Prokuroria për Krime të Rënda mori në pyetje dje ish-kandidaten për Rektore të Universitetit të Tiranës, Klodeta Dibra dhe zv/kryeregjistruesin e Shqipërisë, Besnik Hysenbelliu. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, pyetja e tyre është bërë me cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjet, për të cilat po hetohet Emiljano Shullazi dhe banda e tij. Zyrtarisht, Prokuroria pranon marrjen në pyetje të ish-kandidates së Shullazit, Klodeta Dibra dhe zv/kryeregjistruesin e Shqipërisë, Besnik Hysenbelliu, por tregohet mjaft e rezervuar për të dhënë detaje në lidhje me deklarimet e tyre. Për të shmangur rrjedhjen e informacionit, mësohet se pyetjen e tyre e kanë bërë vetë prokurorët e çështjes, Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi.
Nga ana tjetër, burimet konfidenciale pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se, Klodeta Dibra ka mohuar përfshirjen e saj në kanosjen ndaj profesorit Mynyr Koni. Para hetuesve, burimet thonë se, Dibra ka mohuar njohjen personale me Emiljano Shullazin dhe personave që rrinë pranë tij.
Ajo ka këmbëngulur se edhe familjarët e saj, nuk kanë njohje apo nuk kanë pas ndonjëherë kontakt me Emiljano Shullazin, si para dhe pas ngjarjes ku pretendohet se është kanosur Profesor Koni. Dibra është treguar e gatshme para hetuesve për t’ju nënshtruar një hetimi, që të zbardhet mos përfshirja e saj në këtë ngjarje, që znj.Dibra, ka pretenduar se e ka dëgjuar në media. Ndërsa në lidhje me marrëdhëniet me proesor Konin, Dibra ka sqaruar se janë normale.
Për llogari të kësaj dosje, prokurorët kanë pyetur edhe nr.2 të Hipotekave të Shqipërisë, Besnik Hysenbelliu, me cilësinë e personit që ka djeni për disa veprime hipotekore, që vartësit e tij kanë kryer për regjistrimin e disa pronave për të cilët po heton Prokuroria.
Gjithashtu, Prokuroria mësohet se ka pyetur edhe personat me të cilët ka qenë i shoqëruar ish-rektori Dhori Kule në momentin, që ky i fundit pretendon se është kanosur nga persona të paidentifikuar. Edhe këta dëshmitarë, kanë mohuar se kanë parë Shullazin në takim me Profesor Kulen pranë një hoteli të njohur këtu në kryeqytet. Sipas Prokurorisë, grupi hetimor po vazhdon marrjen në pyetje edhe të personave të tjerë për ngjarjet, ku dyshohet se është përfshirë Shullazi dhe pjesëtarët e bandës së tij.
Denoncimi për kërcënimin u bë nga ish-kryeministri Berisha më 16 prill të këtij viti, teksa po zhvillohej fushata për zgjedhjet universitare. Aktualisht Shullazi, kushëriri i tij Blerimi si dhe Gilmando Dani janë prapa hekurave të akuzuar për gjobëvënie dhe disa vepra penale.
Hetimet e kryera nga Prokuroria kanë zbuluar se banda e Emiljano Shullazit rezulton me aktivitete kriminale në disa rrethe të vendit. Prokuroria e Krimeve të Rënda po bashkon të gjitha dosjet ku është përmendur emri i të dyshuarit vitet e fundit. Të gjitha kallëzimet apo informacionet që janë siguruar për grupin e Emiljano Shullazit, do t’i bashkohen dosjes, të cilët po heton Prokuroria për Krimet e Rënda. Mësohet se aktiviteti i tre të arrestuarve ishte i shtrirë edhe jashtë Tiranës, ku sipas informacioneve janë shantazhuar disa biznesmenë.
Grupi i hetimit shtoi se, kallëzimit të një gruaje në Tiranë për përvetësimin e biznesit të saj pranë ish-kafe “Florës” i është bashkëngjitur edhe një dosje tjetër nën hetim prej pak muajsh te Krimet e Rënda për një gjobë të vënë ndaj një biznesmeni nga Lushnja. Në këtë kallëzim të marrë në fillim të vitit, një biznesmen nga Lushnja ka njoftuar se Shullazi e kishte kërkuar në takim gjatë muajit shkurt, ndërsa ai nuk ka pranuar. Nga dëshmia e një punonjësi të tij është kuptuar se, personi i prezantuar si Emiljano kishte qëndruar pranë biznesit të kallëzuesit në afërsi të Lushnjës.