Dështon samiti i Sofjes për shkak të Kosovës?

Bashkimi Europian po përpiqet me finesë diplomatike të pengojë përplasjet për shkak të Kosovës në samitin e Ballkanit Perëndimor javën e ardhshme në Sofje. Vendet që nuk e kanë njohur Kosovën kërcënojnë me bojkot.
Grindja e vazhdueshme në disa vende të BE-së për statusin e Kosovës hedh hije në përgatitjet e samitit të Ballkanit të BE-së në Sofje më 17 Maj. Një javë para samitit të BE-së shenjat duken ende se janë për konfrontim.
Pesë vende të BE-së nuk e pranojnë njohjen e Kosovës. Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qipro duan ta bëjnë këtë të qartë edhe në samitin e BE-së në Sofje. Sipas tyre asnjë simbol në këtë samit nuk duhet të interpretohet sikur pavarësia e Kosovës e shteti i Kosovës janë të pakontestuar.
Për të mundësuar zhvillimin e samitit siç është planifikuar, BE përpiqet tani me finesa diplomatike. Kështu në deklaratën përfundimtare të takimit në Sofje nuk do të flitet për vendet e Ballkanit Perëndimor, por për partnerët e Ballkanit Perëndimor, njofton agjencia e lajmeve dpa, duke iu referuar qarqeve të BE.
Spanja nuk merr pjesë për shkak të Kosovës
Nga ana tjetër edhe vendet, ku do të ulen krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, do të shenjohen me emrat e tyre dhe jo si zakonisht me emrat e vendeve. Me këto rregullime, organizatorët shpresojnë që të mos bojkotohet samiti i Ballkanit Perëndimor. Vetëm kreu i qeverisë spanjolle, Mariano Rajoy, megjithë lëshimet e bëra nuk do të marrë pjesë në samit, bëhet e ditur nga diplomatët e Brukselit. Në Madrid u tha së fundmi, se para sfondit të lëvizjeve seperatiste në Katalonjë, Rajoy nuk do që të dalë në fotografi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Në samitin e Sofjes do të flitet për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Por nuk mendohet se BE do të ofrojë një kohë të saktë anëtarësimi. Kur Komisioni Europian në strategjinë e Ballkanit të prezantuar në shkurt ofroi si datë të mundshme anëtarësimi vitin 2025 për Serbinë dhe Malin e Zi, pati reagime kundërshtuese nga vendet anëtare. Kritikët thonë se Ballkani është ende shumë larg përmbushjes së kritereve që duhen për anëtarësim në BE.

Artikulli paraprakA do të kemi një konflikt mes Perëndimit dhe Rusisë? Cila është përgjigja e Lavrov?
Artikulli tjetërLondra shpallet qyteti më i mirë në botë për studentët