqitej i veshur dhe i mbajtur mirë. Po ëndrra e tij e lirimit, u varros në qershizën e oborrit të burgut Burrelit, pa nam e nishan. Në atë burg famëkeq komunist, shumë hynin, po fare pak dilnin. Familja, gruaja, fëmijët e tij, vuajtën dhe u përndoqën, gjithë jetën. Dhëndri i tij Genc Leka, ishte njëri prej martirëve, poetëve të Librazhdit.

Thoma Orogollain, personalitet klasi, fjala e tij në prag të pushtimit prej fashizmit, është madhështore, prej një patrioti dhe nacionalisti të vërtetë. Llazar Fundo, shkurt Zai, i cili ishte ëndërrimtar, idealist dhe një intelektual i shquar, njohës i shkëlqyer i nëntë gjuhëve të huaja. Kur ishte në Moskë, pa me sytë e tij varfërinë dhe hipokrizinë e sistemit komunist. U trondit dhe u zhgënjye. Protestoi për këtë gjendje. Stalini kur pa mendimet dhe problematikën që përbënte ky person, dha urdhër të arrestohej. Një prej miqve të vet të ngushtë, e lajmëroi Zain për rrezikun që i kanosej.

Zai braktisi Moskën, duke kaluar natën, përmes ujërave të zeza të qytetit. Më vonë për bindjet e tij, u dënua nga fashistët në Ventotone, ishull i largët, vend internimi i Italisë. Zai Fundo u bind më në fund se çlirimi i vërtetë dhe bashkimi i Shqipërisë me të gjitha trojet shqiptare, ishin nacionalistët dhe forcat e djathta, u lidh me familjen e madhe të Kryezinjve. Enver Hoxha, duke parë rrezikun dhe reputacionin që kishte Zai Fundo dha urdhër, të arrestohej me çdo kusht. Zai u kap tradhtisht dhe u dënua, duke u tërhequr zvarrë, i lidhur pas bishtit të kalit në shkrepat dhe gërxhet e Kolesjanit të Kukësit, ku dhe dha shpirt.

Kujtojmë këtu se kompleksiteti i verbër, çoi që eshtrat e të madhit Gjegj Fishta të hidheshin në Bunë. Poeti i madh, nderi i Kombit, i këndoi atdheut me aq madhështi dhe dashuri në ‘Lahutën e Malësisë’. Mund të përmend patriotin e dalluar, Kristo Kirkën, vuajtjet dhe persekutimin e tij. Studentin ëndërrimtar Sami Repishti, i cili vuajti burgun, se donte në Shqipëri të vërtetë, etnike, ai është një histori e gjallë.

Samiu, edhe pas daljes nga burgu, arratisjes, mbërritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punoi për atdheun dhe kombin me mish e me shpirt. Sami Repishti dhe sot e kësaj dite edhe pse i moshuar nuk reshtën, bën një aktivitet të dalluar për kombin. E të tjerë, e shumë të tjerë patriotë dhe nacionalistë, të vrarë, të persekutuar, të gjymtuar. Lista e nacionalistëve mëdhenj, nuk ka fund.

Enver Hoxha, nuk ka menduar, nuk i ka pëlqyer dhe nuk ka mbajtur asnjëherë kostumin e shenjtë të nacionalistit, mbasi nuk i shkonte për shtat. Po të ishte i tillë, nuk mund të jetonte aq gjatë në majë të Olimpit, në pushtet. Ai krijoi çka desh. Ai ishte i pakundërshtueshëm. Ai ishte absolut. Vrau, burgosi, internoi e mbretëroi, për më shumë se dyzetë vjet, në një Shqipëri të varfër. Me parullën e tmerrshme; “Sikur bar të hamë, parimet nuk i shkelim”. Për çfarë parimesh bëhej fjalë?! Për të mbajtur pushtetin e tij, sepse populli, në kushtet e një diktature ekstreme, është jashtëzakonisht i bindur.

Sepse përpara i është servisur kulaçi dhe kërbaçi, çfarë t’i thuash, bën populli! Populli nën trusni, kur i fshihet truri, do të ketë vetëm një kafshatë bukë, dhe një dritë të vakët dhe beson verbërisht nën demagogji, se; si ai, nuk ka të tjerë në botë! Sepse vetëm ai është fanar ndriçues në botë. E plot marrëzi të kësaj natyre. Se populli është popull. Brohorit se dua unë dhe me barkun bosh. Por varfëria e popullit, ishte e tejskajshme, me triska dhe tallona, thika po shkonte gjithnjë e më tepër me palcë. Më kujtohet se nuk gjeja një kokërr limoni, për të njomur buzët e zhuritura të tim ati, kur u sëmur dhe u operua.

Prandaj ndodhi shkërmoqja dhe përmbysja e sistemit në Shqipëri, paçka se ishte me vonesë. Çelja e disa luleve të para të pranverës demokratike…! Kuptohet se, as nuk mund të mohohet, ai në një mënyrë ose në tjetrën, është ngulur në histori, siç janë ngulur: Ali Pashë Tepelena, Princ Vidi, Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani. Avni Rustemi. Mbreti Zog, Fan Noli, Qemal Stafa e, të tjerë. Mund ta përmendim për të tjera gjëra, por kurrë për nacionalist. Pra, ky kostum i kushtueshëm, nuk mundej dhe nuk i ka shkuar asnjëherë për shtat…!

U tha se Enver Hoxha, na paska menduar dhe është përpjekur me mish e me shpirt, për vëllezërit kosovarë dhe Kosovën. Tashmë dihet fort mirë, që ideatorët për krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare u bën të dërguarit e jugosllavëve, Miladin Popoviçi me të tjerë. Ishin ata që nxitën luftën vëllavrasëse në Shqipëri. Sepse dihej po të fitonin forcat e djathta, të cilat e kishin në program, në Dekalog, pikë të parë; Do të luftonin pa kompromis për një Shqipëri etnike, ku në të futeshin të gjitha trojet shqiptare, etnike, të marrë padrejtësisht me përdhunë. Serbet e dinin fort mirë, kështu do t’u ikte Kosova prej duarsh. Kujtojmë këtu Rezolutën e Bunjajt (1943-‘44).

Kjo rezolutë ka pasur për qëllim, krijimin e Kosovës si njësi të Federatës Jugosllave. Por në fakt në Bunjaj, është aprovuar Rezoluta, në të cilën është thënë: “… arriti momenti i fundit për bashkimin e popullit shqiptar të Kosovës me Shqipërinë….”! Kjo rezolutë, është e shkruar në gjuhen shqipe dhe në gjuhën serbo-kroate. Kjo rezolutë është dëshmi se lufta nacional-çlirimtare e Kosovës, ka qenë luftë për bashkim  me Shqipërinë. Kjo Rezolutë ishte e ngjashme me idenë e forcave të djathta shqiptare, si ‘Balli Kombëtarë’, NDSH-eja etj., për bërjen e një Shqipërie etnike dhe demokratike.

Një muaj pas mbledhjes së Bunjajt, politbyroja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, i ka shpallur të pavlefshme këto vendime. A mund të ngrihej Enver Hoxha me komunistet e shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë, për masakrat që i bënë serbo-malazezet vëllezërve tanë të një gjaku, kosovarëve? Demagogjitë dhe hipokrizitë janë ngritur dhe ulur në bazë të situatave, po asnjë masakër nuk është guxuar të dënohet, e sidomos ajo e Tivarit! Masakër kjo e pa parë ndonjëherë në historinë njerëzore. Për këtë masakër, si dhe shumë masakra të tjera, Enver Hoxha heshti. Gjenocidi ndaj mijëra shqiptarëve, të mobilizuar dhe të dërguar në armatën e Katërt të Ushtrisë Jugosllave.

Persekutimi ndaj vëllezërve kosovarë, ka qenë i tejskajshëm prej serbëve dhe mekanizmave të tyre. Kosovarët e vuajtur, patriotë, me gjithë familje arratiseshin, kapërcenin kufirin, me shpresë së do të gjenin mbështetje në Shqipëri, në atdheun amë. Shumë prej tyre arrestoheshin dhe dënoheshin, familjet e tyre vuanin përndjekjen.

Sigurimi Shtetit nuk mjaftonte me kaq, por u vinte pas këtyre familjeve, punonjës Sigurimi, djelmosha ashikë, për tu a shkatërruar, jetën e, bërë dhe më të zezë. Aso kohe vetë shteti shqiptar, e kishte krijuar gjendjen, të endej si një hije e zezë, e të pëshpëritej; se në përgjithësi, kosovarët që vijnë në Shqipëri, janë spiunë të UDB-së Jugosllave, prandaj porositej t’u qëndrohej larg dhe të kihej kujdes.

Kosova dhe vëllezërit tanë kosovarë, me gjak dhe sakrifica dhe me ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e morën më në fund mëvetësinë. Kjo është një ngjarje e shkëlqyer në historinë e kombit shqiptar. Ëndrra e qindra e mijërave patriotëve, martirëve u bë realitet. Në Shqipëri e njëjta gjendje rrodhi nga viti në vit. Shqipëria ishte ajo që ishte, dhe është ajo që është…! Prandaj nuk mund të flitet për këtë kostum të kushtueshëm, sepse asnjëherë nuk i ka shkuar për shtat Enver Hoxhës, një prej diktatorëve më gjakatar, që ka parë njerzimi! gazetadielli.com

Artikulli paraprak“O ne jemi të vdekur o vëlla”- Premtimet e bujshme për t’i dhënë fund shfrytëzimit të maleve! Si u shtuan lejet dhe çfarë e lidh pushtetin me këtë biznes!
Artikulli tjetërRrahjet e zemrës nga kafja, a duhet të shqetësoheni? Zbuloni arsyet se përse kjo ndodh