Urdhëri i mbrojtjes së Liljana Rukos, vrarë nga bashkëshorti i saj tri ditë më parë, ka çuar për hetim penal një gjyqtar dhe shefen e Përmbarimit në Fier. Por rasti i Liljana Rukos nuk është i vetëm. Zyra e Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Fierit bashkë me urdhërin e mbrojtjes së Liljana Rukos, ka marrë një ditë më parë në dorëzim edhe një tjetër rast, me jo pak, por katër muaj vonesë.
Rasti në fjalë është trajtuar nga Gjykata e Fierit në muajin gusht, por nuk i ka shkuar Shërbimeve Sociale deri ditën e djeshme. Tani gruaja e dhunuar do të merret në trajtim nga Shërbimet Sociale në Bashki ashtu si do të ndodhte edhe me Liljana Rukon, nëse urdhëri i mbrojtjes së saj mbërrinte në kohë pranë institucioneve.
Urdhri i mbrojtjes së muajit gusht për një tjetër grua të dhunuar është dhënë nga i njëjti gjyqtar Ergys Selmani. Ky i fundit po hetohet për shpërdorim detyre pas sekuestrimit të dosjes së Liljana Rukos. Bashkë me gjyqtarin po hetohet edhe Lindita Shabani, shefe e Përmbarimit, e cila pretendon se e ka marrë urdhrin në kohë, por ka harruar ta protokollojë dhe zbatojë. Hetimi ka nisur pas vrasjes së Liljana Rukos nga bashkëshorti i saj të shtunën që shkoi.
Ferdinand Ruko e hodhi 43-vjeçaren nga kati i katërt. Viktima ishte me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata, por jetonte në një shtëpi me dhunuesin e saj. Pas ngjarjes rezultoi se nuk kanë funksionuar mekanizmat rehabilitues, sepse nuk ishin njoftuar.
Gjykata e Krimeve të Rënda lë në burg vrasësin Rukaj
Mbetet në burg pa afat, Ferdinand Rukaj, burri që tronditi mbarë opinionin publik, duke hedhur nënën e dy fëmijëve të tij nga dritarja e katit të katërt. Mesditën e sotme, Rukaj ka dalë para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, nën kopetencën e së cilës janë shqyrtimi i krimeve në familje. Kjo gjykatë e la Rukajn nën masën e sigurisë burg pa afat, ashtu siç edhe kishte kërkuar Prokuroria.
Vetë 52-vjeçari nuk ka folur asnjë fjalë gjatë seancës së masës së sigurisë, ndërsa avokati mbrojtës mësohet se ka kërkuar ekspertim psikiatrik për klientin e mbrojtur prej tij. Gjykata e Prokuroria nuk janë shprehur në lidhje me këtë kërkesë, pasi vendimi për të bërë ose jo ekspertizën psikike pritet të merret gjatë hetimit.
Fundjavën e kaluar, Ferdinand Rukaj, pas një debati me gruan e tij, Liljanën, e ka marrë forcërisht këtë të fundit dhe e ka hedhur nga dritarja e banjos së apartamentit të tyre në katin e katërt të një pallati në lagjen “Kryengritja e Fierit”. Krimi i rëndë ndodhi, ndërkohë që dy fëmijët e çiftit ishin në shtëpi. Vetëm pak ditë para tragjedisë, 43-vjeçarja Liljana Rukaj, ishte pajisur me urdhër mbrojtje nga Gjykata pas padisë së bërë prej saj për ushtrim dhune nga ana e bashkëshortit.