Seanca gjyqësore ndaj kapobandës Emiljano Shullazi dhe grupit të tij ka qënë tepër e tensionuar. Emri i shoferit të biznesmenit Ylvi Beqja, Besnik Musai, dëshmia e të cilit rëndoi pozitën penale të Emiliano Shullazit u kthye në një “mollë sherri” mes palëve në seancën e të martës.
Avokatët u përfshinë në debate të ashpra me prokuroren, se përse dëshmitari Musai ishte marrë nën mbrojtje policore.
Gjuhës së tensionuar nuk i shpëtoi as i pandehuri Shullazi. Ai kërkoi llogari nëse dëshmitari Musai kishte dhënë deklarime në Prokurori, para se të pyetej në Gjykatë.
Prokurorja në sallën e gjyqit shpjegoi se Musai mbrohej si rreth familjar i Ylvi Beqjes dhe se ai nuk ishte pyetur prej saj në prokurori, shkruan abcneës.
Pas kësaj përgjigje, Shullazi kërkoi rithirrjen në proces të dëshmitarit, për të sqaruar këtë moment. Gjatë dëshmisë së tij në muajin shtator 2017, Musai tha se kishte parë Shullazin t’i drejtonte pistoletën biznesmenit Ylvi Beqja.
Akuzat ndaj Shullazit dhe grupit të tij
Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe në pesë raste ka rezultuar se Shullazi së bashku me shokët e tij Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja, Endrit Zela janë të përfshirë në disa aktivitetet kriminale.“Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, në dëm të shtetasve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku, Kanosje për shkak të detyrës, në dëm të shtetasve Mynyr Kone dhe Dhori Kule, “Shkatërrim prone me eksploziv”, në dëm të pronës së shtetasve Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku, “Grup i strukturuar kriminal” , “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Prokuroria sqaron se në harkun kohor të dy viteve, në periudhën 2014-2016, të akuzuarit si grup kriminal kanë shtrënguar me anën e kanosjes shtetasin Ylvi Beqja, dhe ky i fundit i kaloi në pronësi Emiljano Shullazit një pjesë të ish-hotel “Vollga” në Durrës, si edhe shuma të konsiderueshme monetare. Më tej sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka rezultuar se, në Janar 2016, të akuzuarit si grup i strukturuar kriminal kanë shtrënguar për dhënie pasurie shtetasin Adriatik Kërçuku, i cili ishte pronar i një biznesi mjetesh lundrimi në Lushnje.
Dy muaj pas kërcënimeve ndaj këtij shtetasi, konkretisht në Mars 2016, pjesëtarët e grupit, akuzohen se kanë vendosur dhe shpërthyer lëndë plasëse tritol në ambientet e biznesit të të dëmtuarit Adriatik Kërçuku.
Këta shtetas, thotë Prokuroria janë përgjegjës dhe për kërcënimin e shtetasit Jani Zarka, më konkretisht “Në Shkurt 2016, të akuzuarit si grup kriminal kanë shtrënguar për dhënie pasurie shtetasin Jani Zaka, i cili posedonte pronë në Tiranë. Të pandehurit akuzohen se i kanë vendosur lëndë shpërthyese tritol një garazhi në pronësi të Jani Zaka, në shenjë kërcënimi për qëllime përfitimi të paligjshëm”.
Përpara arrestimit nga prokuroria episodi i katërt për të cilën krimet e rënda akuzojnë grupin e Shullazit i përket kërcënimit të rektorëve gjatë garës për zgjedhjet në universitete.
Në Prill 2016, të pandehurit akuzohen se kanë kanosur për shkak të detyrës shtetasit Dhori Kule dhe Mynyr Kone, pedagogë dhe drejtues në Universitetin e Tiranës, me qëllim që profesor Kone të largohej nga gara për Rektor në këtë universitet.
Për këto episode për të cilat Prokuroria ka mbyllur hetimet kërkon nga Gjykata e Krimeve të Rënda gjykimin e këtij grupi kriminal.
Shullazi u arrestua më 18 Prill 2016 pasi ai u denoncua nga ish kryeministri Berisha se kishte kërcënuar Dhori Kulen e Mynyr Konin, ndërsa ai së bashku me shokët e tij ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar gjithmonë revokimin e masës së sigurisë arrest me burg.