DETAJE/ Aksioni antidrogë në Fushë-Krujë “çoi” në duart e policisë nipin e ish-deputetit të PS-së, si u arrestua Ariel Rraja!? Blutë shkuan për të kapur…

Detaje të reja janë bërë të njohura mbi arrestimin e Ariel Rrajës, nipit të ish-deputetit të PS-së Rrahman Rrajës, mbrëmjen e së mërkurës (22 Janar) teksa qëndronte në një lokal.
rrahman flamur rraja
Flamur Rraja (majtas) dhe ish-deputet i PS-së, Rrahman Rraja (djathtas)

Mësohet se 24-vjeçari Ariel Rraja, nipi i Rrahman Rrajës është arrestuar gjatë operacionit antidrogë që Policia e Tiranës ka zhvilluar në fshatin Luz të Fushë Krujës, mbrëmjen e së mërkurës.

Policia ka pasur informacione për dy persona që po transportonin lëndë narkotike dhe ka shkuar për të bërë arrestimin e tyre, Kujtim Ukaj dhe Abdurrahman Rizvani, që kapën me 60 kg kanabis.

Por, operacioni i policisë ka hasur kundërshtimin e Flamur Rrajas dhe Ermal Tufës, pasi kanë pretenduar që policia të mos ndërhyjë në ‘zonën e tyre’.

Efektivët e policisë kanë pikasur aty dhe Ariel Rrajan dhe kanë bërë arrestimin e tij, duke hasur sërish me kundërshtimin e Flamur Rrajas, i cili tashmë është proceduar në gjendje të lirë për kundërshtim të punonjësve të policisë së bashku me Ermal Tufën.
Ariel Rraja
Ariel Rraja

Aksioni antidrogë në Luz të Fushë Krujës

35-vjeçari Kujtim Ukaj, banues në Krujë, u arrestua gjatë aksionit antidrogë ku u zbulua se kishte rolin e transportuesit të drogës, ndërsa 26-vjeçari Abdurraham Rizvani, banues në Mat, monitronte rrugën.

Shërbimet e Policisë ndaluan automjetet me të cilat udhëtonin dy të rinjtë në Luz të Fushë Krujës. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtohej nga 35-vjeçari, në pjesën e pasme, u gjetën gjetur 6 thasë me kanabis, me peshë totale 60 kilogramë.

Ndërsa 26 vjeçari, që ndodhej në mjetin tjetër, mësohet se kontrollonte rrugën dhe njoftonte bashkëpunëtorin e tij, nëse kishte prezencë të Policisë. Ndërkohë u shpall në kërkim 28 vjeçari me iniciale S. D., i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.

Kush është Ariel Rraja?

Ariel Rraja ishte shpallur në kërkim pas dhunës që i riu, së bashku me babain e tij, ushtruan ndaj Kujtim Cacës. Ngjarja ka ndodhur më 24 Tetor 2024, pas një konflikti mes Flamur Rrajës dhe Kujtim Cacës për një kanal.

Kujtojmë që 24-vjeçari është arrestuar policia më 27 tetor 2024 për posedim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Ariel Rrajës iu gjet gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin që drejtonte një sasi kokaine dhe shuma parash.

“U arrestua shtetasi A. Rr., 22 vjeç, banues në Nikël, Krujë, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin që drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe shuma parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin”, njoftoi policia në atë kohë.

Dhuna ndaj kushërinjve të fisit Maja

Fisi Rraja dhunoi barbarisht me shkopinj bejsbolli kushërinjtë Maja dhei kërcënuan me pistoletë, pasi denoncuan dëmet që po u shkaktoheshin në shtëpitë e tyre në Borizanë, nga gurorja e Përparim Rrajës, kushëririt të ish-deputetit socialist.

Pas ngjarjes në kërkim u shpallën Xhelal e Flamur Rraja vëllezërit e ish-deputetit Rrahman Rraja, i cili u tërhoq nga detyra pasi në media u bë publike video e episodit barbar të dhunës në një lokal në Thumanë. Në arrati është edhe djali i ish-deputetit, Rexhep Rraja dhe nipi, Klajdi Rraja.

Anëtarët e fisit Rraja filmuan të gjithë episodin barbar për të kërcënuar më tej banorët e tjerë të zonës se nëse do të ankoheshin për guroren do të kishin të njëjtin fat si Majat.

Prokuroria e Tiranës i ka përfunduar hetimet ndaj pjesëtarëve të fisit Rraja dhe i akuzon për plagosje të lehtë me dashje dhe kanosje bazuar në një ekspertizë që la vend për dyshim, pasi dhunën barbare të dëshmuar me video ndaj 2 kushërinjtë Jashar e Bilbil Maja e konsideruan dëmtim të lehtë.

Në akuzë nuk reflektohet armëmbajtja pa leje e vëllait të ish-deputetit, Xhelal Rraja, që u shfaq qartë në pamjet, të cilat Rrajat filmuan si dëshmi force ndaj banorëve të tjerë të zonës.

Dhuna barbare ndodhi më 6 korrik të vitit 2023. Bilbil e Jashar Maja përfunduan në spital vetëm se deshën të mbrojnë shtëpitë e tyre.

Exit mobile version