Dëshmia për vrasjen në Borsh: Policia na braktisi

Zbardhen detaje të reja nga vrasja makabre e guzhinierit në Borsh, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë. Dëshmitari Enea Myftari ka rrëfyer para hetuesve se, kishte kërkuar ndihmë nga policia e Borshit, por i kishin thënë që të vinte nesër sepse ishte vonë. Në dëshminë e tij, Enea Myftari thotë se, pasi e kishin larguar nga Posta Policore në Borsh, kishte takuar edhe shefin e FNSH-së të cilit i kishte shpjeguar situatën, duke i thënë se kishin pasur një sherr me disa djem, të cilët ishin të armatosur.
Edhe ai i kishte thënë që të shkonte nesër në Komisariatin e Policisë në Himarë dhe të bënte denoncimin. Por kjo gjë nuk ka qenë e mundur, pasi vetëm disa metra më tutje do të shpërthente sherri i dyti, që do të sillte edhe pasoja të rënda, vrasjen e guzhinierit Premtim Bega.
“Pas sherrit të parë u shkëputa dhe u nisa për të kërkuar ndihmë në Postën e Policisë Borsh. Kur kam shkuar kam takuar policin e shërbimit Shefqet Toçi dhe i kam kërkuar që të bënte kallëzim, pasi ndihej i kërcënuar nga personat që e goditën.
Polici i shërbimit ka marrë në telefon komandantin e postës i quajtur Viktor dhe i ka sqaruar problemin dhe ai i kishte thënë që të shkonte të nesërmen e të bënte kallëzim.
Në këto kushte jam larguar nga posta e policisë, por në rrugë kam takuar komandantin e FNSH-së, të cilit i kam thënë se kisha problem me dy djem dhe ai më tha që të shkonte ditën tjetër e të bënte kallëzim në Himarë.
Dhe pasi u larguam disa metra nga policia, na kanë dalë para përsëri në drejtim të fermës, personat që e kishin goditur pak më parë, por që ishin me automjetin tjetër tip ‘Ford’ ngjyrë ‘blu’ i cili është në pronësi të shtetasit R. H., babait të Nasi Hodo.
Në automjet së bashku me ata dy persona kësaj herë ishte edhe Nasi Hodo. Këta persona kanë zbritur nga automjeti i tyre, duke mbajtur në dorë leva, kaçavida dhe thika dhe u drejtuan tek ata… Pas këtij sherrit të dytë, mbeti i vrarë me thikë kuzhinieri Premtim Bega”, ka rrëfyer në dëshmitari Enea Myftari.
Denoncimi i këtij skandali është bërë nga ish-Kryeministri Berisha që ditën e ngjarjes pas marrjes së një mesazhi nga një qytetar nga Borshi. Enea Myftaraj shkruante se kishte shkuar në rajonin e policisë në Borsh dhe kishte kërkuar ndihmë, pasi shoku i tij po kërcënohej me jetë nga disa persona, por oficeri i policisë i ka thënë: “Eja nesër se sot është vonë”. Viktima 30 minuta para vrasjes kërkoi ndihmën e policisë. Çunat e krimit i thanë “le të të vrasin ty sot se nesër do merremi me ta?!?!”, shkruante Berisha në një postim në Facebook.
Ndërkohë, tre të rinjtë që dyshohen si autorë të ngjarjes që ndodhi në fshatin Borsh disa ditë më parë dolën para Gjykatës së Sarandës për masën e sigurisë. Trupi gjykues vendosi arrest me burg për Ronaldo Shehun, Xhonatan Muçon dhe Thanas Hodon. Mësohet se asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të flasë në Gjykatë. Ndaj tyre rëndon vepra penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ndodhi më 26 korrik në rrugën kryesore të fshatit. Pas përplasjes verbale mes 7 personave konflikti degradoi deri në përdorimin e mjeteve prerëse, ku mbeti i vrarë Premtim Bega dhe u plagosën shokët e tij. Hetuesit janë përqendruar në pistën e një konflikti të mëparshem për pronësinë.

Artikulli paraprakAkuza Inspektoriatit: Toleroi cisternën ‘bombë’ në Velipojë
Artikulli tjetërTurizmi i vdekjes, 16 të mbytur në dy javë