Denoncimi i Filip Morris: Kontrabanda e duhanit arrin në 50 milionë euro

Kontrabanda e duhanit mbetet një shqetësim serioz në Shqipëri. Rreth 50 milionë euro humbje vlerësohet të ketë buxheti i shtetit pikërisht nga ky fenomen, ndërsa qeveria ka dështuar në mbledhjen e akcizës së TVSH për produktet e duhanit. Kompania Filip Morris International vlerëson se niveli i tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit në Shqipëri është shumë i lartë.
“Niveli i tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit në Shqipëri është rreth 20-25% të konsumit të përgjithshëm, e cila çon në gati 50 milionë euro humbje për qeverinë në pamundësinë e mbledhjes së akcizës dhe TVSH-së në produktet e duhanit. Produktet e paligjshme sikurse cigaret janë bërë tani një dukuri negative dhe shumë serioze për tërë rajonin e Evropës Juglindore”, thotë Roman Khrushch, menaxher i Përgjithshëm në Philip Morris për Shqipëri dhe Kosovë. PMI dhe kompanitë e tjera të duhanit nga rajoni janë në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë dhe institucionet e tjera relevante, organet shtetërore në Shqipëri, Maqedoni dhe në vendet fqinje, ku po punojnë për të ulur tregtinë e paligjshme të duhanit dhe produkteve të tij.
“Në këtë drejtim, vendimi i qeverisë së Shqipërisë për të mos e rritur akcizën mbi produktet e duhanit në fillim të këtij viti ishte një vendim shumë i mirë, thjesht sepse kjo parandalon që konsumatorët të vrapojnë pas produkteve të lira e të kontrabanduara. Ne gjithashtu mirëpresim njoftimin e bërë nga qeveria, e cila ka konsideruar në mosrritjen e akcizës në duhan edhe nga janari i vitit 2017”, thotë Khruschcd. Kohët e fundit, është projekti PMI IMPACT, i cili do të synojë të parandalojë kontrabandën dhe kriminelët duke ndarë në tri faza 100 milionë euro për projekte që në mënyrë kreative propozojnë ide për t’i luftuar të gjitha llojet e krimeve.
Në vitet e fundit vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekje që të përmbushin të gjitha rekomandimet dhe rregulloret e Bashkimit Evropian në rrugën e tyre drejt anëtarësimit kanë bërë që gradualisht ta ngrisin normën e akcizës si pjesë e harmonizimit me standardet e BE-së. Edhe pse nisma për rritjen e akcizës synon zvogëlimin e numrit të duhanpirësve aktivë, ende në këtë rajon qëllimi i dëshiruar nuk është arritur, por ka ndodhur një tjetër kundërefekt: çdo rritje e akcizës është shoqëruar me rritjen e përqindjes së produkteve të kontrabanduara dhe falsifikuara të duhanit. Pos që këto produkte kanë një çmim më të ulët, pjesa më e frikshme është se shpesh këto produkte bartin rrezik shumë më të madh të sëmundjeve për ata që i konsumojnë këto cigare.
“Jo vetëm cigaret, por në të njëjtën kohë ndodh edhe kontrabandimi i alkoolit, drogës e në rastin më të keq edhe i njerëzve. Fondet e marra nga kontrabanda e cigareve shpesh përfundojnë si një mbështetje financiare për organizatat ilegale dhe terroriste. Ky problem i shoqërisë botërore, tashmë për shkak të rritjes së fundit të akcizës së duhanit në vendet e Ballkanit, po shfaqet si kërcënim edhe këtë pjesë të rajonit”, thuhet në një komunikatë të PMI.

Kontrabanda e cigareve, më e larta në 15 vite

Importi i ligjshëm i duhanit në Shqipëri gjatë vitit 2015 ra me 17 për qind në krahasim me vitin paraardhës, si dhe me 33 për qind në krahasim me vitin 2013, duke shënuar kuotën më të ulët të regjistruar që nga viti 2001. Sipas “BIRN”, të dhënat e detajuara të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri u importuan vetëm 2,478 tonë cigare, nga mbi 4 mijë tonë që duhet të importohen zakonisht për të mbuluar konsumin në vend. Një nivel i tillë importesh të ulëta është regjistruar vetëm në vitet 2000 dhe 2001, kur kontrabanda e cigareve qe në nivele shumë të larta. Të dhënat historike të Ministrisë së Financave tregojnë se, importi më i lartë i cigareve është regjistruar në vitin 2010 me mbi 4,500 tonë. Cigaret janë mall shumë i taksuar dhe niveli i importit të tyre përcakton një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave buxhetore. Rënia drastike e importit të cigareve në vitet 2014 dhe 2015 aludohet se është shkaktuar pjesërisht si pasojë e rënies së konsumit, pjesërisht si pasojë e devijimit të konsumatorëve drejt duhanit vendas të pataksuar dhe pjesërisht si pasojë e rritjes së kontrabandës. Qeveria shqiptare i rriti taksat mbi cigaret dy herë, në vitet 2014 dhe 2015, duke e rritur akcizën nga 70 lekë për paketë në 110 lekë. Këto rritje taksash sugjerohet se i bënë cigaret e taksuara tepër të shtrenjta për një pjesë të madhe të popullsisë, e cila për këtë shkak besohet se i zëvendësoi me cigare kontrabandë apo duhan të hapur. Në Tiranë për shembull, në treg filluan të shiten paketa cigaresh kontrabandë me çmimin 80 lekë, nga mbi 200 lekë, që është çmimi i cigareve më të lira të ligjshme. Njëkohësisht, tregtarë të ndryshëm nisën të prodhojnë cigare në mënyrë gjysmë artizanale, të cilat u shitën në treg përkundrejt një çmimi prej 50 lekësh për paketë. Qeveria reagoi fillimisht me një fushatë konfiskimi të duhanit të hapur të tregtuar nga fshatarët në Elbasan e Shkodër, pastaj përmes vendosjes së rregullave strikte të importimit të letrës së duhanit, por pa rezultat. Duke pranuar dështimin, qeveria vendosi vitin e kaluar të mos e rrisë më tej akcizën e cigareve në vitin 2016, me shpresë se konsumi do të stabilizohet.

Artikulli paraprakAzilantët shqiptarë futen në kishë nga dëshpërimi, nuk duan të kthehen në Shqipëri
Artikulli tjetërFermerët e Beratit në protestë, janë përmbytur tre herë, asnjë qindarkë dëmshpërblim nga qeveria