Durim Bami, dëshmitari kryesor i çështje “Doshi” po hetohet edhe për pastrim parash. Prokuroria e Krujës ngriti një akuzë të re ndaj të pandehurit, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” për kallëzim të rremë në çështjen “Doshi”. Sipas Prokurorisë së Krujës, Durim Bami nuk justifikon blerjen e disa apartamenteve në Durrës dhe në Tiranë. Nga hetimi, ka rezultuar se i pandehuri, ka lidhur kontrata për shitblerjen dhe qiradhënien e pasurive, në zyra noteriale të ndryshme. Konkretisht në harkun kohor 2011-2015, i pandehuri ka kryer transaksione të ndryshme në fushën e “Dhënies së huasë” dhe “Blerje apartamenti” në vlerën totale 15.670.000 lekë.
Nga ky total, ai ka “dhënë hua” 5 400 000 lekë, si edhe ka shpenzuar për “ndërtim të paluajtshëm” vlerën 10.270.000 lekë. Të gjitha këto veprime sipas Prokurorisë janë kryer në një kohë kur Bami ishte një i papunë dhe pa atë ardhura. Ndaj për Bamin dyshohet që ka siguruar para dhe i ka pastruar ato për të fshehur origjinën e tyre ndoshta kriminale. Gjykata e Krujës ka shpallur moskompetencë ndaj një akuze të tillë, kurse vetë i pandehuri ka apeluar. Nuk dihet ende se kush gjykatë do të vlerësojë aktet e Prokurorisë ndaj akuzës së re të Bamit.