Dhërmi/ Edi Rama leje resorti 3 muaj para krijimit të firmës “Golden Key” dhe fal tokën 7.8 milionë Euro

Një provë tjetër krimi për SPAK, me licencat e pasuritë publike, i shtohet bëmave të kryeministrit Edi Rama, në batërdinë klienteliste e anti-ligjore që ka bërë mbi tokat shtetërore në bregdetin e Himarës, nëpërmjet  lejeve “Investitor Strategjik” me dokumente false.

Bëhet fjalë për Vendimin Nr. 27, datë 17 maj 2021, të firmosur prej tij si Kryeministër e Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, për leje ndërtimi të resortit “Drymades Villas” me vila në Dhërmi, dhënë firmës “Gjikuria Sh.p.k” e “Golden Key” sh.p.k. në sipërfaqe 14 mijë m2 tokë buzë detit.

Në këtë leje, konstatohet se përfitues janë Aleksandër Frangaj e Florenc Gjikuria, dy klientë të kryeministrit Edi Rama; të cilëve ua ka dhënë lejen për ndërtim mbi tokë shtetërore, me letra fiktive sikur ata e kanë blerë 18.2 Euro m2.

Përveçse Frangaj e Gjikuria, deri tani nuk kanë paguar asnjë qindarkë për tokën; vjedhja e kësaj pasurie qëndron dhe në faktin, se cmimi zyrtar i shitjes që ka caktuar shteti për tokat në vijën e parë buzë detit në Himarë është 580 Euro m2.

Por vjedhjes 7.8 milionë Euro me çmimin e tokës, i shtohet dhe krimi i dokumenteve false, që kanë përdorur kryeministri Edi Rama në bashkëpunim me Aleksandër Frangajn e Florenc Gjikurinë, për dhënien e lejes së ndërtimit.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania “Golden Key” sh.p.k e Erjon Ginës, kunatit të Aleksandër Frangajt që ka marrë resortin “Drymades Villas” në Himarë bashkë me Florenc Gjikurinë, është krijuar më 19 korrik të vitit 2021.

Ndërsa leja dhe toka e shtetit, për resortin u është dhënë 3 muaj para krijimit, konkretisht më 17 maj 2021; mashtrim e falsifkim që përbën vepër penale dhe duhet hetuar nga SPAK, mbasi jemi përballë një krimi të paramenduar e të organizuar prej treshes Rama- Frangaj- Gjikuria.

Por nuk janë ndalur me kaq, mbasi më 8 mars 2023, kryeministri Edi Rama ka bërë një shtesë në Vendimin Nr. 27, datë 17 maj 2021 të Këshillit Kombëtar të Territorit, duke i shtuar resortit të tyre edhe 2500 m2 tokë buzë detit e 22 vila të tjera, madje e shpalli “Investim Strategjik”, me qëllim që të mos paguajnë vlerën e tokës, taksat dhe qiranë e plazhit.

Logjikisht, faktikisht e penalisht kemi të bëjmë, me veprime zyrtare anti-ligjore të kryeministrit Edi Rama si Kryertar i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, duke krijuar kushte bashkëpunimi, që Aleksandër Frangaj e Florenc Gjikuria të përdornin dokumente false, për të përfituar lejen e resortit, tokën dhe plazhin falas.

Edhe në këtë rast, kryeministri Edi Rama, ka vepruar si me kompaninë e Klodian Zotos e Mirel Mërtirit “Integrated Energy” të landfillit të Tiranës, të cilën, 1 vit para se të krijohej e shpalli fituese për 430 milionë Euro dhe i dha bonusin 8% me dokumente false./Pamfleti

Exit mobile version