Dështova si lojtar, por jo si trajner

Ernesto Valverde nuk i trembet faktit që mund të dështojë sërish te Barcelona. Trajneri i ri i katalanasve thotë se nuk ka shanse të gabojë sërish dhe do të bëjë gjithçka për ta rikthyer skuadrën te triumfi në Spanjë dhe në Europë.
Përshtypjet – “Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe nuk pata kohë për të kuptuar ndryshimin e madh që pësoi karriera ime në momentin që nënshkrova si trajner i Barcelonës. Jam gati për këtë sfidë dhe shpresoj që të bëjmë histori së bashku. E dija që një ditë do të drejtoja katalanasit dhe dita erdhi”.
Profesioni – “Zgjodha të bëhem trajner, si të gjithë lojtarët që i japin lamtumirë futbollit. Dëshira e madhe është që të mbetesh gjithmonë në futboll dhe sigurisht që drejtuesit e Atletikos së Bilbaos vendosën që të besonin tek unë.
Unë kam pasur fatin të shikoj trajnerë të mëdhenj si Krujf, Klemente, Hejnkes, por edhe të tjerët si Luis Enrike dhe Guardiola janë shembujt e mi. Ançeloti gjithashtu është një mësues i mirë”.
Sistemi – “Kam luajtur shpesh me modulin 4-2-3-1, por jam përshtatur me futbollistët që kam pasur. Sistemi është i rëndësishëm për të mbajtur lojtarët të përqendruar, por gjatë lojës secili është i lirë të bëjë çfarë të dojë”.
E shkuara – “Unë kam qenë lojtar i Barcelonës dhe e njoh mirë historinë e këtij klubi, objektivat dhe dëshirën për të bërë mirë në Spanjë dhe në Europë.
E di që nuk pata shumë mundësi për të shprehur vlerat e mia dhe nuk kalova një kohë pozitive në këtë klub dhe u etiketova si një nga blerjet më të dështuara. Shpresoj që të mos më ndodhë edhe si trajner, por jam i sigurt që nuk do të dështoj këtë herë”.

Artikulli paraprakHumbje që rëndon
Artikulli tjetërBarça uron Realin për trofeun