Dhuna e Ramës ndaj grave: Më largoi nga puna, ndonëse djalin e kam me paralizë

Në Sheshin e Lirisë, nëna profesioniste, vajza të arsimuara, dëshmuan persekutimin që qeveria u ka bërë, duke i larguar nga puna me pa të drejtë. Madje, largimet ishin edhe më tronditëse ku shumë nëna u larguan nga vendi i tyre i punës pa paralajmërim, gjatë lejes së lindjes, apo edhe në rastet kur fëmijët e tyre vuanin nga sëmundje të rënda. Të gjitha këto rrëfime tronditëse ishin pjesë e bashkëbisedimit sonte me kryetarin demokrat Basha. Gruaja shqiptare është sot e dhunuar psikologjikisht, për shkak të largimeve masive nga puna, nga vështirësitë e padrejtësitë e jetës që tek mungesa e ndihmës ekonomike deri tek shëndetësia me probleme. Juvina, tregoi historinë e saj ku u largua nga puna teksa kishte marrë lajmin e hidhur se djali i saj i mitur kishte lindur me një sëmundje agresive.
“Kërkuan largimin tim edhe pse djali im ishte diagnostikuar me paralizë cerebrale. Ata nuk donin t’ia dinin. Isha e diplomuar në dy fakultete dhe sapo kisha nisur masterin shkencor. Kërkoj largimin e kësaj qeverie për shkak se dua që nënat me fëmijë me nevoja të veçanta të mbështeten nga një qeveri e re”.
Eda Grimci u largua nga puna pak ditë, pasi kishte lindur fëmijën e saj të dytë. Ajo u njoftua për largimin nga puna nga Ministria e Mbrojtjes ku ushtronte profesionin e saj si juriste, vetëm me një telefonatë gjatë kohës që sapo kishte lindur dhe ishte ende në spital. “U largova nga puna nga një ministre femër. Nuk u lejova të hyja në institucion, pasi ishte dhënë urdhër. Largimi im nga puna nuk erdhi si pasojë e shkeljeve që unë kisha bërë, jo, isha demokrate. I kërkoj zotit Basha që të premtojë të zbatojë vendimet e gjykatave për rikthimin në vendin e punës të të gjithë atyre që janë hequr me pa të drejtë nga kjo qeveri”.
Në çadrën e lirisë bashkëshorti i Brunildës, e cila tragjikisht vrau veten në qytetin e Korçës, 3 vite më parë, pasi u pushua nga puna, theksoi se bashkëshortja e tij kreu këtë veprim, për shkak të largimit nga puna. “Vazhdojnë të na persekutojnë, edhe pse jemi familje e thjeshtë dhe e ndershme. Brunilda ishte e vetmja që punonte dhe mbante familjen”, tha ai.
Humbja e jetës së një pacienti nga mungesa e ilaçeve në Spitalin e Lezhës, u rrëfye nga bashkëshortja e tij, Dila. Ajo dëshmoi gënjeshtrën që ministri i Shëndetësisë, Beqaj u thotë shqiptarëve. “Bashkëshorti im humbi jetën, pasi nuk gjendej ilaçi për sëmundjen që ai kishte”, theksoi ajo.
Një tjetër rast i shkarkimit pa asnjë motiv, ishte ajo e zonjës Rina Istrefi, arsimatare, me 25 vite punë. “Më hoqën për bindje politike. Ku është portali mësues për Shqipërinë? Profesionistët janë jashtë sistemit arsimor. Persekutimi është i jashtëzakonshëm. Sfidova problemet e mia shëndetësore, sepse e dua këtë profesion. U shpikën testime pa bazë ligjore. Fyejnë rëndë inteligjencën shqiptare. Arsimtarët janë aty, por janë flakur jashtë sistemit arsimor zonja ministre. Flakni tej frikën politike në arsim, ngrini zërin dhe kërkoni të drejtat tuaja. Guxova më tepër se të tjerët, ndaj jam jashtë sistemit arsimor. Zonja ministre, në asnjë moment nuk tregove se je grua, nënë apo arsimtare. Largohu zonja ministre. Ti ke ngelur në klasë”, tha mësuesja e Gjuhës dhe e Letërsisë.
Violeta Geca, e hequr nga puna me dhunë nga Erion Veliaj, tha se ai ka hedhur në rrugë të madhe një familje prej 7 anëtarësh.  “Unë fitova gjyqin dhe duhet të rikthehem”, tha ajo.
Hariklla Zoto paralajmëroi ngujim përpara Ministrisë së Mbrojtjes pas një problemi me pronën e saj. “Policët më kanë tërhequr zvarrë në katër të mëngjesit, teksa unë prisja një përgjigje nga ministrja, e cila sot ka shkuar me pushime. Isha në të drejtën time”.
Gjatë bashkëbisedimit, Basha tha se megjithë vuajtjet dhe persekutimet, dhe përvojat tronditëse, gratë janë kthyer në model të qëndresës e rezistencës për drejtësi e dinjitet. “8 Marsi është ditë proteste, është ditë proteste dhe qëndrese dhe sot më 8 Mars 2017 gratë e pranishme në Sheshin e Lirisë i vunë vulën europiane 8 Marsit, jo ditë feste, ditë proteste! Sonte dëgjuam disa nga dëshmitë e grave, nënave, vajzave të pranishme këtu në këtë shesh të lirisë. Këtu ka dhe shumë burra, besoj se ndajmë të njëjtin mendim se ajo që dëgjuam ishte në radhë të parë tronditëse dhe rrënqethëse, tha Basha, duke shtuar se në radhë të dytë, me gjithë vuajtjet, persekutimin, nëpërkëmbjen, sakrificat e jashtëzakonshme që këto gra dhe qindra e mijëra si ato anembanë Shqipërisë kanë hequr e po heqin nën këtë qeverisje të pashpirt, sërish me qëndresën që kanë bërë me forcën dhe kurajon që kanë demostruar, ato janë bërë heroinat tona, heroinat e çdo shqiptari”.

Exit mobile version