Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve (DHKPV), përmes një letre drejtuar kreut të qeverisë, i ka kërkuar rritjen e pagës minimale në nivel kombëtar, nga 22.000 lekë në 23.000 lekë. Bordi Drejtues i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve argumenton se kërkesa është bërë nisur nga situata, në të cilën është duke u zhvilluar veprimtaria e biznesit në sektorin e regjimit aktiv dhe të eksporteve; Konjuktura e tregut ndërkombëtar në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve; Niveli i kursit të këmbimit; Dëshira për të ndikuar në rritjen e konsumit dhe përmirësuar sado pak cilësinë e jetesës së të punësuarve tanë etj. DHKPV kërkon që efektet e kësaj rritjeje të fillojnë nga 1 janar 2017. “Jemi të vetëdijshëm se kjo rritje i përgjigjet kushteve reale të këtij sektori. DHKPV i propozon Qeverisë Shqiptare që të marrë në konsideratë propozimin e saj, të bërë prej shumë kohësh që, rritja e pagës minimale në nivel kombëtar, të mos bëhet në të njëjtin nivel për të gjithë sektorët e ekonomisë, por të jetë e ndryshme për sektorë të ndryshëm, sipas peshës që ajo ze në totalin e shpenzimeve të raportuara. Ju kujtojmë se sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me material porositësi (fason) vlerëson se 75-85 % e shpenzimeve të prodhimit i përbën pagesa e pagave dhe detyrimeve të tjera të taksës së punës, që do të thotë se çdo rritje e pastudiuar e pagës minimale, jashtë kapaciteteve të këtij sektori dhe të tregut në tërësi, e nxjerr jo konkurrues sektorin dhe sjell ulje të konsiderueshme të punësimit të së rinjve. “- thuhet qartazi në letër. DHKPV në fund, kërkon edhe që Këshilli Kombëtar i Punës të marrë në konsideratë këtë propozim, në kuadër të konsensusit të njohur në vite të tripartitizimit, ta miratojë atë, duke ia rekomanduar për miratim edhe Qeverisë Shqiptare në një nga mbledhjet e saj.