Dështim i policisë ndaj krimit, gjoba qytetarëve në trafik

POLICIA GJOBA PER KUNDRAVAJTESIT - Oficere te Policise Rrugore, duke i vendosur gjoba makinave te parkuara pergjate bulevardit Deshmoret e Kombit, prane Kuvendit te Shqiperise.

Ngjarja kriminale në Elbasan ditën e hënë si me atentatet mafioze të filmave me gangsterë është tabloja e paralajmëruar e një dështimi të policisë së këtij qyteti në luftë ndaj krimit. Përkundër kësaj dhe me një platformë tipike mafioze janë veprimet e Policisë së Elbasanit ndaj qytetarëve, duke ushtruar një terror policor përmes Policisë Rrugore. Vendosje gjobash të rënda me shkakun më të vogël ndaj qytetarëve të thjeshtë, por jo të rrugaçëve që e shajnë policinë me fjalorin më të rëndë.
Situatat e rënda të krijuara në qendër të qytetit pranë gjykatës pranë një rrugice të lagjes së njohur si “Spajkore” ose “5 Maji” sot, ka krijuar një ndikim të fortë psikologjik për pasigurinë që dikton ndaj qytetarëve, ndërkohë që nga ana e Policisë Rrugore me në krye Julian Muçin dhe nga policë të tipit gjobëvënës, krijohet një presion i madh dhe i pajustifikuar ndaj qytetarëve. Vendosja e radarëve në dalje të tunelit, kur vjen në Elbasan, jashtë çdo rregulli ka qenë thjesht një justifikim për të ndaluar çdo mjet qarkullimi, në një kohë që nuk ka asnjë tabelë për nivelin e shpejtësisë. Thjesht kjo është konsideruar si, “nuk kanë se çfarë t’i bëjnë gomarit, i bien samarit”, pohojnë qytetarë të ndryshëm sapo ndalohen nga policia në mënyrë arrogante dhe qesharake.
Pa kaluar as 24 orë nga një atentat mafioz ndaj familjes Çapja që dukej si i paralajmëruar dhe vetëm pas 4 muajsh nga krimi makabër ndaj kësaj familjeje me 3 të varë dhe 8 të plagosur, si dhe me një vrasje mafioze në autostradën e Elbasanit, Policia e Elbasanit manifeston vepra me gjoba trafiku, duke dashur të mbulojnë dështimin dhe turpin në dështimin për kapjen e autorëve të krimit që kanë lënë në një mister autorët dhe qëllimet. Kjo situatë e rëndë po bie si rrufe mbi drejtuesit e mjeteve të qarkullimit që po kërdisen në gjoba dhe Policia Rrugore krenohet me sasinë e gjobave pa pyetur për pasojat dhe pa vënë në vend qarkullimin që është në zgrip dhe në një situatë të aksidenteve të rënda që ndodhin përditë në këtë qytet.
Arroganca e policëve të qarkullimit me qytetarët dhe pasojat e rënda financiare mbi xhepat e familjeve qytetare, janë një dënim si me urdhër nga lart për të shantazhuar opinionin si një manifestim i dështimit të kësaj policie ndaj krimit që po bën namin, ndërsa policia e qarkullimit po bën “të ligjshmin” me gjobëvënie.
Po ditën e martë një aksident që i mori jetën një fëmije 11-vjeçar për shkak të mungesës së seriozitetit nga ana e Policisë Rrugore për të parandaluar ngjarje të tilla, janë gjobat e vendosur që po bëjnë kërdinë në qytet për të mbushur arkën e shtetit. Para se të kapen kriminelët që vrasin natën e ditën në Elbasan është Policia e Elbasanit që me patrullat e shumëfishuara po i vë gjoba qytetarëve të thjeshtë, por jo gangsterëve që me makina të shtrenjta brenda të cilave fshihen kriminelët që qarkullojnë nëpër qytet, vendosen gjoba pafundësisht.
Vënia në dispozicion e një shume prej 20 mijë eurosh për të marrë njoftime për autorët e vrasjes dhe dy numra celulari, janë hapur një dështim i paralajmëruar i kësaj policie që nuk ka forcën goditëse, por ka forcën gjobëvënëse ndaj qytetarëve.

Hyqmet ZANE

Exit mobile version