Kreu i PD, Lulzim Basha paralajmëroi dje se vendi do të përfshihet nga destabiliteti në rast se Rama nuk largohet nga pushteti e bashkë me të krimi që sot ka kapur ekonominë dhe qeverisjen e vendit. Basha u bëri thirrje qytetarëve, deputetëve dhe gjithë shoqërisë të mos heshtin, por të reagojnë me forcë ndaj asaj që po ndodh sot në vend, ku krimi i organizuar dhe mafia e drogës kanë kapur qeverinë e po drejtojnë vendin. Basha u bëri thirrje të gjithë socialistëve të hapin sytë e të shohin të vërtetën në sy, atë se çfarë po ndodh vërtet me vendin dhe se cilat janë qëllimet e vërteta të Ramës në mbajtjen dhe ndarjen e pushtetit me krimin. Basha paralajmëroi Ramën se fundi i tij dhe pushtetit të tij me krimin do të jetë shumë i afërt, ndërsa deklaroi se beteja e opozitës në largimin e tij do të vijojë deri në fitoren e saj. “Dy janë aleatët më të mëdhenj të krimit dhe të së keqes: heshtja dhe vetmia. Ndaj së pari, nuk duhet të heshtim. Heshtja ndaj drogës, heshtja ndaj kriminelëve në Kuvend, heshtja ndaj Saimir Tahirit, është një nga arsyet që droga mori përmasa të jashtëzakonshme. Ndaj nuk duhet përsëritur më kurrë e njëjta gjë. Siç këshillonte gjyqtari hero i luftës kundër mafias, Paolo Borsellino: ‘Flisni për krimin. Flisni në radio, flisni në televizion, flisni në gazeta. Flisni kudo, por flisni. Flisni kundër tyre që heshtën. Flisni kundër atyre që u përpoqën të mbyllin gojët e ndershme. Flisni kundër atyre që u bënë vegla për mbrojtjen e drogës’. Së dyti, nuk duhet të ndiheni të vetmuar, të shkëputur e të ndarë nga njëri-tjetri. Në shoqëri, në politikë qëllimi i të gjithë shqiptarëve që nuk janë përfshirë me krimin është një: një Shqipëri të çliruar nga krimi, ku sundon ligji, një Shqipëri ku ka drejtësi, ku ka liri dhe konkurrencë të ndershme. Ndaj pavarësisht ndarjeve që mund të kemi për shumë gjëra, në këtë betejë duhet të jemi bashkë, duhet të mbështesim njëri-tjetrin.
Që ta arrijmë këtë duhet së pari të pranojmë të vërtetën. Leonardo Sciascia që shkruajti kundër mafias thoshte: ‘E vërteta është në fund të pusit: vështron në një pus dhe sheh diellin dhe hënën, por kur futesh brenda nuk ka më as diell dhe as hënë, kjo është e vërteta’. Ju që deri më sot heshtët; ju që deri dje besuat tek Edi Rama; ju që deri më sot u joshën; duhet të shihni të vërtetën në fund të pusit. E vërteta është e thjeshtë: në Shqipëri nuk do të ketë as stabilitet, as rend, as drejtësi, as liri, as demokraci, as përparim me Edi Ramën në krye të qeverisë. Shqipëria dhe politika shqiptare ka njerëz të ndershëm dhe të zotë. Vetë Partia Socialiste ka njerëz të ndershëm dhe të zotë. Ndaj për politikën shqiptare, por edhe për vetë Partinë Socialiste është e pafalshme që ia kanë dorëzuar pushtetin Edi Ramës.
Sot është koha që shoqëria, politika, por edhe vetë Partia Socialiste të shohin të vërtetën në sy dhe të kuptojnë se Edi Rama është simptoma e një kanceri në trupin e vetë shoqërisë tonë, i cili do t’i prekë, herët a vonë të gjithë njerëzit, demokratë, socialistë a çfarëdo preference politike apo jopolitike të kenë. E vërteta tjetër e madhe është se e vetmja arsye pse Saimir Tahiri është i lirë dhe Edi Rama është ende në pushtet është se ne nuk kemi reaguar. Kur ne të bëhemi të gjithë bashkë, mijëra shqiptarë të bashkuar përballë Edi Ramës, përtej ngjyrimeve politike, përtej paragjykimeve, atë çast pushteti i Edi Ramës merr fund. Dhe bashkë me të edhe pushteti i krimit. Kjo ditë do të vijë. Shpejt”, tha Basha.
Koha kur populli duhet të ngrejë zërin
Në emër të PD dhe opozitës, Basha ftoi dje gjithë shoqërinë shqiptare që të ngrihet dhe të reagojë, të ngrejë zërin e saj kundër krimit në pushtet dhe largimin e tij nga qeverisja e vendit. “Largimi i krimit nga pushteti do të fillojë vetëm ditën kur Edi Rama të largohet nga zyra e kryeministrit. Nëse ikën ai, pas tij do të ikin të gjithë me radhë, të gjithë politikanët e lidhur me krimin dhe e gjithë shpura e tyre kriminale. Largimi i Ramës nga zyra e kryeministrit do të jetë akti më i madh antimafie dhe antikrim që ka ndërmarrë ndonjëherë Shqipëria. Çdo ditë që ai qëndron në pushtet është një ditë e mjeruar për Shqipërinë dhe një ditë e shkëlqyer për krimin. Ndaj, sot është koha për të ngritur zërin të gjithë si shoqëri. Nëse duam të jemi një shoqëri europiane duhet të fillojmë të sillemi si një shoqëri europiane. Asnjë vend europian, asnjë popull europian nuk mund të pranojë politikanë të inkriminuar si Edi Rama”, theksoi Basha.
Rama polici sekrete për mbrojtjen e vetes e peshkaqenëve pranë tij
Është skandaloze nisma e ndërmarrë nga Rama për t’i dhënë strukturës së tij të re policore atributet e Prokurorisë, ndërsa kërkon të bëjë vetë arrestimet e personave që pengojnë rrugën e qëllimeve të tij. Basha tha se i vetmi qëllim i kësaj nisme nga Rama është mbrojtja e lidhjeve të tij me krimin, si dhe mbrojtja e njerëzve pranë tij të lidhur ngushtë me trafikun e drogës për llogari të Ramës. “Edi Rama nuk duhet lejuar as të mashtrojë më popullin dhe as t’i shpëtojë më drejtësisë, siç po përpiqet të bëjë. Po, po. Dy ditë më parë, zëvendësi i Fatmir Xhafajt njoftoi se ata do të bëjnë arrestime. Në fakt ministri i Brendshëm dhe zëvendësi i tij bënin arrestime dhe pushkatime në fazën e parë të karrierës të Fatmir Xhafajt, jo sot. Sot arrestimet i bën Prokuroria. Po pse deklaron zëvendësministri politik se ata do të bëjnë arrestime? Sepse, kjo kupolë politike do që t’i japë të drejtën të bëjë policin gjyqësor, prokurorin dhe gjyqtarin. Shikoni! Është e njëjta kupolë politike që refuzoi t’i hiqte imunitetin skafistit me patentë 100 tonëshe, Saimir Tahirit të kapur gafil nga përgjimet e antimafias, e njëjta kupolë që e mbrojti Tahirin, që tani njofton aksione politike me arrestime. Dhe nuk bëhet fjalë për të arrestuar Tahirin apo Xhafajn (të voglin) apo Sejdinin apo dyshen Dako-Çela apo politikanët e kriminalizuar dhe korruptur.
Jo! Synimi është që këta të mbrohen. Këta janë të paprekshmit. Këta janë peshkaqenët në oqeanin e krimit dhe të korrupsionit shqiptar. Këta duhet të mbrohen. Se ndryshe shkon steka lart. Te shefi i madh në Tiranë, siç thonë kriminelët në përgjimet e antimafias. Kapja e drejtësisë ka qenë synimi kryesor i Edi Ramës, sapo erdhi në pushtet. Partia Demokratike dhe opozita nuk e lejoi atë ta kapte sistemin përmes reformës në drejtësi. Kjo ishte një arritje e madhe për të gjithë shqiptarët dhe për vendin. Imagjinoni për një moment sikur opozita të mos kishte reaguar dhe të ishte krijuar Byroja e Hetimit në Ministrinë e Brendshme në varësi të Saimir Tahirit?! Në varësi të kryetrafikantit me pushtet ministri. Do të ishte rrezikuar jo vetëm rendi dhe siguria publike në Shqipëri, por edhe siguria e aleatëve tanë euroatlantikë. Ndaj ishte arritje e madhe që Byroja e Hetimit do të jetë nën Prokurorinë e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit”, u shpreh Basha.
Rama po tenton të krijojë Prokurori private dhe kapjen e drejtësisë
Përpjekjet e Ramës dhe Xhafajt për të dubluar punën e Prokurorisë duke ngritur një strukturë me qëllimin e një Prokurorie private janë cilësuar dje nga Basha si një tentativë e pastër e Ramës për të kapur Prokurorinë. Kreu i PD, Basha e cilësoi si të pavlerë nismën e Ramës për të ngritur një polici sekrete, ndërsa tha se e vetmja polici që do të mund të luftojë krimin do të jetë policia e depolitizuar pa Ramën në qeverisje, si dhe një drejtësi e pavarur. “Por tani që i kanë dalë petët lakrorit, tani që skandali Tahiri-Habilaj e ka ekspozuar para hetimeve që sapo kanë nisur, Edi Rama do që të krijojë Prokurorinë e tij private. Nën drejtimin politik të Fatmir Xhafës, kjo do të ishte një mburojë për të dhe shpurën e tij dhe një mashë për të kërcënuar, shantazhuar dhe persekutuar këdo që bëhet pengesë për të dhe kupolën e tij. Nëse doni të dini si do të funksiononte kjo Prokurori private e dyshes Rama-Xhafaj, mjafton të kujtoni Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Saimir Tahirit. Ishin agjentët e hetimit të brendshëm ata që rrëmbyen në mënyrë mafioze në mes të natës Dritan Zaganin me urdhër politik dhe e flakën në qeli pa asnjë akuzë, pa asnjë provë, pa asnjë fakt. Krimin mund ta luftojë vetëm një polici e depolitizuar, një Prokurori e pavarur dhe një gjykatë e ndershme. Krimin mund ta luftojë vetëm një polici që merr urdhra nga ligji dhe jo nga politika. Një polici që nuk i përkulet politikanëve dhe nuk u shërben politikanëve.
Heronjtë kundër krimit nuk janë figurantët që i mbledh si tufë kryeministri për t’u mbajtur fjalime delirante që ata i dëgjojnë në heshtje. Krimin nuk e luftojnë policët që bëjnë politikë, por profesionistët e papërkulur që e përndjekin krimin në rrugë, në sheshe, në laboratorë, në patrulla dhe aksione. Në Shqipëri ka patur përherë, ka dhe do të ketë gjithmonë policë të zotë dhe të ndershëm që i shërbejnë ligjit dhe atdheut dhe jo krimit dhe politikës së lidhur me krimin. Ata dhe vetëm ata janë garancia për një të nesërme më të mirë. Por që këta policë të bëjnë punën e tyre, duhet që qeverisja të çlirohet nga politikanët që i shërbejnë krimit. Njerëz si Saimir Tahiri e kanë vendin në burg dhe jo në krye të Ministrisë së Brendshme. Këta njerëz duhet të kenë në duar prangat e drejtësisë dhe jo çelësat e pushtetit. Kanabisi dhe krimi mori këto përmasa para së gjithash për shkak të lidhjes së këtij kryeministri dhe kupolës së tij me krimin. Kur krimineli arrin të hyjë në Kuvendin e Shqipërisë, çfarë vështirësie ka që ai të mbjellë parcela droge në male, kodra apo edhe fushat e vendit. Kur krimineli kontrollon Kryeministrin, ç’vështirësi ka ai që të blejë një doganier të kufirit apo një polic apo kryepolicët apo vetë ministrin e Brendshëm? Nëse politika furnizohet me vota dhe para nga krimi, Shqipëria dhe Europa do të furnizohen me drogë. Çdo trajtim i problemit të krimit të organizuar në Shqipëri thjesht si problem teknik nuk e ndihmon Shqipërinë. Çdo strategji teknike për luftën kundër krimit do të jetë dështim i sigurt. Krimi në Shqipëri është problem politik dhe zgjidhja e tij mund të fillojë vetëm nga politika. Ditën që Edi Rama hyri në godinën e kryeministrisë, në Shqipëri erdhi krimi në pushtet”, u shpreh kreu i PD.
A.Shahini