Dëshmitari që Rama po e përdor si “varkë shpëtimi” për të shpëtuar nga afera korruptive e CEZ, Romeo Karaj rezulton të jetë një njeri i dhunshëm dhe me simptoma skizofrenie. Denoncimi këtë herë ka ardhur nga motra e tij Eglantina Shtylla, e cila ka kërkuar urdhër mbrojtjeje ndaj vëllait të saj. Vendimi është botuar i plotë dhe është marrë në shtator të vitit të shkuar, rreth gjashtë muaj, pasi kishte filluar punën Komisioni Hetimor, dhe dëshmitar është marrë pikërisht personi në fjalë. Në fakt, Romeo Karaj nuk e ka për herë të parë shfaqjen e shenjave të skizofrenisë, pasi ka tentuar dhe një herë vetëvrasjen në mesin e viteve ‘90-të, një fakt që ja vuri në dukje dhe deputetja e PD-së, Liljana Elmazi gjatë seancave të Komisionit ku i kujtoi tentativën për vetvrasje të bërë disa vite më parë!
Vendimi
Sipas vendimit të Gjykatës e cila jep dhe kronologjinë e ngjarjes, ngjarja ka ndodhur për një konflikt pronësie, vëlla e motër, por ajo çka e bën të veçantë këtë ngjarje, është se Romeo Karaj aktin ekstrem ndaj motrës së tij e ka marrë pikërisht në ditën e vdekjes së babait. “Në datën 20.08.2016, ndërron jetë babai i palëve dhe paditësja shkon për ngushëllim për babain dhe aty fillon debat me bashkëshorten e vëllait, znj.Majlinda dhe i kërkon të largohet nga shtëpia, pasi ishte shtëpia e saj. Debati ka vazhduar edhe me bashkëshortin e paditëses dhe të paditurit Romeo Karaj i ka kërkuar bashkëshortit të paditëses të largohet nga shtëpia. Më tej, konflikti ka gjeneruar me dhunë fizike, goditje dhe shkelma. Më pas është lajmëruar policia, e cila ka bërë shoqërimin e tyre në Komisariatin e Policisë. Gjatë gjykimit përfaqësuesja e palës paditëse deklaron se, paditësja ka hematoma, të cilat i vërteton me vërtetimin e marrë nga Spitali Universitar i Traumës Nr.20644 regj., datë 23.09.2016”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Sipas relacionit shoqërues dhe pyetjeve të dëshmitarëve, gjykohet se zonjës Shtylla i rrezikohet seriozisht jeta nga ai që është pikërisht i vëllai i saj, dhe për këtë arsye ka dhënë urdhër që Karaj t’i qëndrojë 100 metra larg motrës së tij “Urdhërohet i padituri Romeo Karaj të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër të dhunës në familje ndaj paditëses Eglantina Shtylla. Urdhërohet i padituri Romeo Karaj të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo komunikojë drejtpërdrejtë apo tërthorazi me paditësen Eglantina Shtylla. Urdhërohet i padituri Romeo Karaj të mos i afrohet paditëses në një distancë prej 100 (njëqind) metra”, është vendimi përfundimtar i Gjykatës.
Kamikazi Ramës
Ky pra është dëshmitari, i cili po ndihmon qeverinë në zbardhjen e aferës së CEZ. Madje ka marrë dhe titullin “dëshmitar i mbrojtur”, në kohën kur Gjykata merr në mbrojtje të afërmit e tij, për shkak se mund t’u rrezikojë jetën. Edi Rama mund të jetë i vetmi kryeministër në botë, që si mbrojtës së tij ka zgjedhur një njeri i cili ka nevojë emergjente të mjekëve të specializuar për të ekzaminuar shëndetin e tij mendor. Nuk është aspak etike dhe humane që individëve të tillë t’u shtohet dhe presioni për çështje të tilla. Romeo Karaj, ka dhënë shenja të dukshme psikopatie dhe nga qëndrimet e tij kontradiktore në Komisionin Hetimor. Por gjithsesi, Romeo Karaj nuk mund ta ndihmojë dot Edi Ramën nga llogaridhënia se çfarë ka bërë me më shumë se 520 milionë euro të parave të taksapaguesve nga shitja e CEZ. Nga kjo llogaridhënie nuk mund ta shpëtojë as Taulanti i Librazhdit, që ka vënë bast mandatin e tij të deputetit në rezultatet e këtij komisioni, dhe duket se stresi i dështimit të tij është agravuar goxha kohët e fundit. Në rast se Taulanti me Romeon kërkojnë në një përpjekje të dëshpëruar të shpëtojnë shefin e tyre, janë dëshmitë e avokatëve, raportet e KLSH dhe hetimet e organeve të drejtësisë, që nuk do e shpëtojnë dot.
A.M