Për më shumë se tre orë, Balluku dha dëshminë e saj si person që ka dijeni për aferen e inceneratorit të Tiranës. Në një prononcim shkurt për mediat, ajo tha se u thirr për dosjen e inceneratorit, duke thënë se është një dosje që ka bërë pis të madh dhe të vogël dhe ka ardhur koha që të zbardhet.
“Ishte një thirrje sa i përket dosjes 255 që është inceneratorit i Tiranës. Duhet të jepja disa sqarime që shpresoj të ketë shërbyer për zbardhjen e kësaj dosje. Kjo është ndarja e vërtetë e pushteteve. Pra qeveria ka punën e saj, parlamenti ka punën e tij dhe drejtësia punën e tij. Ne jemi këtu për ta mbështetur. Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh dhe të vogël, për të ndarë njëherë e mirë të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm”, tha ministrja.
VARTESIT E BALLUKUT NËN HETIM DHE PRAPA HEKURAVE
Belinda Balluku është zyrtarja e lartë që ka numrin më të madhe të drejtorëve në hetim nga Prokuroria e Posaçme apo janë të arrestuar për korrupsion dhe abuzim në tendera. Sjellim në vëmendje se Ergys Verdho, kreu i KESH u largua pak kohë më parë nga ky post, pasi ndaj tij nisi një hetim për tenderat në institucionin që ai drejtonte. Një tjetër drejtor nën varësinë e ministres Balluku ka qenë edhe Evis Berberi, kreu i ARRSH, i cili përfundoi në pranga në muajin mars.
Drejtori i ministres Balluku akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njëjtat vepra penale, nën arrest kanë përfunduar po ashtu dhe dy sipërmarrës, të lidhur me të, Valter Begaj, dhe Ervis Lamaj. Një tjetër zyrtar i lartë, i cili është nën hetim është edhe Ceno Klosi, kreu i Tatimeve.
Zyrtari i lartë i Tatimeve po hetohet për veprat penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumentave”. Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se hetimet ndaj kryetatimorit Klosi u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike. “Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin PenalNr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike “, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria. Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 6 muaj para kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi.
KALLZIMI PËR RRUGËN KORÇË-ERSEKË
Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur hetimet për rrugën Korçë-Ersekë, e cila është bërë temë diskutimi, si pasojë e një shembjeje masive në një pjesë të saj, duke e bërë të pakalueshme. Ky hetim, nga sa mësohet, nis pas një kallëzimi të tre viteve më parë nga inxhinieri Romeo Nazarko, i cili ka kallëzuar ministren për Infrastrukturën dhe Energjinë, njëherë zëvendëskryeministre e vendit, Belinda Balluku, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe kompaninë e kontraktuar për ndërtimin e kësaj rruge.
Inxhinieri Nazarko deklaroi se shembja e rrugës ndodhi për shkak se nuk u respektuan standardet teknike, që monitorohen direkt nga Ministria e Infrastrukturës. Romeo Nazarko u shpreh se aksi KorçëErsekë është projektuar keq që në gjenezën e saj, duke shtuar se “i gjithë problemi ishte vlera, jo se donin të bënin rrugë.
“U rrëzua rruga Korçë-Ersekë akoma pa u inauguruar, ministrja duhet të kishte dhënë menjëherë dorëheqjen. Ka rënë si pasojë e mosrespektimit të standardeve teknike, që monitorohen direkt nga ministria e lindjes. Muret janë mbajtëse, por nuk mban dot veten e vet. Nuk mban dot gjithë ngarkesën nga shembjet masive që ka. Ergys Vjerdho ka qenë iniciatori i këtij abuzimi, këto janë gabim sistematike. Një gabim që ka bërë Ergysi ky e ka vazhduar dhe drejtori i radhës që do të vijë do të vazhdojë trashëgojë. Që në gjenezë është një rrugë e projektuar keq, në një strukturë jo të qëndrueshme. Është një shtrat me qëndrueshmëri të dobët, nuk janë bërë studime fiziologjike në kohën e duhur. Gjithë problemi ishte vlera, jo se donin të bënin rrugë”, u shpreh ai dy muaj me pare në News24.
EVIS BERBERI NË PRANGA
Pak kohë më parë përfundoi në pranga krahu i saj i djathë, ish kreu i ARRSH, Evis Berberi. Evis Berberi bashkë me dy biznesmenë miq të tij ka përfunduan në qeli, pas një kontrolli blic në banesë ku i janë gjetur shuma parash dhe piktura me vlerë disa mijëra euro. Në njoftimin e SPAK për këtë çështje, thuhet se “Ervis Berberi, fillimisht në cilësinë e ish Drejtorit të Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë, më pas në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “N…… Group”,sh.p.k., (që është përfituesi i prokurimeve publike të zhvilluara gjatë kohës kur shtetasi E. B. ishte titullar i autoritetit kontraktor), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “D……. sh.p.k., të kontrolluar prej tij”.
Për të kryer transferimin e parave, Berberi ka përdorur kompanitë e dy miqve të tij biznesmenë Valter Begaj dhe Ervis Lame, të cilët janë arrestuar bashkë me të për akuzat e korrupsionit dhe pastrimin e parave.
EDHE CENO KLOSI NË HETIM
SPAK po ashtu ka nisur hetimet edhe ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Ceno Klosi. Zyrtari i lartë i Tatimeve po hetohet për veprat penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumentave”. Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 6 muaj para kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi.
“Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/ 2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Mashtrimi”. SPAK ka vendosur bashkimi e dy procedimeve në një të vetëm.
Klosi, i cili në krye të tatimeve, iu bindet me shumë urdhrave politikë, sesa ligjit, duke ndëshkuar padrejtësisht bizneset, ka punuar për 13 vite si specialist dhe drejtues sektorësh në banka të nivelit të dytë dhe më pas gjatë periudhës 2015-2021 ka mbajtur pozicionin si Drejtor i Departamentit Ekonomik në OSHEE. Në qershor të 2021 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës- Kanalizime dhe Mbetjeve të ngurta, ndërsa me VKM 625, datë 22/ 10/2021 u emëruar drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.