Një përplasje me armë ka tronditur Elbasanin, ku eksponentë kriminalë, të njohur si grupi i Suel Çelës, janë kapur nga shtabi elektoral i Gazment Bardhit janë kapur me një makinë, që shpërndante para për blerjen e votës. Nga kjo përplasje ka mbetur i vrarë Pjerin Xhuvani, ndërsa janë plagosur katër persona, mes të cilëve dhe një punonjëse policie.
Vetëm katër ditë para zgjedhjeve, një përplasje me armë ka tronditur Elbasanin, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ndërsa katër të tjerë u plagosën, mes tyre dhe një punonjëse policie. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14.00 në lagjen “5 Maji” në Elbasan, zonë e cila njihet për influencën që ka aty grupi kriminal i Çelajve.
Raportohet se ka qenë kandidati i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi,i cili ka ndaluar një automjet me para dhe karta identiteti që po bënte shitblerjen e votave, ku më pas kanë njoftuar shërbimet e policisë. Në mjetin me para mësohet se ka qenë dhe Klement Xhaferri, një eksponent i njohur kriminal, si pjesë e grupit të Suel Çelës, i cili njihet si mbështetës i Taulant Ballës.
Policia është vonuar për të shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa mes palëve kanë nisur fillimisht debatet verbale e më pas situata ka degjeneruar në konfrontime fizike. Gjatë përplasjes, personat që ishin në automjetin me para dhe karta identiteti kanë hapur zjarr në drejtim të mbështetësve të Partisë Demokratike, duke plagosur dy persona, konkretisht Emiljan Prenga, 39 vjeç, Pavlo Vuksani, 50 vjeç.
Kalimtarët janë tmerruar dhe janë munduar të largohen nga vendi i ngjarjes. Madje, banorët shprehen se e gjithë përplasja ka ndodhur në prani të dy drejtuesve lokalë të policisë.
Në këtë moment, mbështetësit e PD janë kundërpërgjigjur për vetëmbrojtje. Konkretisht, Arbër Papleka ka nxjerrë armën personale që kishte me leje. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes ka mbërritur për mbështetjen e eksponentëve kriminalë të Partisë Socialiste edhe Pjerin Xhuvani me dhëndrin e tij, persona të njohur për policinë dhe që sulmuan simpatizantët e Partisë Demokratike për Ditën e Verës më 14 mars në Elbasan.
Në ato momente mësohet se ka mbërritur dhe një patrullë e repartit Shqiponja, ndërsa të shtënat kanë vijuar nga ana e grupit që shpërndante para. Pikërisht nga këto të shtëna mendohet se ka mbetur i vrarë edhe Pjerin Xhuvani, 46 vjeç dhe janë plagosur punonjësja e policisë Xhensila Sota, 27 vjeçe.
Burime policore thonë se Klement Xhaferri është shpallur në kërkim, por zyrtarisht policia hesht përballë të fortëve që tronditën Elbasanin.
Emrat e Suel Çelës dhe Klement Xhaferrit u përfshinë në vitin 2017 dhe në sulmin ndaj policisë, kur me një mjet Audi goditën mjetin e nëndrejtorit të policisë Elbasan Gjergj Oshafi. Por vetëm disa muaj më vonë, ata u shpallën të pafajshëm për shkak të mbrojtjes së fortë që kishin nga mazhoranca.
Dëshmitari për BIRN: Policia ishte aty kur ndodhi përplasja
Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në një konflikt me armë në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit, ndërsa katër persona të tjerë u plagosën, mes së cilëve edhe Xhensila Sota, një efektive e policisë që ndërhyri për të ndaluar konfliktin.
Por e gjithë përplasja ka ndodhur në sytë e policisë. Grupi i Kelmend Xhaferrit dhe Pjerin Xhuvanit duket se nuk e ka përfillur fare praninë në vendin e ngjarjes të një zyrtari të lartë policor.
Një dëshmitar okular i tha BIRN se kishte parë një grumbullim me njerëz dhe një debat me fjalë mes personave në dy makina të ndaluara në mes të rrugës. Dëshmitari tha se nuk kishte mundur të dëgjonte përse po përplaseshin personat, por tha se e pranishme në vendngjarje kishte qenë edhe policia.
Në një moment gjatë konfliktit janë përdorur armët, nga breshëria e së cilave mbeti i vrarë Xhuvani dhe u plagosën dhëndri i tij, një punonjëse e policisë dhe dy persona të tjerë. Dy prej të plagosurve janë dërguar në Tiranë në gjendje të rëndë.
Në rrugë, policia ka bllokuar një sërë provash materiale, përfshi një makinë pa targa.