Dhoma Amerikane: Investitorët e huaj nuk janë të sigurtë në Shqipëri

Dhoma Amerikane e Tregtisë bën apel për krijimin e një ambjenti më të sigurt për investitorët e huaj.Pas largimit të investitorit amerikano-libanez pas dhunës së ushtruar ndaj tij, Marc Crowford  shprehet se shqetësim është fakti se ky rast mund të ndikojë tek  ardhja e investitorëve të tjerë. Sipas Crowford, siguria është një ndër elementët më të rëndësishëm në thithjen e investimeve pas nivelit të taksave. Biznesi amerikan në Shqipëri e sheh me shqetësim faktin e largimit të investitorit amerikano-libanez nga Shqipëria. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Marc Crowford, shprehet se është e rëndësishme që të krijohet një ambjent i sigurt pasi kjo ngjarje mund të ndikojë tek investitorët që duan të vijnë në vend. “Duhet të krijojmë një imazh pozitiv për Shqipërinë dhe çdo gjë që na pengon ne të krijojmë një imazh pozitiv është shqetësim. Jo vetëm për ato 450 milion euro që do të humbasim tani, por dhe nëse krijohet një ftohje për sektorin. Nëse ai do të kishte realizuar projektin e tij me sukses do të ishte si një magnet për të tjerët. Do vinin dhe restorante, shërbime rreth e rrotull” thekson Crowford.  Siguria sipas Crowford është një ndër elementët më të rëndësishëm për investitorët pas nivelit të taksave. Ndërkohë që kërkon të zgjidhet edhe problemi i pronave. “Kemi qenë konstant duke kërkuar të jemi konkurent me rajonin me taksat, por duhet siguri. Nëse kemi një taksë shumë të mirë apo taksë zero, por nëse nuk kemi imazh pozitiv në siguri nuk vinë investitorët. Shqipëria nuk është vendi i vetëm në botë që ka bregdet” thekson ai.  Edhe Shoqata e Investitorëve të huaj si dhe biznesi vendas i kanë  kërkuar Qeverisë që të marrë masa për të parandaluar ngjarje të tilla, ndërsa shpresojnë që reforma në drejtësi të zgjidhë disa probleme, si në çështjet e korrupsionit administrativ dhe pronësisë. Largimin e kompanisë “OMNIX” Albania nga Shqipëria dhe tërheqjen e investimit të saj prej 450 milionë dollarësh, përfaqësuesit e biznesit vendas e të huaj e quajnë një kambanë alarmi. Ikja e saj për arsyen se përfaqësuesi i saj në Shqipëri u dhunua barbarisht, konsiderohet si dëmi më i madh që i bëhet imazhit të Shqipërisë dhe përpjekjeve për të thithur investimet e huaja. Përfaqësues të shoqatave të turizmit thonë se një investim i tillë, prej 450 milionë eurosh do t’i mungojë Shqipërisë, në një kohë që ajo ka nevojë më shumë se kurrë për këtë gjë. Përveç investimit të 450 milionë dollarëve, kompania “OMNIX”, me qendër në Dubai dhe me shtrirje në të gjitha vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, do të ndërpresë edhe projektet e tjera në Shqipëri. Përfaqësuesi i saj Fadi Mitri, që u largua me barelë nga Shqipëria dhe nën masa të larta sigurie dhe presidenti i kompanisë, Jamal Abu Issa, janë ortakë edhe në kompaninë “OMNIX Contracting and Engineering”, e cila është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në vitin 2010 dhe ka si objekt aktiviteti punime ndërtimi, punë publike, qendra biznesi dhe rezidenca, hotele dhe godina akomodimi, rrugë, autostrada, ura dhe të gjitha llojet e ndërtimeve inxhinierike. Kjo është një tjetër goditje e rëndë për investimet e huaja në Shqipëri dhe vjen në një kohë kur vendi ynë nuk po arrin të konkurrojë me fqinjët në këtë sektor. Në këtë mënyrë, Shqipëria dështon për herë të dytë me investimet me standarde në turizëm, pasi pak vite më parë largoi edhe “Club Med”, kompaninë e dytë në botë në fushën e turizmit.

Artikulli paraprakFaturimet abuzive të OSHEE rrënojnë qytetarët
Artikulli tjetërGjoba për protestën ndaj PD, Gjykata shfuqizon 7 akteve të Veliajt