Bledi KASMI
Që nga fillimi i protestës të banorëve të Unazës së Re ka pasur një detaj, të cilit nuk i është kushtuar rëndësi. Ka kaluar pa asnjë vëmendje të gazetarëve apo politikës. Madje askush nuk ka mundur që ta identifikojë si një element të veçantë të kësaj proteste dhe të shtrojë qoftë edhe në mënyrë të thjeshtë pyetjen përse është aty?
Cila është domethënia që ka dhe cili është mesazhi që kërkohet të përçohet përmes tij?
Janë marrë me të drejtë me bllokimin e rrugëve, me vënien e flakës gomave të makinave, me përplasjen me policinë dhe fadromat, por prap detaji i ka shpëtuar. Nuk ka qenë e mundur të dëshifrohet politikisht ky detaj nga fillimi ndonëse mesazhi që kërkonte të përçonte ishte aty. Tani që kanë kaluar javë nga protesta dhe janë zbardhur disa të vërteta të hidhura për megavjedhjen në këtë projekt, ai element po bëhet gjithnjë dhe më i dukshëm, më i kuptueshëm dhe nuk mund të kalojë më pa vëmendje mediatike.
Bëhet fjalë për flamurin amerikan që mbajnë në duar protestuesit.
Përse duhet ai dhe jo flamuri i BE-së? Ky flamur duket se ishte aty për të na treguar se kishte diçka për të tna treguar dhe se nuk ishte aty ashtu rastësisht.
Arsyeja tani mund të zbërthehet pjesërisht. Ka të bëjë me skandalin që qëndron pas kësaj rruge. Nga Amerikan ka ardhur një përgjigje. Eshtë falsifikuar letra e Sekretarit të Shtetit të Delaëare për një kompani fantazmë që ka përfituar 18 milionë euro. Atje kanë nisur hetimet. Se si do të shkojnë këto hetime i mbetet ditëve të ardhshme, vetëm se nga dita në ditë po dalin dhe do dalin fakte të reja, ashtu si edhe nesër. Se çfarë do të dalë kjo mbetet për t’u parë.
Jemi në fillimin e një rruge që do të na tregojë se si kreu i qeverisë po fsheh pasuritë që i vjedh qytetarëve të këtij vendi.