Dështuan ndaj Shqipërisë në fazën e grupeve, Çekia zgjedh trajnerin e ri për Kampionatin Europian

Kombëtarja e futbollit e Çekisë arriti që ta sigurojë biletën për finalet e Europianit, Gjermani 2024 në frymën e fundit. Padyshim këtë gjë ua bëri të vështirë edhe Kombëtarja shqiptare që u mori katër pikë në grup, ku fitorja në shifrat 3-0 në Tiranë i tronditi thellë çekët. Në dallim nga ndeshjet në grup, në Europian Republika Çeke do të prezantohet me “timonier” të ri.

Ivan Hashek është trajneri më i ri i Çekisë. 60-vjeçari çek do të pasojë Shilhavin, i cili u largua pas kualifikueseve të Europianit. Hashek do të jetë në krye të pankinës së kësaj skuadre deri në nëntor 2025 me një opsion për të zgjatur kontratën e tij në Kupën e Botës 2026 nëse skuadra kualifikohet.

Kjo nuk është hera e parë që “timonieri” në fjalë ulet në stolin e kombëtares çeke, pasi e ka bërë edhe më parë, në 5 ndeshje në vitet 2009-2010. Hashek ka drejtuar skuadra të ndryshme si Al-Hilal, Sent Etien, apo Visel Kobe. Eksperienca e fundit e tij është në stolin e Libanit.

Çekia kërkon rezultate pozitive edhe në Europian, ku është në një grup me Portugalinë dhe Turqinë, ndërsa mbetet për t’u mësuar një skuadër nga “Play Off”.

Artikulli paraprakYndyra nuk është fajtore për nivelin e lartë të kolesterolit! Ja kush është “armiku” i vërtetë
Artikulli tjetër90 vetëvrasje në një vit/ Shifra më e lartë ishte gjatë vitit të pandemisë dhe karantinës