Dështon policia, grabitësit e bankës në Tiranë ende të lirë

Ndonëse kanë kaluar 4 ditë nga grabitja e bankës tek “21 Dhjetori” në Tiranë, policia nuk ka ende asnjë gjurmë të autorëve, të cilët janë larguar dhe nuk dihet ende identiteti i tyre. Prova më e fortë që kishte policia, arma që i ra njërit prej autorëve, nuk u ka dhënë ndonjë gjurmë hetuesve. Bëhet e ditur se, nga kontrolli i ushtruar tek arma e zjarrit, hetuesit nuk kanë gjetur asnjë gjurmë, kjo për shkak se ata mbanin dorashka në duar.
Edhe në kontrollin e kryer në ambientet e brendshme të bankës, por edhe nga kamerat e sigurisë, ende nuk është bërë i mundur zbulimi i autorëve. Kjo për shkak se ata kishin vendosur një shall në fytyrë, ndërkohë që në kokë mbanin kapele.
Policia ka lënë të lirë edhe të vetmin të dyshuar si bashkëpunëtor, të riun E. Kodra, i cili u vetëdorëzua në komisariat dhe mohoi të ketë lidhje me grabitjen. Pas disa orë pyetjesh dhe ripyetjesh të Erion Kodrës, nga oficerët e Komisariatit Nr.2, si dhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në lidhje me grabitjen e filialit të një banke në Tiranë, ai është lënë i lirë. Kodra është personi që shfaqej në një foto të siguruar nga policia prej kamerave të sigurisë së bankës. Në foto, Kodra shihet se qëndron pranë hyrjes së bankës.
Pavarësisht kësaj, edhe pas ripyetjes për të disatën herë, policia nuk gjeti fakte që implikonin këtë person në grabitje, edhe pse të dhënat e para për të në fillim dukeshin të dyshimta.
Në momentin që grabitësit janë futur në bankën e nivelit të dytë te “21 Dhjetori”, personi i parë me të cilin janë përballur ka qenë roja i sigurisë, një burrë rreth të 60-ve. Njëri prej autorëve e ka përplasur atë pas murit, duke e rrëzuar në tokë dhe më pas është drejtuar për tek arka për të realizuar vjedhjen e parave. Burime nga Policia e Tiranës thanë se, autorët kanë vepruar me shpejtësi për të shmangur rënien e sinjalit të alarmit, pasi banka ndodhet shumë pranë Komisariatit Nr.2. Megjithatë, nuk kanë arritur ta shmangin sinjalin, edhe pse kanë arritur të largohen në kohë, para se aty të mbërrinte policia. Gjatë kohës që njëri nga grabitësit kërcënonte arkëtaren për t’i dhënë paratë, roja i sigurisë që ishte përplasur më parë në tokë, ka arritur të aktivizojë alarmin. Në këtë moment, grabitësit i ka zënë paniku dhe kanë nxituar të largohen nga banka. Ndërsa, gjatë momentit që largohen, ata janë përplasur në një prej tavolinave dhe njërit prej grabitësve i ka rënë në tokë pistoleta që mbante në dorë.
Në bankën që ndodhej pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, autorët dyshohet se kanë grabitur rreth 50 milionë lekë dhe fillimisht kanë goditur rojet e sigurisë, ndërsa më pas kanë kërcënuar punonjësit. Qëllimi i tyre ishte që të grabisnin kasafortën e bankës, por ajo nuk është hapur.
Grabitjet e bankave dhe bizneseve nga bandat e armatosura dhe me maska, tashmë janë kthyer në një ritual të përditshëm në të gjithë vendin. Grabitja e bankës tek “21 Dhjetori” ndodhi në mes të ditës dhe vetëm 100 metra larg komisariatit të policisë. Ashtu si edhe në grabitjet e tjera të bankave në Tiranë, Vlorë, Durrës, Krujë, etj., edhe në tre rastet e grabitjeve të para tre ditëve në Tiranë, Fier dhe Korçë, ku  maskat arritën të marrin rreth 142 milionë lekë, policia nuk ka arritur të arrestojë grabitësit. Policia jo vetëm që nuk i arreston, por ka frikë t’u afrohet këtyre grabitësve profesionistë. Bandat e grabitjeve dhe të trafikut të drogës nuk goditen nga qeveria, sepse qeveritarët bashkëpunojnë me to. Policia u hap rrugë maskave që të grabisin banka e biznese, ndërsa godet qytetarët që dalin të shesin paketa cigaresh në rrugë, apo qepë e presh për të mbajtur frymën gjallë. Parimi i qeverisë është goditja e të dobtëve dhe lënia fushë veprimi të lirë për grabitësit e bankave dhe bizneseve.

Exit mobile version