Dëshmia tronditëse e të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej në GJKKO: Si qëllova makinën e Xhoni Rustës, atentati ndaj Kevi Bahos dhe lidhjet me trafikun e drogës

Në një dëshmi të detajuar dhe tronditëse dhënë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), i penduari i drejtësisë Erion Alibej ka zbardhur episode të rëndësishme që lidhen me aktivitetin kriminal të një grupi të strukturuar dhe ngjarje të rënda që tronditën opinionin publik.

 

Sipas dëshmisë së tij, Alibej ka deklaruar se pas një takimi në shtëpinë e Suel Çelës, ishte larguar drejt Anglisë, për t’u rikthyer përfundimisht në Shqipëri në vitin 2018.

Ai ka treguar për një incident të ndodhur pranë zonës së “5 Majit”, ku pretendon se është ndjekur nga një makinë me katër persona, mes të cilëve edhe Xhoni Rusta. “Mbaja armë në makinë. Më parakaluan dhe kur ishin paralel me mua, pashë që Xhoni ishte në timon. I qëllova makinës. Për këtë u shpalla në kërkim”, tha ai para trupës gjykuese.

Alibej ka rrëfyer gjithashtu se gjatë kohës kur ishte në kërkim ka qëndruar kryesisht në banesën e tij, por edhe në Durrës dhe në një fshat mes Elbasanit dhe Peqinit, tek shtëpia e Aldo dhe Kevi Bahos. Sipas tij, në qershor të vitit 2019, Kevi Bahos ishte objekt i një atentati.

Dëshmia e të penduarit hedh dritë edhe mbi lidhje të dyshuara kriminale me persona në Angli dhe Holandë. Ai ka përmendur emrin e të vellait, Endrit Alibej – që vijonte aktivitetin kriminal jashtë vendit – dhe që, sipas tij, ishte prezantuar nga Hajdar Copja me një ortak të ri në trafikun e drogës.

Një detaj tjetër i rëndësishëm që doli nga dëshmia ishte përfshirja e një automjeti të përshtatur për transport të lëndëve narkotike, që i ishte blerë Francit, por më pas ishte grabitur, duke shkaktuar konflikt brenda grupit.

Alibej ka deklaruar se “hera e parafundit që Endriti kishte ardhur në Shqipëri ishte në shtator 2018, së bashku me një shtetas turk – i njëjti person që më vonë do të vritej në masakrën e Bradasheshit”.

Ai gjithashtu ka rrëfyer se është vetëdorëzuar në momentin kur i vranë djalin e xhaxhait, Andi Zylyfi, një ngjarje që e ka tronditur personalisht. Ndër të tjera, Alibej ka pranuar se kishte në dispozicion edhe një radio policie, të cilën ia kishte siguruar një person që njihte përmes Genc Tafilit.

Artikulli paraprakI akuzuar për korrupsion të funksionarëve të drejtësisë, GJKKO zbut dënimin për Nikolin Nikën
Artikulli tjetërOKB: Sulmet e Rusisë me dronë në Herson të Ukrainës përbëjnë krim lufte