Sokol Mjacaj, autor i vrasjes dhe trazirave në burgun e Peqinit ka dëshmuar sërish, ku ka deklaruar se po të mos e kishte marrë vesh se do të futej në regjimin 41 bis, nuk do ta kryente vrasjen, atë ditë. Për regjimin 41 bis, ai ka deklaruar se i kanë thënë të burgosurit e tjerë duke iu drejtuar “qenke i rrezikshëm ti Sokol, se do të fusin në izolim”.
Ai ka qëlluar 5 herë me pistoletën me mulli. Plumbat, Arben Lleshin e kanë kapur në pjesën e qafës dhe të gjoksit. Ndërkohë i plagosuri ka marrë një plumb në pjesën e barkut, ku plumbi ka hyrë dhe ka dalë, por sipas mjekëve ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sokol Mjacaj është pyetur edhe për emra konkret, për sa i përket vrasjes së Arben Lleshit nëse ishte paguar apo jo, por ai ka vijuar të heshtë dhe të thotë se e vrau për sherrin brenda burgut. Pasi ka vrarë Arben Lleshin, disa të burgosur te tjerë, miq të viktimës dhe të plagosurit, kanë ndjekur Sokol Mjacajn duke tentuar ta ndalojnë. Ai nuk ka pasur më fishekë dhe për të krijuar përshtypjen se kishte fishekë në armën e tij, është mbyllur tek dhoma e takimeve.
“Ju thashë, po erdhët këtu unë do t’ju vras, por realisht unë nuk kisha më fishekë në pistoletë”, deklaroi ai.
Kur ka mbyllur derën e korridorit të dhomave së takimeve nga brenda, ai ka bllokuar edhe familjarë te tjerë që ishin në takim me të burgosur të ndryshëm. Njoftimi në policinë e Elbasanit është bërë me vonesë. Pas marrjes në pyetje, momentalisht Sokol Mjacaj është transferuar në burgun e Fierit.
Kujtojmë se Sokol Mjacaj pasditen e së premtes vrau me armë zjarri në ambientet e burgut të sigurisë së lartë në Peqin, Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjen. Dy të fundit ashtu sikur Mjacaj ishin të dënuar me burgim të përjetshëm. Autori i ngjarjes tha se armën e ka futur në burg 20-30 ditë përpara se të vriste Lleshin.