Dhoma Amerikane kritika qeverisë për rritjen e taksave

Bizneset shprehën mendimet e tyre për ndryshimin në taksën e pronës, ndryshimin në taksën e infrastrukturës mbi ndërtimet, tatimit mbi të ardhurat personale dhe shtrirjen e skemës se TVSh-së për bizneset qe kanë xhiro më të lartë se dy milionë lekë, nga 5 milionë lekë që është aktualisht.
Për sa i përket taksës së banesave, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, propozoi që për shtëpitë e para të jetë zero. Sipas Jakës, do stimulohen individët për të blerë një shtëpi. Ai shtoi se shtëpitë e dyta dhe të treta të paguajnë më shumë.
Jaka tha se taksa e infrastrukturës, prej 8 për qind mbi çmimin e shitjes për ndërtimet civile ndikon për investimet.
Kreu i Dhomës së Tregtisë u shpreh kundër uljes së pragut të TVSH-së në 2 milionë lekë, pasi kjo sipas tij do të nxisë informalitetin.
Për sa i përket heqjes së TVSH-së për ushqimet e shportës bazë, një propozim i deputetëve të LSI, Jaka u përgjigj se produktet ushqimore janë në 70 për qind importe dhe ulja e TVSh nuk do të sjellë përfitim në ekonomi.
Dhoma Amerikane ka ripërsëritur komentet e saj për paketën fiskale. Anëtarët e Dhomës i kanë kërkuar qeverisë që të mbajë premtimin që bëri përpara zgjedhjeve, që tatimi mbi pagat e larta mbi 130 mijë lekë në muaj të ulet nga 23% në 18%. Në paketën fiskale aktuale mungon një nismë e tillë.
“Ulni taksën mbi TAP që të ketë rritje të pagës dhe të deklarimit të tyre”, thanë përfaqësuesit e Dhomës Amerikane.
Në këtë paketë fiskale vumë re se, shumë prej ligjeve do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Dhoma Amerikane ka kërkuar që elementë të rëndësishëm duhet të përcaktohet me ligj.
Aktualisht në rastin e TVSh-së, kufiri përcaktohet me VKM. Dhoma ka kërkuar që kufiri të mos ndryshojë nga viti në vit.
Në opinionin e anëtarëve të Dhomës, ligji duhet të përcaktojë qartë detyrimin tatimor, duke përcaktuar qartë dhe pa ekuivoke si bazën e tatueshme ashtu edhe normën tatimore. Aktet nënligjore do të duhet më tej të specifikojnë detaje apo japin sqarime, por jo të vendosin elementë tepër llogaritjes së detyrimit tatimor.

Artikulli paraprakPlaku ndal Skënderbeun
Artikulli tjetërTjetër rritje skandaloze e taksës së pronës për bizneset