Dhomat e huaja e vendase kundërshtojnë ashpër anëtarësimin me detyrim

Organizatat përfaqësuese të Biznesit në Shqipëri si: Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri, Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, Dhoma Britanike e Tregtisë, Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve,  shprehin shqetësimin e tyre dhe të të gjithë anëtarëve të tyre, pjesë e komunitetit shqiptar dhe të huaj të biznesit në vendlidhur me ndryshimin e ligjit për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të miratuar gjatë seancës së djeshme parlamentare në Kuvend. Ky ndryshim ligjor rikthen anëtarësimin e detyrueshëm të biznesit në këto dhoma, pagesën e kuotës vjetore për të gjithë subjektet juridike. Organizatat bëjnë me dije se, këto ndryshime nuk kaluan asnjë fazë diskutimi publik pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes para se t’i dërgoheshin Kuvendit të Shqipërisë, në kundërshtim me angazhimin e shprehur qartë nga qeveria për diskutim dhe dialog me biznesin dhe grupet e interesit mbi aktet ligjore dhe nënligjore të cilat ndikojnë biznesin, si edhe në kundërshtim me detyrimin ligjor të përcaktuar në ligjin nr. 57/2014.
Si përfaqësues direkt të biznesit prej më shumë se një dekade, kemi ndjekur procesin e diskutimit të këtij ligji që nga muaji dhjetor 2015, kur projektligji u dërgua në Kuvend, duke depozituar pranë Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese të gjithë argumentet ligjorë, financiar dhe praktikat më të mira botërore rreth papërshtatshmërisë së këtij projektligji. Diskutimet që vijuan në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese në janar, shkurt dhe prill të këtij viti krijuan përshtypjen se do të merreshin parasysh nevojat dhe kërkesat e biznesit, duke e kthyer këtë ligj  në Ministrinë e Ekonomisë, institucioni në të cilin u hartua, në mënyrë që të konsultohej me të gjitha grupet e interesit. Vërejmë se asnjë nga sugjerimet dhe vërejtjet e komunitetit të biznesit nuk është marr në konsideratë në ligjin e miratuar. Të gjitha bizneset në shkallë vendi do të ngarkohen me një detyrim të ri, pa qenë ende të qartë se cilat janë benefitet e anëtarësimit të detyrueshëm në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të organizuara në bazë qarku. Me gjithë përpjekjet nga biznesi për të shtuar transparencën dhe përgjegjshmërinë e palëve, proçesi dhe ligji i miratuar nuk pasqyroi konsultimet e zhvilluara në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese.
Theksojmë se, rezultatet e Indekseve të ndryshme të Biznesit në vitet 2015-2016 treguan se shqetësimi kryesor për klimën e biznesit në vend ka qënë niveli i taksave. Edhe në Raportin Global të Konkurrueshmërisë, i cili u botua këto ditë, niveli i taksave zë vendin e dytë në listën e faktorëve më problematikë për biznesin. Pikërisht në këtë kohë, ky ndryshim i ligjit shton një pagesë më tepër për bizneset, e cila rrit barrën fiskale mbi biznesin, dhe vepron për të frenuar rritjen ekonomike në vend. Qëndrimi ynë përcjell vullnetin e bizneseve, duke mbështetur lirinë që duhet të ketë çdo biznes për të qenë pjesë e organizatave që dëshiron ta përfaqësojnë, si dhe të drejtën të mos jetë pjesë e asnjërësprej tyre. Duke i siguruar biznesit lirinë të zgjedhë vullnetarisht, të gjitha dhomat sikurse shoqatat do të ishin më të vëmendshme për të rritur nivelin e shërbimeve, për të përfaqësuar me dinjitet zërin e anëtarëve të tyre, dhe për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Fuqizimi i organizatave të biznesit me bazë vullnetare është tregues i rëndësishëm i nivelit të zhvillimit të biznesit dhe i demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kuadër duhet të organizohen dhe veprojnë edhe dhomat e tregtisë në bazë qarku. Çdo favorizim i këtyre dhomave, pa ofruar asnjë shërbim të veçantë për biznesin, përbën një kosto të shtuar të të bërit biznes në vend dhe diskriminon organizatate tjera përfaqësuese të këtij komuniteti, përfundon deklarata e përbashkët.

Artikulli paraprakHuaja për ekonominë në ngërç
Artikulli tjetërCity-United, luftë për Toni Kros