Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen në mesditën e së enjtes për vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre më 15 prill.
Vazhdimi i seancës ndodh pasi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, iu drejtua me një letër presidentes Vjosa Osmani, duke i kërkuar sugjerime se si të veprohej pas ndërprerjes së seancës. E para e shtetit iu përgjigj brenda pak orësh më 16 prill, duke kërkuar që seanca të vazhdojë brenda 48 orëve pas ndërprerjes – ashtu siç parashihet në Rregulloren e Kuvendit.
Pse u ndërpre seanca e së martës?
Më 15 prill, legjislatura e nëntë nuk arriti të kalonte pikën e parë, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit. Kjo, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan nga anëtarët e Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, të ofrojnë dorëheqje formale nga postet ekzekutive.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po atë ditë përmes një letre njoftoi Kuvendin se ai kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ai tha se ai dhe Qeveria ishin në dorëheqje që nga 23 marsi – kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i ekzekutivit.
Megjithatë, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, argumentuan se dorëheqjet është dashur të paraqiten më herët, në bazë të Ligjit për Qeverinë – që thotë se dorëheqjet duhet të dorëzohen një ditë para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, që u bë më 27 mars – duke shtuar se ata nuk mund të shkojnë në seancë për betim si deputet, duke mbajtur poste ekzekutive.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 16 prill tha se thirrja e partive, që mandatin e kaluar ishin në opozitë, rrezikon të krijojë vakum institucional.
Qëndrimet e partive parlamentare
Pas përgjigjes së Osmanit ndaj letrës së Deharit, partitë që fituan ulëse në Kuvend në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, u deklaruan se do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive.
Lëvizja Vetëvendosje – partia fituese e zgjedhjeve – tha se deputetët e saj do të jenë të pranishëm në seancë. Sipas Hajrulla Çekut, ministër në detyrë i Kulturës, njëherësh deputet i zgjedhur më 9 shkurt, procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë, siç e parasheh ligji dhe letra e presidentes Osmani.
“Nuk ka kuptim të bllokohet konstituimi i Kuvendit dhe kjo është përgjegjësi e secilit prej 120 deputetëve të zgjedhur”, tha Çeku për Radion Evropa e Lirë.
Lidhur me kërkesën për dorëheqjen e ministrave dhe kryeministrit, Çeku tha se partia mbetet pranë vendimit të shprehur publikisht nga Kurti të mërkurën.
Partia e dytë e dalë në zgjedhje, PDK konfirmoi pjesëmarrjen në seancë. Deputetja e zgjedhur e kësaj partie, Ariana Musliu-Shoshi, megjithatë nuk tregoi për REL-in nëse partia e saj do të votojë ose jo raportin e Komisionit për mandate.
Partia e tretë, LDK edhe para letrës së Osmanit kishte thënë se do të shkonte në Kuvend të enjten për seancën konstituive. Pas letrës së Osmanit, kreu i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, përsëriti kërkesën që Kurti dhe ministrat në detyrë të japin dorëheqje formale.
Ndërkaq, Time Kadrijaj, deputete e zgjedhur nga AAK-ja, tha se ky subjekt do të jetë i pranishëm në seancë, por vota e tyre për raportin e Komisionit për mandate, do të varet nga qëndrimi i partisë fituese, LVV-së.
“Të shohim se sa janë serioz me dorëheqjet anëtarët e Qeverisë [të zgjedhur deputetë]. Paraprakisht, nesër [të enjten] do të konsultohemi edhe me partitë tjera dhe do të vendosim”, theksoi Kadrijaj.
Miratimi i raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit do t’i hapte rrugë betimit të deputetëve, më pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Vetëm pas kalimit të të gjitha këtyre hapave, legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës do të konsiderohej e konstituuar.
E pas konstituimit të Kuvendit, do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme që të qeverisë e vetme. LVV-ja, që paraprakisht kishte shprehur dëshirën që të formonte një ekzekutiv vetëm me partitë joserbe, së voni ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se i duhet bashkëpunimi edhe me një nga partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend.
Partitë shqiptare që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, kanë thënë se nuk preferojnë një bashkëpunim me LVV-në. Përjashtim këtu bën vetëm Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, që ka fituar tri ulëse në Kuvend. Limaj nuk i ka vendosur vija të kuqe LVV-së, por ende nuk ka njoftuar se ka arritur ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Kurtit./REL