Dëshmitari: Kemi parë të tjerë avionë

Rrëzimi i avionit të vogël në grykëderdhjen e Ishmit nuk ka ndodhur pa u vënë re. Disa peshkatarë që po dilnin në det në orët e para të mëngjesit të djeshëm, thonë se e kanë parë avionin të bëjë disa xhiro në ajër, e më pas të ulet në pjesën e kënetës. Një dëshmitar i ngjarjes rrëfen për “News 24”, se ulja e avionit ka qenë e dyshimtë, pasi u është dukur sikur piloti po kontrollonte terrenin.
Në dëshminë e tij, ai thotë se nuk është hera e parë që kanë parë avionë të tillë të vegjël që të fluturojnë në zonën e kënetës.

-Çfarë keni parë? Si ndodhi rrëzimi i avionit?
Ishte një avion i vogël, bëri 15-20 xhiro në ajër.

-Ku ndodhej? Në çfarë zone u rrëzua?
Ishte pak larg nga derdhja e lumit të Ishmit, ku ne gjuajmë për peshk. Ne i themi Godull zonës. Është zonë moçalore, kënete. Dhe nuk ka njerëz që të kenë prona, është zonë e lirë.

-Keni parë më parë avion të tillë të fluturojnë në këtë zonë?
Nuk është hera që kemi parë. Vijnë edhe avionë të tjerë. Vijnë dhe ikin.

-Si ndodhi rrëzimi i avionit?
Na u pa sikur po bënte xhiro, po kontrollonte diçka. U pa sikur donte të ulej fshehurazi. U duk pak i dyshimtë. Mund të ulej edhe tek fushat i kishte afër. Avioni është ulur, nuk ka rënë.

-A u afruat për ta ndihmuar?
Që të tentosh të afrohesh është rreth 3-4 km nga vendi ku ishim ne. Nuk erdhi tek kodrat, tek bregu, por ishte poshtë tek kënetat.

-Kur ndodhi ngjarja?
Ka ndodhur shumë më herët se ora 8:45 që thotë policia se mori informacion.

Piloti italian njohje me trafikantë droge shqiptarë

Dalin në dritë të tjera detaje për pilotin italian Guido Andrea Guidi, që u rrëzua me një avion të vogël tip “Piper” në grykëderdhjen e Ishmit. Nga informacionet që Italia ka përcjellë tek autoritetet shqiptare, Guidi del se, ka kontakte me shtetas shqiptarë në hetim dhe me precedent të trafikimit të lëndëve narkotike.
Avioni mban një peshë prej 1.5 deri 2 ton. Burime bëjnë të ditur se piloti kishte lidhje me persona të dyshuar si trafikantë droge mes tyre dhe shqiptarë. Në vendgjarje kanë shkuar prokurorë të Krimeve të Rënda, dhe inspektorë të SHISH, pasi dyshohet se kemi të bëjmë me një trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ajo që ngre dyshime është pista që është përshtatur për t’u ulur këto avionë. Është një pistë 1.5 km e gjatë që është punuar për t’u vënë në dispozicion për uljen e avionëve të tillë.
Avioni drejtohej nga piloti italian 69-vjeçar Guido Andrea Guidi dhe ishte nisur nga Bari. Burimet bëjnë të ditur se organi i akuzës është vënë në dijeni nga policia në orën 12:00 të mesditës, pra afro 3 orë pas rrëzimit të avionit dhe menjëherë në vendngjarje ka shkuar prokurori i gatshëm.
Prokurorët kanë marrë në pyetje pilotin. Gjithashtu, pala shqiptare i ka kërkuar informacion edhe autoriteve italiane të drejtësisë në burime konfidenciale është mësuar se piloti italian rezulton të ketë njohje me shtetas shqiptar në Itali, të proceduar për trafik droge, ndërsa ai vetë rezulton i dënuar në shtetin e tij për korrupsion.
Burimet konfirmojnë se avioni është i përmasave të mëdha dhe mund të mbajë një ngarkesë 1.5 deri në 2 ton. Dyshimet për trafik droge shtohen më tej edhe pas konfirmimit të Aviacionit Civil se avioni që ka rënë në Ishëm nuk kishte leje për të qarkulluar në territorin shqiptar. Sipas Ministrisë së Transporteve, leja kërkohet 48 orë përpara fluturimit, duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm.

Ja provat që avioni ka ardhur për të marrë drogë

Gazetari Artan Hoxha është shprehur se avioni i vogël tip ‘piper” që ra në grykëderdhjen e Ishmit kishte ardhur për të marrë drogë. Sipas tij, në rast se avioni do të kishte pësuar avari në ajër nuk do mund të ulej në tokë. Hoxha sqaron se, avioni është dëmtuar në ulje. “Vendi ku është ulur avioni ishte i përgatitur, ka qenë përplasja me tokën që i ka shkaktuar dëmtimin. Nëse defektin do ta kishte në ajwr, të jeni të sigurt që s’do kishte shanse të ulej në tokë. Nuk ka pasur përplasje”, tha Hoxha.
Dyshimet e gazetarit shtohen kur thotë se me t’u ulur, piloti nuk ka njoftuar njeri. “Nga Ishmi në Rinas nuk është larg, mund të ulej në Rinas. Fakti që se ka bërë, do të thotë se nuk ka dashur të lërë gjurmë që ka hyrë në hapësirën shqiptare”.
Sipas Hoxhës, Krimet e Rënda po hetojnë në disa pista “Organi i hetimit ka filluar të hetojë hyrje-daljet e pilotit në TIMS, apo persona të tjerë që e kanë shoqëruar në Shqipëri, po hetohen bisedat telefonike, si dhe viber apo ëhats up, në mënyrë për të kuptuar nëse e ka përgatitur më parë udhëtimin dhe sot ka ardhur për ta finalizuar. Po hetohet në zonat përreth për të parë nëse ka pasur mjete të dyshimta që lëvizin”.
Gazetari nuk përjashton as mundësinë që piloti të jetë kontaktuar nga një grup kriminal, duke u nisur edhe nga fakti që kompania të cilës i përkët është e specializuar për udhëtime turistike. “Ky lloj trafiku bëhet kur grupet kriminale kanë të ardhura të mëdha, të organizuara shumë mirë dhe të strukturuara. Këta lloj avionësh po t’u krijohet mundësia mund të ulen në rrugë, në çfarëdolloj sipërfaqe apo hapësire të territorit”.
Hoxha tha se përfitimet në rastet e transportit të drogës janë shumë të mëdha, dhe mund të ketë qenë pikërisht ky fitim i madh një nxitje për pilotin italian që të bëjë këtë veprim. “Një pilot me atë eksperiencë e në atë moshë, e detyron ta bëjë këtë një fitim i madh. Dhe ai vjen këtu pikërisht për atë fitim të madh. Pas rastit të Riformatos, na doli që kishte avion të tillë të vegjël në Divjakë, në Gjadër”, tha gazetari Hoxha.

Piloti italian, 2 hyrje-dalje të tjera në Shqipëri

Pak orë, pasi avioni me të cilin udhëtonte u rrëzua në grykëderdhjen e Ishmit, mësohet se për pilotin italian Shqipëria nuk është e panjohur siç ka deklaruar ai para grupit hetimor.
Guido Andrea Guidi, piloti italian ka hyrë dy herë në vendin tonë, një herë nga Rinasi dhe një herë nga Muriqani, përkatësisht në vitin 2013-të dhe 2014-të. Mësohet se ai ka hyrë në Shqipëri nga Rinasi më 06.11.2013 dhe ka dalë nga Rinasi po më datë 06.11.2013.
Ndërsa herën e dytë, ka hyrë nga Muriqani më 10.01.2014 dhe ka dalë më 11.01.2014 nga Rinasi.
Pas rrëzimit të avionit në Ishëm në Durrësit, ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga Drejtoria e Avionit Civil. Këta të fundit kanë bërë të ditur se, avioni nuk ka pasur asnjë leje për të fluturuar në hapësirën ajrore shqiptare. “Aviacioni Civil bën të ditur se, pas verifikimeve rezulton se avioni që ka rënë në zonën e Ishmit nuk ka pasur leje”, bëri të ditur Drejtoria e Avionit Civil.
Avioni i ulur në fushën e Godullit të Ishmit nga piloti 69-vjeçar italian Guido Guidi është i llojit “piper cherokee” i njohur edhe si PA-28 cherrokee 4 vendësh dhe që mban një ngarkesë shtesë deri 425 kg. Po me të njëjtin avion të modelit Piper, por më të vogël është rrëzuar në Divjakë edhe piloti italian Giorgo Riformato, tashmë i dënuar me 16 vjet burg, me dyshimin e trafikut të drogës me avion.
Siç duket këto lloj avionësh, janë praktikë dhe nëse nuk ndizet transponderi ata nuk pikasen edhe nga radarët sekondar të Aeroporitit të Rinasit, çka i bën ata më të manovrueshëm brenda territorit shqiptar. Ky lloj avioni është kapur edhe në Itali në disa raste, të cilët ishin ngarkuar me drogë në Shqipëri.

Përse policia e mbajti të fshehtë rrëzimin e avionit dhe pistën sekrete në Ishëm?

Vetëm pasi deputeti Flamur Noka lëshoi deklaratën bombë në Parlament, se një avion me drogë u rrëzua në Ishëm, Policia e Durrësit nisi të vihej në lëvizje. Jo për të gjetur avionin, se atë e kishte “zbuluar” që në mëngjes, por për të dhënë sqarime, të cilat kishin munguar edhe gati 4 orë pasi ngjarja kishte ndodhur.
Rehatia iu prish edhe ministrit Tahiri, që nuk e hoqi telefonin nga veshi në sallë. Edhe kryeministrit Rama që hyri e doli menjëherë.
Avioni kishte rënë në orën 08:45 minuta të mëngjesit të kësaj të enjteje. Policia ishte në dijeni. Kishte kryer të gjitha veprimet. Kishte marrë në pyetje pilotin italian, 69-vjeçarin Guido Andrea Guido, e kishte besuar versionin e tij dhe njoftoi zyrtarisht se ishte thjesht një ulje e detyruar. Asnjë veprim tjetër.
Mungesa e njoftimit për këtë ngjarje, në një kohë kur policia nuk ngurron të njoftojë edhe për aksidente rrugore me biçikleta, ngre një valë dyshimesh.
Përse e mbajti të fshetë ajo një ngjarje kaq të dyshimtë? Përse njoftimi i saj zyrtar fliste për aksident? A nuk ndodhi 2 vjet më parë që një avion me drogë u rrëzua në Divjakë? A nuk është zona e Fushë-Krujës dhe Krujës e mbushur me plantacione me kanabis? A nuk është kjo koha e korrjes së bimës narkotike që po shtrihet deri në dyert e komisariateve?
Media dhe prokurorët e Durrësit dhe ata të Krimeve të Rënda u nisën drejt lumit Ishëm, në vendin ku ai derdhet në Adriatik, pasi Flamur Noka lëshoi bombën.
Me të mbërritur, ata zbuluan një pistë 1.5 kilometër të gjatë, të hapur para 10 ditësh, siç bën të ditur një burim i Lapsi.al.
Pista ishte pranë vendit ku u rrëzua avioni i italianit Guido Andrea Guido. Por Policia e Durrësit, e cila drejtohet nga Perlat Cullhaj, i akuzuar nga opozita si i lidhur me trafikantët e drogës, nuk e kishte parë! Nuk e kishte raportuar, e as që i dukej e dyshimtë.
Në Parlament, ashtu si në kohën kur Rama fliste për mushkonja, kur Berisha denonconte Riformaton e Divjakës, Rama e Tahiri folën me qesëndi. Sulmuan Flamur Nokën për denoncimin dhe folën për suksese në luftën kundër drogës dhe kultivimit të kanabisit.
Derisa policia “kishte kryer veprimet” në Ishëm, ata dolën të qetë para mediave.
Në vendin ku ra avioni u gjetën gjurmë mjetesh të rënda bujqësore. Po ashtu edhe shenja ruli që ishte përdorur për të sheshuar pistën.
Prokurorët nuk kanë mëdyshje: pista, thonë ata, është hapur nga kultivuesit e kanabisit. Dëshmia e pilotit ngjall dyshime të forta, gjithashtu. Ai u tha policëve të Durrësit, që e morën nga avioni i rrëzuar dhe e dërguan deri në qytet, se ishte nisur nga Bari për në veri të Italisë, se pastaj kishte vendosur të fluturonte mbi Detin Adriatik “ngaqë ishte kohë e bukur”. Se kishte patur avari në lartësinë mbi 5 000 këmbë dhe se kishte bërë një ulje emergjente.
Linja që ai duhej të ndiqte është krejtësisht e ndryshme me skajin tjetër të Adriatikut në Shqipëri.
Disa banorë të zonës kanë dëshmuar se, përpara se të ulej avioni ndenji disa minuta në fluturim dhe kontrolloi zonën. Më pas u ul afër pistës. Banorët thanë se, nëse ishte ulje emergjente, ai kishte gjithë fushën përgjatë Ishmit për t’u ulur dhe s’kishte pse të provonte zonën me shkurre.
Në zonën me shkurre ishte fshehur pista e sapodërtuar. E njëjtë me pistat ilegale, për të cilat flisnin mediat italiane dy vjet më parë.
Krimet e Rënda janë alarmuar nga ky rast. Prokuroria e Përgjithshme vetëm disa javë më parë shpërndau një qarkore, ku u kërkonte organeve të saj në rrethe që të hetonin mbi kultivimin e kanabisit, pasi ishte shndërruar në fenomen shqetësues. Tani, kanabisi është në fazën e korrjes. Dhe shqetësimi i hetuesve janë rrugët e reja që po përdoren për të trafikuar drejt Italisë kanabisin që prodhohet anembanë Shqipërisë.
Disa skafe me drogë janë kapur këto javë nga policia italiane, të nisur nga Vlora apo Lezha. Një kamion u ndalua nga Policia Kufitare në Durrës. Tani, në sezonin e korrjeve janë kthyer edhe avionët, të cilët diktohen apo kapen vetëm kur bien vetë. Ndërsa policia, në kompleksin e të akuzuarit se po bashkëpunon me trafikantët, ose e fsheh informacionin, ose i paraqet rastet si ky i sotmi, si ngjarje aksidentale. /lapsi.al/

R.POLISI

Exit mobile version