Gazetarja e News 24, Klodiana Lala bën me dije se shtëpia-laborator është mbajtur nën vëzhgim nga hetuesit për disa muaj.
Ngarkesa e parë me lëkurë bagëtish mbërriti në vendin tonë në muajin shtator.
Por për shkak se nga përgjimet rezultonte se ngarkesa e dytë pritej të mbërrinte në nëntor, SPAK ka pritur derisa kjo ka ndodhur për të kapur në flagrancë grupin kriminal, raporton Klidiana Lala.
Policia ka ndërhyrë vetëm në momentin kur ekspertët kimistë 1 nga Venezuela dhe dy nga Kolumbia kanë nisur punën në laborator për veçimin e kokainës.
Ndërsa hetimet vijojnë, SPAK ka në ‘duar’ informacione të shumta lidhur me veprimtarinë e grupit, pasi personat ishin në vëzhgim prej muajsh.
Kokaina ishte e shkrirë në lëkurët e bagëtive dhe përmes proceseve kimike realizohej ndarja, ndërsa operacioni u finalizua në momentin e mbërritjes së ngarkesës së dytë të lëkurëve dhe që do të niste përpunimi, bashkë me sasinë e parë që kishte mbërritur në shtator.
Lëkurët e bagëtive vinin në Shqipëri nga vendet e Amerikës Latine. Rreth dy javë më parë një grup i prokurorëve të SPAK udhëtoi drejt Brazilit.
Në përbërje të grupit ishin edhe Altin Dumani, kreu i SPAK, dhe Adnan Xholi, drejtuesi i seksionit kundër krimit të organizuar, që sot po drejtojnë hetimet lidhur me laboratorin e kokainës të zbuluar në Qerekë.
Lidhur me vizitën e anëtarëve të SPAK në Brazil u tha se një nga pikat kryesore të diskutimit ka qenë lufta kundër bandave shqiptare, të cilat kanë krijuar rrjete të gjerë të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në drejtim të Europës.
Nuk dihet nëse kjo vizitë në Brazil dhe finalizimi i operacionit për laboratorin e kokainë kanë lidhje, por nuk përjashtohet mundësia që prokurorët shqiptarë të kenë marrë informacione të vlefshme për linjat e trafikut nga kolegët e tyre brazilianë.