Dhjetë kompanitë tek tenderat “1 miliardësh” të bashkive

Elisa Gjerani

Ndarja e re territoriale ka sjellë edhe më shumë para për 61 bashkitë e reja, por në 3 vitet e fundit vetëm 45 prej tyre kanë shpallur tenderë me vlerë mbi 100 milionë lekë të reja, ose mbi 1 miliard lekë të vjetra. Këto para janë shpenzuar kryesisht për punë dhe shërbime publike, por ajo që fshihet pas këtyre kontratave është fakti se mbi 50% e parave të tenderuara janë fituar vetëm nga 10 kompani, ndërsa pjesa tjetër nga 91 kompani të tjera.
Tenderë mbi 100 milionë
Porta Vendore ka kryer një vëzhgim mbi prokurimet publike që kanë zhvilluar njësitë e qeverisjes vendore në 3 vitet e fundit, përkatësisht qershor 2015-shtator 2018, duke nxjerrë disa fakte interesante sesi harxhohen paratë e taksapaguesve shqiptarë, cilat bashki shpenzojnë më shumë, ato të majta apo të djathta dhe cilat janë kompanitë që kanë përfituar më shumë nga këto prokurime. Duke iu referuar të dhënave të openprocurement.al, rezulton se në tre vitet e fundit, janë shpallur 172 tenderë nga 45 bashki me vlerë mbi 100 milionë lekë të reja. Vetëm 16 bashki figurojnë deri më tani me asnjë tender të dhënë mbi shumën e 100 milionë lekëve, ku 8 prej këtyre bashkive drejtohen nga kandidatë, të cilët janë mbështetur në zgjedhje nga opozita, dhe 8 të tjera nga kandidatë të mbështetur nga maxhoranca.
Nga vëzhgimi i kryer rezulton se tenderi i parë me një vlerë të tillë është shpallur dhe fituar në shtator të vitit 2015. Konkretisht, operatori Konstruksion 93 shpk në bashkëpunim me Xhengo shpk ka fituar tenderin me vlerë prej 151. 345. 496 lekë nga Bashkia Korçë për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme të Muzeu të Artit Mesjetar.
Nga 172 tenderë të shpallur, deri në fund të muajit gusht 2018 janë shpallur fituesit për 151 tenderë, pra 21 tenderë ende janë në procedurë, ndërkohë që numri i kompanive që kanë fituar këta tenderë janë 101 të tilla në total. Fondi limit për tenderët e fituar në 45 bashkitë e vendit rezulton se në total ka qenë rreth 28 miliardë e 921 milionë lekë të reja (pa TVSH), ndërkohë që vlera totale e fituar nga kompanitë konkurrente është rreth 26 miliardë e 711 milionë lekë të reja (pa TVSH). Pra rezulton se në total, kompanitë fituese të tenderëve kanë arritur të përthithin mbi 92% të fondit limit.

Dhjetë “kompanitë 1 miliardësh”
Por, duke analizuar më thellë shifrat e tenderëve mbi 100 milionë lekë që janë shpallur nga bashkitë rezulton se dhjetë kompani kanë fituar mbi gjysmën e vlerës totale të parave të tenderuara në 151 prokurime publike, ndërsa pjesa tjetër e këtyre tenderëve është fituar nga 91 kompani të tjera. Konkretisht, 10 kompani rezultojnë se kanë fituar jo pak, por 53.5% të gjithë vlerës së parave të tenderëve mbi 100 milionë lekë të reja, pra të 26.7 miliardë lekëve të reja, ose e thënë në shifra, rreth 14.3 miliardë lekë.
Këto dhjetë kompani kryesisht kanë fituar të vetme tenderët mbi 100 milionë lekë të reja të shpallur nga bashkitë, por nuk kanë munguar rastet edhe kur ato kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën, ose me kompani të tjera, ku këto të fundit nuk kanë arritur të fitojnë ndonjëherë vetëm, tenderë të tillë.
Megjithatë, kompania lider e këtyre dhjetë kompanive fituese është Fusha shpk, e cila ka fituar jo pak, por 16.5% të vlerës totale të të gjithë tenderëve mbi 100 milionë lekë, të hapur nga pushteti vendor. Konkretisht, 12.2% të vlerës totale të tenderëve, pra rreth 3.25 miliardë lekë të reja, kjo kompani i ka fituar e vetme. Ndërsa rreth 4.4% të vlerës totale të tenderëve, rreth 1 miliard e 175 milionë lekë i ka fituar në bashkëpunim me 5 subjekte të tjera.
Kjo kompani administrohet nga Shkëlqim Fusha dhe vitin e fundit ka qenë, jo vetëm në fokusin e sulmeve të opozitës për afera të dyshimta për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar në Tiranë, por edhe të protestave të shoqërisë civile dhe të artistëve në mbrojtje të godinës së vjetër. Lidhur me këto akuza rezulton se kompania Fusha shpk, duke konkurruar e vetme, pa operatorë bashkëpunues, në Tiranë ka fituar 6 tenderë me vlerë mbi 100 milionë lekë të reja, 2 i ka fituar në Roskovec dhe 1 në Vorë.

Vlera totale e tenderëve mbi 100 milionë lekë të reja të fituar në Tiranë rezulton rreth 2.8 miliardë lekë të reja. Bashkia Tiranë, në total ka realizuar 44 tenderë me mbi 100 milionë lekë të reja, me vlerë totale 10.6 miliardë lekë të reja, ndërkohë që rezulton se 26% e kësaj vlere është fituar vetëm nga Fusha shpk me 6 tenderë. Madje, kjo kompani, e cila ka fituar në total 38 tenderë për tre vite, pra edhe ato me vlerë më të vogël se 100 milionë lekë, 30 prej tyre i ka fituar në Tiranë, 6 në Vorë dhe 2 në Roskovec.
Ndërsa kompania e dytë, e cila ndjek subjektin Fusha shpk, është “G.P.G. Company shpk”. Kjo kompani rezulton se ka fituar 9% të vlerës të të gjithë tenderëve me 100 milionë lekë të reja të zhvilluar nga 45 bashki. Edhe kjo kompani rezulton se gjysmën e kësaj vlerë e ka fituar e vetme, ndërsa gjysmën tjetër, në bashkëpunim me kompani të tjera. Ndryshe nga Fusha shpk, kjo kompani rezulton se fushën e influencës e ka pasur të shpërndarë në disa bashki, si Tiranë, Tepelenë, Korçë, Kavajë, e Delvinë dhe një herë ka fituar në Shqipërinë e Veriut, konkretisht në Mirditë, bashki e drejtuar nga kandidat që është mbështetur nga PS.
Ndërsa dy kompani të tjera që vijnë pas dy të parave e zënë vendin e tretë e të katërt janë përkatësisht Salillari shpk dhe Vëllezërit Hysa shpk. Salillari shpk rezulton se ka fituar rreth 5.4% të vlerës së këtyre tenderëve, ndërkohë Vëllezërit Hysa shpk kanë fituar rreth 4.7% të vlerës totale të parave për 151 tenderët, ose sa gjysma e kompanisë që zë vendin e dytë “G.P.G. Company shpk”.
Me ndryshime të vogla në përqindje, në vendin e pestë renditet kompania Korsel shpk, pikërisht me 4%, e me radhë; Alko-Impex General Construcion SHPK; Alba Konstruksion; 4 A -M shpk; Victoria Invest shpk dhe Agbes Construction.
Këto 10 kompani të listuara që rezultojnë fitueset dominuese të tenderëve “të majmë” të bashkive, rezultojnë se janë edhe në krye të listës së fituesve të të gjithë tenderëve të zhvilluar nga 61 bashkitë e reja në 3 vitet e fundit, pra edhe ata me vlerë më të vogël se 100 milionë lekë të reja. Megjithatë, ata rezultojnë se të dhjetë bashkë përbëjnë përqindje më të ulët, duke qenë se nuk bëhet fjalë për 151 tenderët me mbi 100 milionë lekë, por për 13,794 tenderë me vlerë totale rreth 75.1 miliardë lekë, pothuajse 3-fishi i tenderëve mbi 100 milionë lekë, të analizuar nga “Porta Vendore”.

Konkretisht, duke analizuar shifrat kur ato kanë fituar të vetme, por edhe në bashkëpunim me operatorë të tjerë, rezulton se kanë arritur të marrin 20% të vlerës totale të 13,794 tenderëve, ose 15 miliardë lekë të reja. Por, ajo që vihet re është fakti që në vlerën 15 miliardë lekë të reja, këto 10 kompani, 14.3 miliardë lekë i kanë fituar nga tenderët mbi 100 milionë lekë dhe vetëm rreth 700 milionë lekë nga tenderët me vlerë më të vogël se 100 milionë lekë, që tregon qartë se ata konkurrojnë vetëm kur vlera e tenderit është tejet e lartë.
Për çfarë u shpenzuan paratë
Paratë e tenderuara rezulton se kryesisht janë ndarë në tre kategori. Ajo që mban peshën më të madhe janë punët publike. Nga 151 tenderë për të cilët janë shpallur fituesit rezulton se 129 të tillë, me vlerë totale rreth 21.2 miliardë lekë janë shpenzuar për punë publike, si rikonstruksione rrugësh e shkollash, ndërtime të reja, që nga rrugët, godinat, ujësjellës, parkime, e shumë vepra të tjera.
Po ashtu, një pjesë tjetër parash janë shpenzuar për kontrata publike për shërbime. Konkretisht për këtë kategori janë realizuar deri më sot 17 tenderë me vlerë totale 610 milionë lekë të reja. E thënë ndryshe, këto para janë shpenzuar më së shumti për shërbimin e pastrimit të mbetjeve urbane, për varrezat, për gjelbërimin dhe dekorin. Por duhet theksuar se tenderë të tillë me vlera mbi 100 milionë lekë të reja janë zhvilluar vetëm nga 9 bashki në total, pra mesatarisht dy tenderë për një bashki.
Ndërsa kategoria tjetër që janë ndarë këto tenderë është ajo e kontratave publike të furnizimit. Për këtë kategori rezulton se janë zhvilluar vetëm 5 tenderë me vlerë totale rreth 611 milionë lekë të reja. Këto para kryesisht janë shpenzuar për pajisje me kamera sigurie, blerje materialesh hidraulike dhe të llojeve të tjera. Pra rezulton se shumica e parave të tenderuara të bashkive kanë shkuar për punë publike, konkretisht 79.4% e fondeve, ndërsa 18.2% e tyre janë përdorur për shërbime dhe vetëm 2.4% për furnizime.
tenderat1

Exit mobile version