Deutsche Bank, po bie perandoria?

Vetëm një Bismarck i ri mund ta shpëtojë. Në Gjermani tashmë janë të bindur se nëna e të gjitha bankave gjermane, Deutsche Bank, është në telashe prej goditjes së parregullt të qeverisë amerikane, por edhe pse është shpërfytyruar, duke u bërë bankë biznesi, duke humbur kështu lidhjen me Modell Deutschland që kish ushqyer prej një shekulli. Kështu, pasi e kanë riplazmuar dhe homologuar, zotërinjtë dhe padronët e rinj (midis aksionistëve të mëdhenj janë Bank of America, Goldman Sachs, Fondi Vanguard) e hedhin në tokë. Sigurisht, 14 miliardë dollarë janë një goditje shumë e rëndë, një megagjobë që ushqen nostalgjikët e komplotit të madh pluto–judaiko–masonik. Banka akuzohet nga Departamenti amerikan i Drejtësisë se u ka shitur investitorëve përpara shpërthimit të krizës financiare të 2008 tituj që kishin si kolateralë kredi që nuk mund të shlyheshin. Natyrisht, nuk ka qenë e vetmja. JPMorgan Chase, Citigroup dhe Morgan Stanley kanë pranuar tashmë të paguajnë një shumë totale prej 23 miliardë dollarësh për të mbyllur çështjet lidhur me kreditë subprime. Rekordi është i Bank of America, e ndëshkuar me 16.65 miliardë dollarë në verën e 2014. Por Deutsche Bank nuk ka ndërmend të dorëzohet. Nga ana tjetër, nuk është një kompani kreditimi si të tjerat, është një monument, bile një mit. Kështu, hapet një traktativë e gjatë dhe e komplikuar që do të lumturojë avokatët. Ndërkaq, banka do të vazhdojë të pësojë dushe të ftohta dhe të humbasë para në çdo spekulim. Vlera në bursë ka rënë: në tetor një aksion kuotohej 30 euro; sot kalon me pak 12 eurot. Vitin e kaluar është mbyllur me një humbje prej 6.8 miliard dollarësh; por mbi të gjitha është hera e parë në histori që banka e mbyll bilancin në të kuqe. Dhe qelbet akoma me erë të keqe shakaja e fundit të verës. Është nata midis 13 dhe 14 gushtit dhe një account që të krijon përshtypjen se vjen nga agjencia “Reuters” se Deutsche Bank po përgatitet t’i kërkojë Bankës Qendrore Europiane një hua të jashtëzakonshme. Harrojeni Lehman Brothers, këtu jemi në rënien e njërës prej bankave të para botërore, me filiale në 70 vende. Për fat, ndonjë njohës i internetit fillon të mbjellë dyshimin se @Reuters_Bus është false, se bëhet fjalë për hakerim, për spiunazh, bile deri për cyberwar. Pak kohë më pas account-i fshihet dhe nga thashethemnaja e frikshme nuk mbetet asnjë gjurmë. Por gënjeshtra e fundit e verës demonstron se kolosi bankar gjerman është si një ari i vënë nën shënjestër në garën e qitjes së një panairi. Në qoftë se bie DB, De-Be, siç e quajnë dashamirësit e akronimeve, ajo tërheq me vete Gjermaninë dhe Europën.
Një ortek telashesh është përplasur mbi shtyllën historike të ekonomisë gjermane. Manipulimi me taksat referuese Euribor dhe Libor i ka kushtuar një gjobë prej 3.5 miliardësh; tentativa për të tërhequr tregun e arit ka vënë në alarm Prokurorinë zvicerane; operacionet në Rusi kanë provokuar akuzën për riciklim dhe shkelje të sanksioneve (edhe me Iranin banka është dyshuar se nuk ka respektuar embargon). Është pastaj evazioni fiskal që ka të bëjë me shkëmbimin e të drejtave të emisioneve të gazit karbonik dhe ka provokuar një futje të vrullshme të policisë në zyrat e selisë qendrore. Por ajo që kërcënon Deutsche Bank nuk janë as skandalet financiare (janë paguar tashmë shpenzime ligjore mbi 1 miliard euro dhe kushedi sesa procese janë në zhvillim), as akuzat për spiunazh që i kanë errësuar ndershmërinë; nuk janë vetëm vështirësitë ekonomike në Kinë apo shpenzimet e jashtëzakonshme për të përshtatur kërkesat pronësore. Problem i vërtetë është se, banka nuk nxjerr fitime në atdhe, ku pëson konkurrencën e kompanive kreditore vendase dhe të mbrojtura nga qeveria. Dhe me përqindjet negative në vijim të politikës monetare të Bankës Qendrore Europiane, nuk ka asnjë shans rikuperimi. Bosi i madh i DeBe-së prej 1 viti është një britanik, pasi kanë eksperimentuar zviceranë, amerikanë deri indianë dhe John Cryan ka shpalosur synimin që të ngrijë dividentët për 2 vjet dhe të ulë kostot duke mbyllur sportele të tjera (18000 sportelet e hapura në Gjermani nuk prodhojnë asnjë euro fitim) dhe ulur numrin e punonjësve (do të largohen 35000), përveçse të shesë Postbank dhe aktivitete të tjera jashtë vendit. Është e pranishme në 70 vende dhe tregu i parë pas atij kombëtar është Italia ku luan një rol të dorës së parë, edhe në operacione plot pyetje, si “Projekti Santorini” për të zbukuruar llogaritë e Monte dei Paschi di Siena, po t’u përmbahesh akuzave të prokurorëve milanezë.
Në mënyrë progresive, Deutsche Bank e ka ridimensionuar zanatin e bankës tregtare për të fuqizuar në maksimum komponenten financiare. Për pasojë, sot është e rënduar nga një vëllim i jashtëzakonshëm kontratash derivate të çdo lloji dhe vlere: sipas të dhënave të fundit, që i përkasin prillit, bëhet fjalë për më shumë se 60 mijë miliardë euro, 2/3 më shumë sesa Lehman Brothers përpara rënies. Për të pasur një ide, është një nivel i barabartë me 24 herë PBB-në gjermane dhe 6 herë më shumë se ai i të gjithë eurozonës. Natyrisht, nuk do të ndodhë kurrë që të gjitha bastet financiare duhet të plotësohen në të njëjtën kohë, gjithsesi banka është e mbushur përplot me bono me rrezik të lartë, shumë më tepër se çdo konkurrent tjetër i madh botëror. Në kundërshtim nga dukja, kriza e saj nuk i ka rrënjët e saj në një sistem gjerman të palëvizshëm dhe tetragon, por në tentativën për të zgjidhur lëmshin pervers midis bankës, sigurimeve dhe industrive mbi të cilin ishte ndërtuar fuqia ekonomike gjermane. Reforma ishte bërë e nevojshme edhe në funksion të euros, megjithatë i ka shtyrë bankat që të kërkojnë mënyra të tjera të të bërit biznes jashtë kufijve dhe në territore për të të paeksploruara.
Banka është themeluar në Berlin në vitin 1870 për të mbështetur ekonominë e jashtme të fuqisë së re gjermane. Midis ortakëve të parë ishte një anëtar i familjes Siemens, por lidhja më organike ndodhi me familjen Krupp dhe me Bayer, duke blerë titujt e tyre dhe duke i mbështetur të dy grupet në bursë, më pas me Daimler-Benz, i të cilit bëhet aksioneri kryesor. Kështu, transformohet në një institucion kyç edhe në tregun e brendshëm, ndërton një rrjet të gjerë kombëtar dhe gjatë nazizmit do të jetë kasaforta e Gestapos, duke i financuar gjerësisht sistemin Auschwitz (siç do ta pranojë vetëm më 1999). Me rënien e Murit të Berlinit luan një rol kryesor në bashkimin e të dy Gjermanive. Më 9 nëntor hapet e çara, më 30 nëntor Alfred Herrhausen, president i Deutsche Bank, një prej mbështetësve të madh të pajtimit, si dhe këshilltar i Helmut Kohl, vritet në një atentat me bombë ka mundësi të STASI-t, jo të RAF-it, Rote Armee Fraktion, siç u tha qysh në fillim. Pikërisht Gjermania e re e madhe me oborrin e saj të madh të shtëpisë në lindjen europiane do të forcojë vokacionin e bankës biznesore. Ndërsa bumi amerikan, i shtyrë nga revolucioni high-tech dhe nga globalizimi, tregon se me shitblerjen e kompanive dhe të titujve prej letre fitohet shumë më tepër sesa duke huazuar para. Deri kur nuk hapet Kutia e Pandorës e derivative dhe e kredive subprime. Më 2001 Deutsche Bank kuotohet në Wall Street dhe lëshohet në tregun e CDO-ve (Collateralized Debt Obligation), obligacione që kanë si garanci një borxh. Si shenjë e kursit të ri, më 2005 shet brenda gjysmë ore 35 milionë aksione të Daimler me një vlerë prej 1.3 miliard eurosh, derisa ta reduktojë kuotën e saj nga 10 në 4 për qind. Më 2011 komisioni hetimor i Senatit amerikan e përcakton bankën gjermane si një rast shkollor për të kuptuar sesi është krijuar flluska financiare. Cryan i duhet të sjellë dinamizëm dhe stabilitet të ri në nivelin drejtues pas zinxhirit të lartë të dorëheqjeve dhe largimeve nga puna, më i bujshmi nga të cilët është ai që ka të bëjë me bankierin e fuqishëm zviceran, Josef Ackermann më 2013. Riblerja e titujve të vet, të ashtuquajturve CoCos (Contingent Convertible Bonds) instrumente hibride kapitali të lejuara bankave për të shpëtuar nga ulje-ngritjet e aksioneve të zakonshme, bëhet një testim qëndrueshmërie dhe besueshmërie. Por shumë dyshojnë se nuk do të jetë i mjaftueshëm.
Kështu, në botën e financës, vërtitet një pyetje spektrale: do të shikosh se duhet shpëtuar Deutsche Bank? E kush e shpëton? Në Frankfurt, Bundesbanku, banka qendrore gjermane, kryqëzon gishtat. Mario Draghi është jashtëzakonisht i preokupuar. Opinioni publik është gati që t’i kërkojë shtetëzimin, përpara syve të Brukselit dhe ndalimit për ndihmat shtetërore dhe të bail-in, që në rast kolapsi të bankës së vetme sistemike gjermane, nuk do të aplikohej. Marrëveshja e pamatur që fut në bela obligacionistët e vegjël bankarë, do të varroset kështu përgjithmonë, por me çfarë çmimi për të gjithë ekonominë europiane. Deutsche Bank është shumë e madhe, por sidomos, megjithë “amerikanizimin” e kohëve të fundit të saj, mbetet shumë gjermane për të falimentuar. Nuk ka dyshime John Mack, që ishte administratori i Deleguar i Morgan Stanley kur u shpëtua nga Unce Sam: “Kam dëgjuar të qarkullojë ideja se mund të mos paguajë interesat, por është thjesht absurde, Berlini nuk do ta lejojë. Në rast se do të ketë nevojë për një rrjet sigurie, qeveria do t’ia japë”. Në shkurt Max Keiser, drejtuesi televiziv amerikan ndërtues i madh komplotesh financiare, gjatë emisionit të tij “Keiser Report” në kanalin televiziv “RT”, ka ligjëruar: “Deutsche Bank është teknikisht e falimenuar”. Ministri i Financave, Wolfgang Schäuble ka dalë menjëherë për të deklaruar se banka është solide dhe se i ka resurset për të dalë nga gropa e zezë ku ka rënë. 6 muaj më pas, kjo gropë është thelluar akoma edhe më shumë. Banka mund të sistemohet, mendon James Chappell, senior analyst i Berenger Bank të Hamburgut, por ka nevojë për shtim kapitali, të bëhet më efikase, të largojë një pjesë të derivative që ka në bark, të rigjejë një ekuilibër operativ që prej shumë kohësh duket më shumë si një hedge fund sesa si institut kreditimi. Sidomos duhet të ketë parasysh autoritetet amerikane, më rigoroze sesa ato europiane. Pikat kyçe për Federal Reserve janë dy: cilësia e management dhe cilësia e kapitalit (duhet të jetë më i lartë respektivisht standardeve europiane dhe i përbërë nga aksione plus aktivitete reale, jo prej letre dhe derivate). Për Bankën Qendrore Europiane, rreziku qëndron në fakt në cilësinë e kredive. Kështu, teksa Deutsche Bank e ka kaluar me sukses stress test e BQE-së (ka më shumë aktivitete financiare sesa hua), ka dështuar bujshëm në atë të FED-it. Do të ketë një provim “vjeshte” më 2018, por ndërkohë duhet të bëjë detyrat e shtëpisë (shprehje shumë në modë jo vetëm në Gjermani), sidomos do të duhet të riparojë brinjët e thyera.
Në Berlin dhe Frankurt, ashtu si edhe midis bankave të mëdha europiane e ndërkombëtare, diskutohet se mbi kë dhe si mund të ndërhyhet. Një shtetëzim në kuptimin e vërtetë të fjalës do të ishte shumë i rëndë edhe për bilancin e ekuilibruar publik gjerman. Megjithatë, nuk është kjo rruga. Është folur për ta shkrirë me Commerzbank, por hipoteza është përjashtuar, do të ishte si të vije bashkë një të verbër me një çalaman. Commerzbank u shpëtua nga qeveria më 2008 pas rënies së Lehman Brothers, me objektivin që të rishëndoshej dhe të hidhej në treg, në fakt është akoma mbi shpinën e kontribuesve. Qeveria do të luajë një rol aktiv, për këtë janë dakord analistët, megjithatë dëshirohet të individualizohet një mekanizëm miks, pak publik dhe pak privat. Ndërkohë ka nisur edhe kërkimi i ortakëve të rinj të fortë. Në të vërtetë, nuk ka nevojë për një kërkim të madh, aksionistët e rinj të ardhshëm mund të jenë vetëm kolosët industrialë dhe financiarë gjermanë, Siemens apo Daimler që kështu do të lidhnin lidhje të vërteta, kompania e sigurimeve Allianz që dikur ishte çift me Commerzbank apo familje të mëdha industriale si ajo Quandt, veç të tjerash pronare e BMW-së dhe e grupit Varta (bateri dhe akumulatorë). Me pak fjalë, një grup emrash të shkëlqyer të gatshëm që të bëhen aksionerë të fortë, duke shkelmuar fondet dhe bankat biznesore amerikane, në rastin e rritjes së afërt, të pashmangshme dhe masive të kapitalit. Në këtë mënyrë rrezikohet që të hyjë nga dritarja ajo ndërthurje që ishte zgjidhur në vitet reformuese të qeverisë socialdemokrate të drejtuar nga Gerhard Schröder, ai që ka bërë më fleksibël tregun e punës dhe ka shpëtuar Gjermaninë nga Pakti i Stabilitetit që vetë gjermanët e kishin dashur aq të ngurtë dhe budalla (fjalët e Romano Prodit).
Janë të shumtë nostalgjikët e kohërave të arta në të cilat Deutsche Bank emëronte presidentë dhe administratorë të deleguar të koncerneve të mëdha, lidhte aleanca, hartonte kontrata martese. Dinë diçka edhe ata të FIAT-it, pasi në fundin e viteve nëntëdhjetë, e hyrë në paktin e sindikatës të orkestruar nga Enrico Cuccia, banka vraponte për të martuar grupin italian me Daimler, përpara se ky i fundit të zgjidhte Chrysler dhe FIAT-i të lidhej me General Motors (kurrë çiftëzimet nuk qenë më të gabuara, një kuartet që ngjante me atë të “Aftësive zgjedhëse” të Goethe). Por nuk është e thënë që operacioni nostalgjik të dalë me sukses. Me gjithë dëshirën për të mbrojtur sistemin që gjithsesi ndjehet në ajër, parellinj të mëdhenj dhe grupe shumëkombësh të kuotuara në bursë bëjnë llogaritë. Sa do të kushtonte një operacion i kësaj natyre? Jemi të sigurtë se do ta bënte më të lehtë shëndoshjen? E kur do të fillojmë të vjelim divident të majmë? Pa harruar se do të ishte rikthimi i një modeli që është kërkuar shumë të tejkalohet.
Shpejt do të shikojmë se çfarë rruge do të ndiqet, edhe pse deri më tani mbizotëron strategjia e hidraulikut: të çlirojë rrugët financiare të zëna dhe të axhustojë tubat ashtu siç janë. Në fund të fundit, nuk shikohen në horizont strategji të mëdha. Public company alla amerikane nuk ka funksionuar; sa i përket bismarckizmit, Angela Merkel, pavarësisht të gjitha telasheve të saj, shpreson që të thyejë rekordin e Kancelarit mustaqelli wilhelmian: në qoftë se nuk shfaqen alternativa serioze, pas një viti do të ulet për herë të katërt në Bundeskanzleramtsgebäude, prapa vetratave të mëdha të pallatit qeveritar. Deutsche Bank do të jetë akoma, askush nuk mund ta dyshojë. Më e vështirë të kuptohet sot sesi do të jetë bërë.
(Nga Geopoliticus)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakNdahemi, por mbetemi miq!
Artikulli tjetërSi falimentoi New York City