“Nga më të rëndat, sinqerisht. Nuk kishte dënim fizik, por ishte dënimi psikologjik. Kishin rekrutuar të burgosur politik të dobët nga karakteri. Kjo është e tmerrshme. Ne nuk kishim asnjë siguri në do dilnim të gjallë ndonjëherë apo s’do dilnim të gjallë“.
Baftjar Shemaj rrëfen vitet e burgut në Ballsh edhe në Qafë Bari si dhe dyshimet nëse do dilnin të gjallë ndonjëherë nga burgu apo s’do të dilnin kurrë prej tij.
Dëshmia nga Baftjar Shemaj
Në vitin 1949, prindërit tanë, babai me dy xhaxhallarët menduan të largoheshin nga Vasjari dhe të kalonin në Berat, qytet ku ata kishin miq, edhe të strehoeshin, edhe të punësoheshin me ndihmën e miqve në Berat. Babai im nuk shikohej mirë në syrin politik të atij regjimi. Pastaj, babai im ka qenë edhe anëtar i Ballit Kombëtar. Ky motiv politik, ekonomik shtyn të tre vëllezërit të ikin nga Tepelena dhe të banojnë në Berat. Në Berat ndenjëm 18 vjet. Unë atje mbarova shkollën e mesme pedagogjike për arsimtar. E kam ushtruar profesionin në Skrapar, ku më është dhënë mundësia në fillim. Më vonë në Berat, pastaj për ngjyrat politike që ka patur familja ime, na heqin me forcë nga qyteti i Beratit dhe na çojnë prap në fshat, në Vasjar. Pas 4 viteve, në 1974, më heqin përsëri nga arsimi, përsëri shkoj në kooperativën bujqësore dhe në 1977, më arrestojnë për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe popullit.
-A e kujtoni momentin e arrestimit?
Atë ditë ishim duke punuar. Meqenëse ishte dhe muaji nëntor, mbillej gruri. Ishim afër shtëpisë, jo larg. Vjen kryeagronomi i kooperativës bujqësore të bashkuar. Zakonisht, kur vinte ndonjë personalitet nga kooperativa jonë apo nga rrethi, në atë moment bëhej pushim. U grumbulluam pas tij, çfarë do na thoshte. Na thotë. Tha, po ça tha. Kush është Baftjar Shemi këtu?
Unë, i thashë. I thotë brigadierit: Do na i lejosh këtë Baftjarin, ta marrim. Fshati është kodër, edhe makina nuk vinte dot, se atë ditë binte një vesë shi. Nuk kishte mundur të vinte në fshat makina dhe do të shikojmë pak parcelat e grurit, si janë bërë vijat, se ky merr vesh, se ka dhe arsim. Merreni, thanë ata, dhe më morën.
Poshtë, kur zbres tek rruga e asfaltuar, vjen një qytetar. S’e njihja fare. Më thotë: Ti je Baftjari? Po, i thashë unë. Si je? I thashë: Mirë. Prisja të më lëshonte dorën, se do takohej, do ndaheshin duart, kjo dihet. Nuk më lëshoi, më tërhoqi me vete, deri tek makina. Atje kuptova se diçka po ndodhte me mua. I thashë: Si është puna? Hip në makinë, më tha. Atje më tha: Je i arrestuar në emër të ligjit, në emër të popullit, dhe më vunë hekurat. Unë jam dënuar në gjyq me 10 vjet. Dënimin maksimal. Njëherë të burgosurit shpërndahen në Kaushë të Tiranës, atje bëhet shpërndarja. Ka komandë, edhe atje bëhet shpërndarja. Unë vajta në Kaushë, edhe pas një muaji, erdhi rradha edhe më çuan në Ballsh. Por, këtu një specifikë, unë në Kaushë nuk e dija, por nëpërmjet të burgosurve të vjetër i bëj një letër komandës edhe i them: Mundësisht, mos më dënoni në Spaç, se atje kam vëllain dhe kunatin. Po të merrje vesh që ke familjarë atje, bëhen tre dhe kush e di se.
-Sa vjet ishte dënuar vëllai dhe për çfarë?
Agjitacion dhe propagandë. 7 vjet.
-Sa vjet ishte dënuar kunati juaj?
Kunati ishte shumë i persekutauar. Ishte dënuar me 30 vjet.
-Kush ishte kunati juaj?
Enver Mustafaraj. E njohin të burgosurit e vjetër shumë. Ka marrë pjesë edhe në grevën e urisë, nga më të rëndat, po ta them sinqerisht. Nuk kishte dënim fizik, por vetëm psikologjik. Çfarë bënin ato në Ballsh… Kishin rekrutuar të burgosur politik, të dobët nga karakteri dhe që i merrnin, i fusnin nëpër biruca për t’i ballafaquar me të paraburgosurin që do kalonte në gjyq dhe për të marrë dënime më të rënda ose për t’u ridënuar. Ka qenë i dënuar, por e kanë marrë e kanë ballafaquar më këtë që ishte rekrut edhe për t’u ridënuar. Kjo është e tmerrshme. Pra, ne nuk kishim asnjëherë siguri a do të dilnim të gjallë nga burgu apo s’do dilnim të gjallë. Edhe unë isha kandidat për t’u ridënuar, po mos të vinte amnistia që bëri Ramiz Alia, në 1986. Pastaj na hoqën, ç’ishim të aftë për punë fizike, për punë të rënda në minier, që ishte një qeli e vërtetë vdekjeje në Qafë Bari.
-Si ishin kushtet në burgun e Qafë Barit?
Një ferr i vërtetë. Kush ishte e tmerrshme atje? Më e tmerrshme ishte puna fizike, brenda në minierat e Qafë Barit. Atje mungonte infrastruktura, shinat ishin shumë keq, duhej një riparim shumë i madh, me ajrimin të rrezikuar. Mund të prishej ajrimi dhe ti mund të vdisje aty brenda. Nuk e ke idenë se si ishte puna atje dhe dhuna që ushtrohej nga policia. Ishte një nga policitë më të egra. Këtë e tregonin më të vjetrit në burg, që kishin kaluar disa kampe, se unë s’e njihja. Unë njihja vetëm Ballshin edhe Qafë Barin. Kishte një polici tepër të egër, aq sa në Qafë Bari u zhvillua edhe një revoltë jo e përmasave të Spaçit, më e vogël, por jo e parëndësishme për Sigurimin e Shtetit. Atje, janë pushkatuar në mënyrë krejt të pafajshme, krejt kot, dy të burgosur politikë.
-A ka patur raste aksidentesh?
Shumë. Në galeri, të vdiste shoku kur të doje, në krahë. Binte materiali që nga lartë, e godiste në kokë edhe vdiste.
Si ndodhi, një rast, i thotë brigadieri i dënuar, se kishim dhe brigadier të dënuar, që bashkëpunonte me brigadierin civil. Bashkëpunonte për punët e minierës. Mund të bashkëpunonte edhe për punë të tjera, s’e dinim ne. Ishte rasti që brigadieri i dënuar i thotë një Aris quhet ai, që ka vdekur. I thotë: Ti Aris, do të shkosh të zhbllokosh një ulluk, i gjatë nja dy metra, i pjerrët. Ai ulluku, binte materiali nga shtresa lartë, mirëpo ulluku ishte zënë edhe duhej hapur nga poshtë, me leva. I thonë: Do të shkosh ti ta bësh atë gjë. Në momentin që e zhbllokon, ti ikje se mbaroje punë. Ky, me kënaqësi, shkon. Atje, duke e zhbllokuar, e hap atë dhe materiali i madh nga lartë, i bije i gjithë. Shkatërron gjithçka që gjen aty. Edhe ai, kuptohet që vdiq. Kur vjen policia, thotë: Si ndodhi? Kështu, kështu. E mo mirë, thotë polici, një armik më pak.
-Ç’vështirësi hasnin të afërmit për t’ju takuar?
Mungesë komunikacioni. Kishe dhe një urdhëresë nga Sigurimi i Shtetit, që këto me ushqime, të mos i merrni. Mendo ti tani, të ikësh me ushqime në krahë, të shkosh në Bulqizë apo të shkosh në Qafë Bari. Urdhër: Mos i merrni. Nëqoftëse do i merrni, pushoheni nga puna. Ata e bënin rrugën në këmbë. Nëna ime është rrezikuar edhe nga rruga, edhe nga bora, me peshë në krahë. Ishte rrezikuar disa herë.
-Ç’ndodhi me juve, pasi u liruat nga burgu?
Kur u lirova, më vjen sekretari i parë i Pukës dhe na merr e na fut në sallë, në Qafë Bari. Na thotë: Kush nga ju dëshiron të qëndrojë në minierë në punë, ne i marrim. Kush nuk dëshiron, të iki. Unë i thashë: Mund të qëndroj, me mendimin që miniera ka para. Mirëpo, kur lexoi ai që unë isha i paaftë për punë fizike, më thotë: Ç’të duash ti? Ti je i paaftë për punë fizike. Ika dhe shkoj në Tepelenë, prapë në Vasjar. Atje punova në kooperativën bujqësore, nga 1986 deri në 1990, ku u ndryshuan raportet.
/Kujto.al