Dëshmia e vëllait në Prokurori: Kompania fshehu vrasjen e Arditit

Prokuroria e Tiranës merr në pyetje vëllanë e madh të Ardit Gjoklajt, 17-vjeçarit që u gjet i vdekur brenda landfillit të Sharrës. Bëhet e ditur se, oficeri i policisë në prani të prokurorit Julian Zonja, ka administruar në dosje dëshminë e Ardian Gjoklajt. Ky i fundit ka treguar se prej disa muajsh punonte pranë landfillit si punonjës i kompanisë “3R”, por i paregjistruar. Ai ka treguar se pronari i kompanisë, i shpallur në kërkim Edurim Teqja e ka punësuar dhe punonte çdo natë në turnin e tretë të selektimit të mbeturinave. Para hetuesve, Ardian Gjoklaj është shprehur se vëllai 17-vjeçar kishte mbi 1 muaj që punonte bashkë me atë në turnin e natës, në selektimin e mbeturinave.
Natën e ngjarjes, ai i ka thënë hetuesve se e kishte lënë vetëm vëllanw të punonte, pasi vetë kishte shkuar për vizitë te gjyshja dhe vetëm në mëngjes kanë konstatuar se Arditi nuk ishte kthyer nga puna. Në Prokurori Ardian Gjoklaj ka treguar se drejtuesit e kompanisë, ditën e ngjarjes kanë mohuar se Arditi ishte në punë atë natë, duke tentuar të fshehin krimin. Por disa ditë pas ngjarjes, ai i ka thënë hetuesve se në kapanonin e landfillit ka marrë rrogën e tij mujore dhe të vëllait, që u gjet i vdekur brenda landfillit.
Nga ana tjetër, hetuesit kanë ngritur dyshime se Bashkia e kryeqytetit nuk ka bërë tender të hapur për shpalljen fituese të Kompanisë “3R” për selektimin e mbetjeve urbane brenda landfillit. Por, me një urdhër të veçantë të kreut të Bashkisë, dyshohet se Kompania “3R” ka nisur punën në landfill, urdhër ky që pritet të verifikohet pas dorëzimit të materialeve në Prokurori nga Bashkia e kryeqytetit.
Veç dëshmisë së vëllait të viktimës, 16 persona janë marrë në pyetje për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Familjarët dhe punëtorët e Kompanisë “3R” kanë dëshmuar para prokurorëve se adoleshenti që humbi jetwn, ishte punëtor në landfill dhe nuk ishte i siguruar.
Sipas akuzës, krahas marrjes së dëshmisë së punonjësve të Kompanisë “3R” që tashmë janë në hetim, Prokuroria ka pyetur edhe disa punëtorë të landfillit dhe familjarët e viktimës 17-vjeçar. Edhe punëtorët dhe pjesëtarët e familjes, kanë këmbëngulur dhe provuar para hetuesve se i riu ishte punëtor sezonal në landfillin e Sharrës, i paregjistruar dhe jashtë çdo rregulli ligjor për shkak të moshës. Ky fakt, tashmë për Prokurorinë është sqaruar pavarësisht deklarimeve të përgjegjësit të turnit në momentin e parë, pas gjetjes së trupit të pajetë të 17-vjeçarit.
Nga ana tjetër Bashkia e Tiranës, edhe pse kanë kaluar gati dy muaj nga ngjarja nuk i ka vënë në dispozicion Prokurorisë dosjen e plotw të funksionimit të landfillit në Sharrë. Prokuroria ka kërkuar kontratën e Bashkisë me kompaninw italiane dhe më pas kontratën me kompaninë “3R” të Edurim Teqjes së shpallur në kërkim. Si dhe raportet e mundshme, nëse Bashkia ka kryer ndonjëherë inspektim në këtë landfill për mënyrën e trajtimit të punonjësve dhe menaxhimit të selektimit të mbeturinave brenda landfillit të Sharrës.

R.POLISI

Exit mobile version