Janë të paktën katër dëshmi të dhëna nga oficerë policie, të cilët trgojnë se si Rama, kryeministër dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kanë penguar përmes urdhrave të tyre të posaçëm çdo nismë të policisë apo agjentëve përkatës për të shkuar pas bandave, për t’i gjurmuar apo goditur ato. Gazetari investigativ, Basir Çollaku ka bërë të ditur dje, se në fillim të javës tjetër, ai do të publikojë një dosje investigative në të cilën do të zbardhen emra edhe më të rëndësishëm se Saimir Tahiri për lidhjet me drogën, duke targetuar në mënyrë indirekte kryeministrin Rama. “Një peshk i madh bie në rrjetën amerikane. A janë lidhjet e tij me krimin e organizuar, shkaku? Cilat janë lidhjet e kryebashkiakut me bandat kriminale të Durrësit e veçanërisht me Lul Berishën? A është negociuar në zyrën e Dakos procedura e konfiskimit të pallatit tek UTV në pronësi të Lul Berishës, në 2010? Pse? Cili ishte roli i Dakos? Cili ish-deputet i PS ka qenë ndërmjetës? Për këto e shumë të tjera, kam siguruar premtimin e një ish-funksionari të lartë të kohës, përgjegjës për konfiskimin, për të folur… me dëshmi, dokumente dhe fakte … më në fund. Prisni, nuk keni parë gjë akoma. Saimir Tahiri do duket cironkë, pas kësaj. Së shpejti” paralajmëroi Çollaku. Ndërkohë në një intervistë mediatike dje në mbrëmje, Çollaku foli mbi këtë dosje që pritet të publikohet javën e ardhshme.
-Mbajeni mend së fundmi për deklaratat e ish-oficerëve që kanë denoncuar lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm me trafikun e drogës. Ju keni bërë një status ku thoni pas deklaratave të ambasadorit amerikan ku thoni që Tahiri do të duket si një cironkë pas fakteve të reja…..
Krimi i organizuar në këtë vend ska lënë hapësira për institucionet. Aferat janë çështje me dëshmira, dokumenta institucionale, nuk janë gjëra anonime. Unë mendoj se është një punë ende e pambyllur besoj se do të jetë në fillim të javës do të jetë gati për t’u publikuar.
-Pse jeni i bindur që Saimir Tahiri do duket si cironkë?
Unë ushqej bindjen që edhe në këtë histori të trafikut të drogës Saimir Tahiri nuk është aktori kryesor është një nga aktorët. Në gjithë këtë katrahurë narkotike në Shqipëri eprori i z.Tahirit dhe bashkëeprorët e tjerë të tij nuk ka qenë symbyllur. Kanë pasur besimin për të bërë këtë gjë.
-E keni fjalën për kryeministrin?
Po sigurisht e kam për kryeministrin. Nuk besoj se ka kaluar 24 orshin qeveritar symbyllur në këto tonelata që trafikohej në brigjet e Italisë, Greqisë e shumë vende të tjera të Bashkimit Europian.
Unë e kam sjellë këtë histori në shtator-nëntor të vitit 2015. Atëherë dukej si një shaka. Rikthimi i kësaj historie me përputhshmëri të lartë maksimale nga Antimafia italiane e bëri serioze. Ndërkohë që ne e kishim këtu. Hetimi ndaj tyre është bërë në 2013. Shmangia e drejtësisë tregon ndikimin e politikës.
Shumë oficerë të policisë thonë se ne nuk u afrohemi dot bandave dhe klaneve të mëdha mafioze që përmendi ambasadori.
-Janë shumë oficerë?
Janë të paktën katër prej tyre e mbase edhe të tjerë. Ajo që më bën përshtypje është fakti se janë oficerë policie që kanë qendruar nga 6 muaj apo një vit në burg dhe Prokuroria nuk ka vajtur t’u marrë dëshmi. Përse janë arrestuar? a ka një mendim oficeri i policisë me 10 apo 15 vite përvojë? Ata thonë se nuk u afrohen bandave, sepse do më dalë eprori, do më dalë ministri, apo edhe kryeministri dhe nuk i lënë që të shkojnë.
Përfaqësuesi i grupit të strukturuar kriminal i thotë oficerit të policisë mos u lodh kot se përgjimet që ti ke në zyrë, unë i kam në shtëpi. Dhe nuk flasim për këto barishtet e mullarit të barit, por për heroinë dhe kokainë.
Këto histori sjellin fakte që Prokuroria është mirë t’i marrë në konsideratë. T’i pyesë njëherë këta oficerë policie.
-Zoti Çollaku si e gjykoni çështjen Tahiri?
Kanë ardhur agjentët e FBI, edhe prokurorë dhe hetues nga Antimafia italiane, kanë ardhur nga Gjermania. Kjo tregon se krimi këtu është ndërkombëtar dhe i organizuar. Është një listë prej 124 personash që janë drejtues të trafikut të drogës në Shqipëri. Prokuroria duhet të kishte lëvizur.